Fjala e Zotit e solemnitetit të Jezu Krishtit Mbret! “A"
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 34-të gjatë e të fundit gjatë vitit kishtar ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjik të kishës, të cilën të diele, Kisha ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Krishtit Mbret! “A”
Ja pra, festa e Krishtit Mbret, apo e diela e fundit e këtij viti liturgjik ciklit të parë 'A', është bartëse e mesazhit të shpresës për të gjithë ne që duam ta besojmë e ta jetojmë Fjalën e Zotit. Jezusi premton se do të vijë si mbret i lavdishëm, për të mbyllur e gjykuar historinë tonë, si dhe atë të botës mbarë, e për të hapur kalimin e mistershëm në jetën e amshuar në Hyjin. Pra, Krishti është mbret, që sundon me dashuri e shpresë, pa u imponuar, por duke respektuar lirinë e njeriut.
Kjo festë liturgjike, themeluar nga Papa Piu XI më 1925, e mbyll vitin kishtar me një vizion të Krishtit Mbret të gjithësisë . Në qendër të skenës së kësaj feste, Ungjilli nga Mateu na paraqet Krishtin, Alfa e Omega, ulur mbi fronin e vet të madhërishëm, si Zotërues i historisë e i mbarë njerëzimit. Ai gjykon me mëshirë e në të vërtetë, Ai i ndanë të mirët prej të këqijve si aktin e mbramë të mbretërisë së tij tokësore e si gjestin e parë të Mbretërisë së tij të lavdishme Hyjnore, që ofron falje e shpëtim.
Një poet thoshte se “jeta kuptohet duke e shikuar mbarimin e saj”, ne duke parafrazuar mund të themi se: “domëthenia e historisë kuptohet duke mbajtur para sysh kulimin e saj”. Mbarimi është edhe caku i jetës.
Zotit nuk i duhen gjë format hipokrite të devocionit, në se nuk vihen në jetë urdhërimet e Tij. Kёtё na kujton solemniteti i Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i universit, që kremtojmё kёtё tё diele tё fundit tё vitit kishtar. E vërteta mbi fatin tonë të mbram dhe mbi kriterin me të cilin do të vlerësohemi është mesazhi i Ungjillit të kёsaj sё diele tё 34-tё gjatё vitit kishtar dhe i asaj, që njihet si ‘shëmbëlltyra mahnitëse e gjyqit të fundit’.
Nё shëmbëlltyrën e gjyqit të mbram nga Mateu, Jezusi na kujton si mund tё njohim, pranojmё dhe duam Atё nё jetёn tonё tё pёrditshme: “Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha i huaj e më përbujtët …” (Mt 25,35) e kështu me radhë. Kush nuk e njeh tani këtë faqe? Është pjesë përbërëse e qytetërimit tonë. Gjurmët e saj, hierarkia e vlerave, institucionet, veprat e shumta të bamirësisë, duken qartë në historinë e popujve me kulturë të krishterë.
Ungjillin sipas Mateut na kujton njё frazë vendimtare të Jezusit: “Me të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua”(Mt 25,40). Këta vëllezër më të vegjël, të zgjedhur prej Jezusit, janë i urituri e i sëmuri, i huaji e i burgosuri, i varfri e i braktisuri, i vuajturi, që s’ka krah ku të mbështetet e nevojtari i flakur pa shpresë në një skutë. Nё fytyrat e tyre mund të përfytyrojmë të vulosur, fytyrën e Jezusit, mbi buzët e tyre, edhe pse të mbyllura nga dhimbja, fjalët e Tij: 'Ky është korpi im!'” (Mt 56 26,26). Duhet të mësohemi ta mundim indiferencën me duar punëtore, shtrirë kah të varfërit, kah korpi i plagosur i Zotit: në të varfërit, në ligështinë e tyre, ka një forcë të pamposhtur shëlbuese: ata janë pasaporta jonë për Parriz.
Është detyrë ungjillore të kujdesemi për ta, që janë pasuria jonë e vërtetë, e ta bëjmë këtë jo vetëm duke u dhënë një kafshatë bukë, por edhe duke thyer me ta bukën e Fjalës sё Zotit, bukë që u përket më natyrshëm se askujt tjetër. T’i duash të varfërit do të thotë të luftosh kundër të gjitha varfërive, shpirtërore e materiale. Prandaj, nëse ka gjë që vlen me të vërtetë, është ta duash Zotin e të afërmin, sepse gjithçka tjetër kalon. Nëse secili mendon vetëm për interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit. Kёtё na kujton solemniteti Krishtit Mbret.
Po Mbretëria e Hyjit, siç thotё Jezusi, nuk është e kësaj bote, madje vetë Jezu Krishti nuk e pranoi titullin e mbretit në kuptimin politik të kësaj fjale, por kjo mbretëri realizon gjithçka të mirë që ekziston në zemrën e njeriut e në histori. Në se vemë në jetë dashurinë për të afërmin, sipas lajmit ungjillor, atëherë i hapim rrugën sundimit të Zotit e mbretëria e tij vjen mes nesh. Por në se secili mendon vetëm për interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit.
Mbretëria e Hyjit nuk ka të bëjë me nderime e salltanete por, siç shkruan Shën Pali, është drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin Shenjt Zot. Një mësim i fortë ky qё na kujton se Zoti e ka shumë për zemër të mirën tonë, prandaj, dëshiron që çdo njeri të ketë jetë e, posaçërisht, që më të vegjëlit të ulen të parët në sofrën, të cilën Ai e shtron për të gjithë. Prandaj nuk di ç’ të bëjë me hipokrizinë e atyre që thonë: “o Zot, o Zot” e pastaj nuk i zbatojnë urdhërimet (cfr Mt 7,21). Hyji i pranon në Mbretërinë e tij të amshuar ata njerëz që përpiqen ditë për ditë ta venë në jetë Fjalën e Tij.
Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar sundon, shëlbon gjithësinë dhe çdo njeri. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit na ka dhënë të gjithëve jeta e amshuar duke na mundësuar pjesëmarrjen në Mbretërinë e Tij Hyjnore.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë (Ez 34, 11-12. 15-17)
Ju jeni grigja ime: Unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Kështu thotë Zoti Hyj: “Ja, unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to. Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do t’i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ. Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vetë do t’i mrizoj – thotë Zoti Hyj. Të treturën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta shërojë e mbështjellë, të ligështuarën do ta kërthndez, të majmen e të fortën do ta ruajë: do t’i kullosë me drejtësi.
Kurse ty, o grigja ime, kështu thotë Zoti Hyj: Unë do të gjykojë me drejtësi ndërmjet deles e deles, ndërmjet deshve e cjepve.” Fjala e Zotit!
Psalmi 23 (22)
Ref: Hiri dhe mirësia jote do të më përcjellin, o Zot.
_____________________________
Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta,
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
_____________________________
Po edhe në kalofsha nëpër luginën
e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
_____________________________
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
_____________________________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
_____________________________
Leximi i dytë (1 Kor 15, 20-26. 28)
Biri do t’ia nënshtrojë mbretërinë Atit, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Korintasve.
Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!
Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. E kur t’ia ketë nënshtruar të gjitha, edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë. Fjala e Zotit!
Ungjilli (Mt 25, 31-46)
Do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm e do t’i ndajë njërin prej të tjetrit.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vij Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshem. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.
Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’
Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.’
Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’
Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, ja në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’
Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.” Fjala e Zotit!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XXXIV GJATË VITIT: JEZU KRISHTI – MBRET I GJITHËSISË! EJANI, TË BEKUARIT E ATIT TIM!
(Ez 34, 11-12. 15-17; Ps 23 (22); 1 Kor 15, 20-26. 28; Mt 25, 31-46)
«Në perëndim të jetës sonë, do të gjykohemi mbi dashurinë.», thoshte Shën Gjoni i Kryqit. Këtë e vërtetojnë edhe fjalët e Jezusit sot në Ungjill, ku Ai paraqitet si Mbreti që do t’i gjykojë «të gjithë popujt» me pushtet të padiskutueshëm: «Kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve.» Në leximin e parë, Hyji thoshte përmes Ezekielit profet: «Unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to.» e, menjëherë më poshtë, vazhdon: «Unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles, ndërmjet deshëve e cjepve.». Atë që Hyji e thoshte për vete në Besëlidhjen e Vjetër, Jezusi në Ungjill e thotë për vete kur thotë «Biri i njeriut». Kështu (si ai që ka pamjen e Birit të njeriut) përkufizohej Mesia në librat e Besëlidhjes së Vjetër. Një mënyrë madhështore e Jezusit kjo për të treguar Hyjninë e vet.
Ne e besojmë se Jezusi do të vijë sërish në fundin e kohëve. E themi çdo të diel në Besoj: «Përsëri do të vijë me lavdi, për të gjykuar të gjallët e të vdekurit e Mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.» Kështu, si Gjykatës e Mbret të gjithësisë, na e përshkruan ardhjen e dytë të Jezusit edhe Shën Pali në këtë tekst madhështor të Letrës së parë të drejtuar Korintasve: «Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tij të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. E, kur t’ia ketë nënshtruar të gjitha, edhe Biri do t’i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë.» Një përshkrim madhështor dhe tepër i rëndësishëm për teologjinë e krishterë.
Por të mos mendojmë se i gjithë ky përshkrim dhe e gjithë rëndësia e kësaj të kremteje të Jezu Krishtit Mbret të Gjithësisë që po kremtojmë sot janë për të na futur frikën e për të na bërë të dridhemi kur mendojmë për Jezusin. Jezusi kurrë nuk ka dashur që dikush të tmerrohej duke përmendur Emrin e Tij, por gjithnjë ka dashur të lidhë fije miqësie e dashurie me njeriun. Vënia e theksit sot tek fakti se një ditë Jezusi do të vijë si Gjykatës, është për të na bërë të kemi sigurinë se, një ditë, e mira do të fitojë. Pothuajse të gjithë martirët tanë shqiptarë kanë rënë duke thënë si fjalë të fundit pikërisht fjalët «Rrnoftë Krishti Mbret!», të bindur se vetëm Mbretëria e Tij një ditë do të triumfojë, ndërsa mbretëritë e kësaj bote do të kuptohet se sa gabim ishin.
Një ditë, e mira dhe e keqja do të ndahen përfundimisht nga njëra-tjetra. Kështu, të gjithë ata që janë në udhën e së mirës, të dashurisë, të së vërtetës e të drejtësisë, duhet të kenë sigurinë se të gjitha këto një ditë do të triumfojnë. Nga ana tjetër, të gjithë ata që nuk i bëjnë këto, duhet ta kuptojnë se e keqja e tyre një ditë do të dalë në pah përfundimisht dhe nuk do t’u sjellë kurrfarë dobie, sepse, përfundimisht, do të humbasin Hyjin.
Duke humbur Hyjin, njeriu humb gjithçka, sepse është i krijuar në përngjasim me Të. Duke humbur Hyjin, njeriu humb vetveten dhe të tjerët. Të bën përshtypje përshkrimi që Shenjtja Faustina Kovalska i bënte Ferrit, sipas një vegimi që ajo kishte pasur një herë. Një engjëll e mori dhe, në vegim, e çoi të vizitonte Ferrin. Gjërat që përshkruan janë të shumta, por në një farë pike Shenjtëresha shkruan: «Vija re se si shpirtrat aty vuanin, qanin e vajtonin për faktin se nuk kishin qenë kthyer kah Hyji sa ishin ende në kohë mbi tokë. Vuajtja më e madhe e Ferrit ishte mungesa e Hyjit dhe vetëdija se Hyjin e kishin humbur përgjithmonë. Djajtë i mundonin shpirtrat, por as vetë djajtë nuk ishin më të lumtur se ata për këtë.» E, gjëja më interesante që shkruante shenjtëresha polake, ishte kjo: «Aty, në Ferr, si shpirtrat e humbur, ashtu edhe djajtë jo vetëm që urrenin vetveten, por urrenin edhe shpirtrat dhe djajtë e tjerë.» Patjetër që për këto vegime duhet një shpjegim teologjik i përshtatshëm, por mund të themi se thelbi i asaj që duan të na mësojnë këto rreshta, është se Ferri është mungesa e plotë e lumturisë dhe e dashurisë.
Ndërsa, sipas teologjisë së krishterë, e dimë se Parrizi është krejtësisht e kundërta e kësaj. Parrizi, nga përshkrimi i shumë shenjtërve në vegimet e tyre dhe nga përfundimet e shumë teologëve, duke u bazuar në Shkrimin Shenjt, është vendi i lumturisë së plotë për njeriun. Pikësëpari sepse aty njeriu gjen Hyjin e vet plotësisht. Pastaj, si pasojë e kësaj, ai gjen edhe vetveten dhe të tjerët. Lumturia e Parrizit përshkruhet si një e tashme e përjeshme plot me lumturi. Përshkruhet si një gëzim në maksimum, por gjithnjë në rritje.
Meqë Ferri është mungesa e plotë e dashurisë dhe Parrizi është mbretërimi i plotë i saj, kjo do të thotë se gjithçka varet nga drejtimi që do t’i japim timonit të jetës sonë këtu në tokë. Për këtë arsye Jezusi, në Ugjillin e sotëm, kur jep gjykimin e vet, nuk e përmend askund «Zotin», por «dashurinë» për nevojtarët. Sepse kush zgjedh dashurinë, edhe nëse nuk e di, zgjedh Zotin.
Sa e bukur është ftesa që Jezusi thotë se do t’ua bëjë të lumëve: «Ejani, të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës». Mbretëria e Hyjit paska qenë bërë gati për ta qysh se u krijua bota! Zoti e ka menduar Parrizin qysh në çastin e krijimit të gjithësisë. Është interesant fakti se, kur Mbreti u drejtohet të këqijve, u thotë: «Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasusur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij!» Këtu Mbreti nuk thotë se Ferrin e kishte përgatitur Hyji për njerëzit. Teologjia katolike madje saktëson se as për djallin Hyji nuk e deshi Ferrin, duke qenë se fillimisht e kishte krijuar atë një engjëll të mirë. Ferri “lindi” kur këta engjëj rebelë nuk pranuan ta donin më Hyjin dhe t’i shërbejnë Atij. E bënë me një vetëdije aq të lartë, saqë për ta kjo qe fatale. Njeriu nuk e ka një vetëdije aq të lartë të së keqes që bën në këtë jetë, prandaj edhe mëkatet mund t’i falen sa është ende gjallë. Por, nëse e gjithë jeta e njeriut ka qenë një këmbëngulje kokëforte në të keqen, atëherë edhe ai do të shkojë atje ku shkuan ata shpirtra rebelë. Nëse shkon në Ferr, vendi që ishte përgatitur për atë njeri në Parriz do të mbetet bosh, por, nëse shkon në Parriz, në Ferr nuk do të mbetet asnjë vend bosh, sepse nuk ishte krijuar për njeriun.
Hyji herë pas here na vë në situata ku na duhet të bëjmë zgjedhjen nëse duam të jepemi pas dashurisë apo duam të zgjedhim egoizmin dhe urrejtjen. Zgjedhja është e jona. Sa herë që zgjedhim dashurinë për nevojtarët (për të uriturit, për të etshmit, për shtegtarët, për të zhveshurit, për të sëmurët apo për të burgosurit), Jezusi do ta vlerësojë atë gjest si një të mirë të bërë Atij. Kjo sepse, kush zgjedh dashurinë, do të kujdesej për Jezusin nëse Ai do t’i kalonte pranë si para dy mijë vjetëve. Por, kush zgjedh egoizmin, urrejtjen, përbuzjen, mospërfilljen apo shfrytëzimin e nevojtarit, edhe ato Jezusi do t’i shohë si t’i ishin bërë Atij. Njerëz të tillë, në fakt, e kryqëzuan. Prandaj kishte të drejtë Shën Gjoni i Kryqit kur thoshte se «në perëndim të jetës sonë, do të gjykohemi mbi dashurinë», sepse lumturia e Parrizit është Mbretëri Dashurie. Aty hyjnë vetëm ata persona që zgjodhën dashurinë, të tjerët jo.
Një shenjt portugez, Shën Gjoni i Hyjit, thuhet se bëri vërtet bujë në shekullin XVI, me përkushtimin e tij ndaj të varfërve. Shepsh, kur u shërbente të sëmurëve në një spital që kishte themeluar ai vetë, thuhet se e dëgjonin tek u rrëfente atyre mëkatet e veta. I dukej sikur po i shërbente Jezusit. Por simpatike do të mbetej mënyra se si ky shenjt u kërkonte lëmoshë të pasurve. U thoshte: «Bëjini mirë vetes, vëllezër!». Ishte duke u thënë se, duke ndihmuar të varfrit, ata pikësëpari po i bënin mirë vetes, sepse po zgjidhnin të ishin nga ana e dashurisë, pra, nga ana e Jezusit. Kështu do të mund të shëlboheshin, sepse vetëm këtyre Jezusi do të mund t’u thotë: «Ejani, të bekuarit e Atit tim!».
Dom Dritan Ndoci