Mianmar, lufta e harruar, që shkatërron edhe famulli e kuvende
R.SH. – Vatikan
Kuvende të shkatërruara, ndërtesa kishtare rrafsh me tokën, rregulltarë e murgesha që detyrohen të ikin për të mos vdekur nën bomba. Lufta civile në Mianmar, e cila po shkakton qindra mijëra viktima, vazhdon me më tepër dhunë se kurrë dhe nuk e kursen as Kishën. "Për shembull, në dioqezën Loikaw, janë goditur më se gjysma e famullive, 21 nga 41: një dramë, që ta plas zemrën": kështu tregon një person nga vendi, i cili kërkon të mbetet anonim. “Jemi dëshmitarë – shton ai – të eksodit masiv të meshtarëve e të murgeshave: ata zhvendosen bashkë me popullsinë, që ikën nga qytetet drejt fshatrave, ose drejt maleve”. Objektivi, shpjegon personi, është "t’u sigurohen besimtarëve sakramentet dhe shoqërimi shpirtëror, që u nevojitet në këto ditë tmerri".
Kisha, pikë referimi
Në kampet e refugjatëve, të ngritura sidomos në zonat kufitare të vendit të Azisë juglindore, meshtarët dhe murgeshat kujdesen për burrat, gratë dhe fëmijët, që nuk kanë më asgjë. “Ata jo vetëm që u garantojnë nevojat elementare, por edhe lutjen dhe edukimin”, thotë personi anonim, i cili tregon se këta “njerëz të fesë janë bërë pikë referimi për të gjithë, duke mbajtur gjallë shpresën dhe guximin për të ecur përpara pavarësisht nga vuajtjet”. Jeta e fesë vazhdon, pa u ndërprerë kurrë. Shumë murgesha kanë krijuar “një shërbim dëgjimi, me të cilin mbështesin popullsinë e sfilitur psikologjikisht. Këta njerëz kanë nevojë të shfryhen për gjithë dramën e shpirtit të tyre dhe të gjejnë ngushëllim me fjalët e jetës së amshuar”.
Gëzimi për afërsinë e Papës
Situata në Mianmar bëhet edhe më e hidhur, kur njerëzit përballen me indiferencën e bashkësisë ndërkombëtare. Personi anonim kujton se që nga grushti i shtetit, më 1 shkurt 2021, një perde e rëndë heshtjeje ka rënë mbi luftën civile në vend. “Vetëm Papa na kujton, siç bëri të dielën e kaluar në Engjëllin e Tënzot – thekson ai. – Kjo na ngushëllon dhe na inkurajon të rezistojmë dhe të luftojmë për jetën. Kështu, nuk ndihemi vetëm”.