Fjala e Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘A’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 33-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘A’
Jemi në të dielën e 33-të gjatë vitit liturgjik, do të thotë se jemi në të dielën e parafundit të këtij viti kishtar dhe Fjala e Zotit na kujton se çdonjërit prej nesh Hyji i ka dhënë dhanti, talente, dhurata të veçanta për të mirën personale, për të mirën e komunitetit dhe të mbarë njerëzimit. E pasi kemi marrë talentet a dhuratat prej Zotit, Jezusi na fton t’i vlerësojmë e investojmë ato, do të thotë t’i shtiem në punë për të përmirësuar botën dhe për të ndërtuar mbretërinë e Hyjit.
Në Ungjillin e kësaj sё diele nga Mateu, përmes shëmbëlltyrës së talenteve, Jezusi na fton të reflektojmë mbi dhuratat që kemi marrë e edhe mbi mënyrën sesi duhen përdorur, për përhapjen e Mbretërisë së Hyjit. Pra, Fjala e Zotit na nxit për njё jetё nё thjeshtësi, vigjilencë, zell e aktive. Në shëmbëlltyrën e talenteve Jezusi na tregon historinë e tre shërbëtorëve të cilëve i zoti, para se të nisej për një shtegtim të largët, ua besoi pasurinë e vet. Dy prej tyre i vunë në punë paratë, që kishin marrë, duke i shumëfishuar. Ndërsa shërbëtori i tretë i fshehu në një vrimë. Si u kthye në shtëpi, zotëria u shprehu kënaqësinë dy shërbëtorëve të parë, ndërsa nga i treti mbeti krejtësisht i zhgënjyer. Ky shërbëtor, që e fshehu talentin, pa e vlerësuar, i bëri keq llogaritë: u suall sikur zotëria nuk do të kthehej kurrë më, sikur nuk do të vinte një ditë, kur do t’i duhej të jepte llogari për veprimin e tij. Talenti, mos tё harrojmё, nuk mund të shkëputet nga misioni, që duhet kryer e që Zoti ia beson çdo njёrit prej nesh.
Pasuritë e dhuntitë që morëm nga Zoti, nuk duhen mbajtur në kasafortë, por duhen përdorur për të tjerët, në dobi të pёrbashkёt: këtë nga kujton Jezusi nё fragmentin e Ungjillit tё kёsaj sё diele tё 33-tё gjatё vitit kishtar. Talentet, qё na i propozon shёmbёlltyra ungjillore nga Shёn Mateu (Mt 25,13-30), nuk janë cilësitë individuale, por pasuria, që na beson Zoti: Fjala e Tij, Eukaristia, besimi në Atin qiellor, ndjesa e Tij, domethënë, pasuritë e Tij më të çmuara, që ne jemi të thirrur t’i shumëfishojmë. Kështu, vrima e hapur në nё tokё nga shërbëtori i lig e përtac, tregon frikën nga rreziku, që e bllokon krijimtarinë dhe pjellorinë e dashurisë.
Zoti nuk u jep të gjithëve të njëjtat gjëra e as në të njëjtën mënyrë. Na njeh personalisht e na beson atë, që është e drejtë për ne; por në shpirtin e të gjithëve vë të njëjtin besim pa cak. Zoti na beson. Zoti shpreson në ne. Beson e shpreson në të gjithë, njëlloj! Të mos e zhgënjejmë! Të mos gënjehemi nga frika, por t’i përgjigjemi besimit me besim. Gjithë të mirat, që kemi marrë, janë për t’ua dhënë të tjerëve, e kështu shtohen.
Me shëmbëlltyrë ungjillore tё talenteve, Jezusi dëshiron t’u mësojë dishepujve të vet t’i përdorin mirë dhuratat që kanë marrë. Zoti e fton çdo njeri në jetë; i dorëzon edhe talente, duke i besuar njëkohësisht një mision për të kryer. Do të ishte marrëzi të mendoje se këto dhurata mund t’i përdorësh sipas qejfit, ashtu si është marrëzi të mos i përdorësh fare, duke treguar, kështu, se nuk e ke kuptuar vetë qëllimin e jetës.
Shën Gregori i Madh, duke komentuar këtё pjesё ungjillore, shkruan: “E prandaj është e nevojshme, o vëllezërit e mi, që të tregoheni tejet të kujdesshëm për ruajtjen e dashurisë së krishterë, në çdo veprim që duhet të kryeni” (Homeli mbi Ungjillin, 9,6). E pasi saktëson se dashuri e vërtetë është ajo, që të shtyn t’i duash njëlloj miq e armiq, shton: ”në se ndokush nuk e praktikon këtë virtyt, i humbet të gjitha pasuritë, i mungon talenti, që mori, e flaket jashtë, në errësirë”. Dashuria e krishterë është pasuria kryesore, të cilën të gjithë duhet ta përdorim, që të japë fryte të begata, sepse pa të, çdo dhuratë tjetër është krejt e kotë. Vetëm duke e praktikuar dashurinë e krishterë, edhe ne mund të marrim pjesë në gëzimin e Zotërisë sonë.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë (Fu 31, 10-13. 19-20. 30-31)
Gruaja e përsosur punon me dëshirë me duart e veta.
Lexim prej Librit të Fjalëve të urta.
Ku mund të gjendet një grua vërtet burrneshë? Është shumë më e çmueshme se gurët e paçmueshëm. Zemra e burrit të saj ka besim në të dhe pasuria nuk do t’i mungojë. Ajo i bën mirë e kurrë keq në të gjitha ditët e jetës së vet. Ajo gjen lesh e li e punon hareshëm me duar të veta. Furkën e merr në dorë e me gishta e sjellë boshtin. Shuplakat e veta i ka hapur për nevojtarin dhe ua shtrin dorën të mjerëve.
Hijeshia është e rrejshme e bukuria është e kotë: gruaja që e druan Zotin, ja, e cila duhet lavdëruar! Le t’i gëzojë frytet e duarve të veta, le ta lavdërojnë para popullit veprat e saj! Fjala e Zotit.
Psalmi 128 (127)
Ref: Lum njeriu që ecën udhës së Zotit
_____________________________
Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës
së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh.
_____________________________
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
_____________________________
Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate.
_____________________________
Leximi i dytë (1 Sel 5, 1-6) Dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, për sa i përket kohës dhe momentit as nuk është nevoja t’ju shkruaj, sepse vetë e dini mirë se dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën. Ndërsa njerëzit do të thonë: “Ç’ paqe dhe ç’ siguri!”, shi atëherë, porsi dhimbjet e lindjes të gruas shtatzënë, do të vijë papritmas mbi ta rrënimi dhe nuk do të mund të shpëtojnë.
Porse ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që dita e Zotit t’ju vijë me befasi porsi vjedhësi: sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ! Atëherë të mos flemë porsi tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë! Fjala e Zotit.
Ungjilli (Mt 25, 14-30)
U dëftove besnik në sende të vogla, hyr në gëzimin e zotërisë tënd!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. Njërit i dha pesë talente, tjetrit dy, e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij, e u nis për udhëtim. Menjëherë ai që mori pesë talente u çua dhe i shtiu në punë e me ta fitoi edhe pesë tjerë. Po ashtu edhe ai që mori dy talente, fitoi edhe dy tjerë. Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehu paranë e zotërisë së vet.
Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. E si doli para ai që kishte marrë pesë talente, i qiti përpara edhe pesë tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talente, ja, edhe pesë tjerë që i fitova.’ Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talente e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talente, ja, edhe dy tjerë që i fitova.’ Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja tani gjënë tënde!’ Zotëria i tij iu përgjigj me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talente! Sepse atij që ka do t’i jepet më, e do të ketë me shumicë; e atij që s’ka do t’i merret edhe ajo pakicë që ka! E shërbëtorin e pavlefshëm qiteni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh’!” Fjala e Zotit.
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XXXIII GJATË VITIT: ZOTËRIA U DHA TALENTET.
Fu 31, 10-13. 19-20. 30-31; Ps 128 (127); 1 Sel 5, 1-6; Mt 25, 14-30
Në mes të shumë detajeve të tjera që thuhet se ndikuan në “kthimin” e Shenjtes Terezë të Avilës, ishte edhe një bisedë që ajo kishte bërë me një meshtar gjatë një rrëfimi. Tereza, tashmë e kushtuar Hyjit prej rreth njëzet vjetësh, me skrupolozitet shqetësohej shumë që të rrëfente mëkatet e bëra. Por rrëfyesi, me shumë dritë shpirtërore, i tha: «Më fort se të shqetësohesh për të keqen që ke bërë, duhet të shqetësohesh për të mirat që mund të kishe bërë e nuk i ke bërë.» Kjo përspektivë e re e të shikuarit gjërat e vuri në një udhë të re Shenjtëreshën. Ajo pastaj, falë edhe shumë detajeve të tjera, filloi të “kthehej kah Zoti”. Jo se kishte bërë mëkate të rënda, por aty e tutje filloi të perqendrohej tek prania e gjallë e Jezusit në jetën e saj, prani e cila i mundësonte shumë e shumë raste për ta dëshmuar dashurinë ndaj Tij e ndaj të tjerëve. Pastaj, në rrëmujën shpirtërore, teologjike e politike që po ndodhte në Kishën e shekullit XVI (për shkak të zbulimit të Amerikës dhe për shkak të herezive luterane), ajo filloi të pyeste veten se çfarë mund të bënte në gjithë këtë. Ia nisi me bindjen që të jepte ndihmesën e saj të vogël në të mirën e Kishës me ripërtëritjen e murgeshave Karmelitane, por ajo ndihmesë «e vogël» u shndërrua në njërën prej kolonave më të forta të Kishës së asaj kohe dhe e tillë vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite.
Kështu e kuptojmë rëndësinë e shëmbëlltyrës së sotme, ku Jezusi flet për talentet të cilët duhet të futen medoemos në punë.
Talenti ishte një masë paraje në atë kohë. Jezusi tregon për një njeri shumë të pasur i cili «deshi të nisej për dhe të largët» e, para se të nisej, «i thirri shërbëtorët e vet dhe ua dorëzoi pasuritë e veta». Secilit i dha «sipas zotësisë së tij»: «njërit pesë, tjetrit dy e të tretit vetëm një». Duhet theksuar se në këtë rast bëhej fjalë për shuma vërtetë kolosale, duke qenë se një talent ishte i barazvlefshëm me pagën e gjashtëmijë ditëve punë. E llogaritur në vite, shkon diku rreth njëzet vite rrogë normale.
Kur zotëria u kthye nga udhëtimi i tij, u kërkoi llogari për mënyrën se si i kishin përdorur paratë e tij. Dy të parët i kishin dyfishuar talentet e besuara. Ishte i treti ai që kishte bërë diçka shumë të çuditshme: e kishte fshehur këtë pasuri të mëdha nën tokë. Pikërisht këtë gjest zotëria ia qorton rëndë e nuk kursehet t’u thotë shërbëtorëve të tjerë: «Merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë… E shërbëtorin e pavlefshëm qiteni përjashta!» Nga ana tjetër, fjalë tejet të bukura ky zotëri kishte thënë për dy shërbëtorët e tjerë, të cilët ia shumuan paratë e besuara: «Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!»
Çfarë nuk kishte shkuar mirë, pra, me shërbëtorin e tretë, që nuk e shumoi talentin e vet? Në përgjigjen e tij, ky shërbëtor kishte dhënë këtë justifikim: «Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbodhe e mbledh ku nuk hodhe, u frikësova.». Por Zotëria nuk e kapërdiu këtë justifikim hileqar. E kuptoi përpjekjen e tij për ta mashtruar. Prandaj ia ktheu menjëherë: «Shërbëtor i keq dhe përtac». Shkaku i vërtetë i asaj zgjedhjeje të çuditshme nga ky shërbëtor ishte, pra, dembelizmi e jo frika e ndonjë falimentimi të mundshëm. Kot nuk e thotë një proverb se «nëna e të gjitha veseve është dembelizmi».
Sikur shkaku i vërtetë të kishte qenë frika, së paku, ia kujton Zotëria: «të është dashur ta shtish paranë time në bankë e në kthim kisha marrë gjënë time me kamatë». Pra e kishte një mënyrë për t’i shumuar paratë, nëse vërtet do ta kërkonte atë mënyrë.
Në fillim të Meshës, të penduar për mëkatet tona, themi gjithmonë «Po i rrëfehem…», si përgatitje për ta vazhduar denjësisht Meshën e Shenjtë. Ndër të tjera, aty i kërkojmë Hyjit falje edhe për mëkatet që kemi bërë «me lëshime». Këto lloj mëkatesh janë të mirat që do të kishim mundur t’i bënim, por, me justifikime të ndryshme, nuk i kemi bërë. Përshembull, shumë të rinj thonë se nuk kanë kohë të luten, por nga ana tjetër, kalojnë kohë vërtet të tepërt në rrjetet sociale. Rrijnë deri në dymbëdhjetë të natës (e shpesh edhe më gjatë) duke çatuar gjëra gati boshe me shoqërinë (për të mos folur këtu për ata që kalojnë çdo lloj kufiri etik) e, nga ana tjetër, ankohen se i merr gjumi kur duan të thonë ndonjë uratë.
Kjo në lidhje me lutjen. Po me gjërat e tjera të jetës? Edhe këtu referimin më të përshtatshëm do të mund ta gjenim në lidhje me të rinjtë. Të gjithë, në një formë apo në një tjetër, kanë aftësi vërtet mahnitëse. Por jo të gjithë i kultivojnë e i zhvillojnë ato aftësi. Shumë prej tyre kanë ëndrra të bëhen kushedi se kush në jetë, por jo të gjithë angazhohen seriozisht në studime, në kultivimin e aftësive dhe pasioneve të ndryshme që ndiejnë brenda vetes. Kanë dëshira të mëdha, por flenë gjumë me ëndje në djepin e dembelizmit të tyre. Por, siç ka shkruar shkrimtari francez i shekullit të kaluar, Paul Valèry: «Mënyra më e mirë për ta bërë një ëndërr realitet, është që të zgjohesh nga gjumi.» Edhe Shën Pali, në leximin e dytë, e qorton fuqimisht dembelizmin në lidhje me shenjtërimin e përditshëm që na kërkohet në jetë: «Të mos flejmë si të tjerët, por të rrijmë zgjuar!». I Lumi Dom Ndre Zadeja, ka lënë të shkruar në «Katekizmi në vjersha» të tij një shprehje shumë domethënëse: «Për dembel s’u ba Parrizi, por për at që fort çalltisi.». E kishte kuptuar shumë mirë ky meshtar tejet aktiv se i krishteri e ka për detyrë ta shfrytëzojë e ta përdorë për të bërë mirë çdo rast që Provania i vë përpara. Dembeli i lë t’i shkojnë kot shumë raste të tilla, kurse punëtori, shpejton, («çalltis») t’i shfytëzojë ato.
Pra, për t’u rritur në shenjtëri, nuk qenka e rëndësishme nëse kemi shumë apo pak talente, por nëse i vëmë apo jo në punë ata që kemi. Po ta vërejmë me kujdes, rastet për të bërë mirë janë vërtet të shumta në jetën e secilit, por varet se sa urti shpirtërore kemi për t’i dalluar ato.
Në leximin e parë na flitet në një formë shumë origjinale për urtinë. Autori i shenjtë në këto rreshta e krahason urtinë me një grua: «Ku mund të gjendet një grua vërtet burrëreshë? Është më e çmeshme se gurët e paçmueshëm. Ajo gjen lesh e li e punon hareshëm me duart e veta. Furkën merr në dorë e me gishta e sjell boshtin.» Përshkruan këtu një grua shumë punëtore, të aftë të bëjë njëherësh punë të shumta nëpër shtëpi, siç bëjnë të gjitha nënat e botës dhe, për të rritur fëmijët e saj, ajo arrin të përdorë deri edhe gjërat më të thjeshta që i bien në dorë. Urtia e saj qëndron jo në faktin se ka shumë, por në aftësinë e saj që t’i dallojë ato mundësi që ka përreth vetes. Këtë lloj urtie na kërkon Hyji edhe neve: të dimë t’i shohim «talentet» që Ai na jep dhe mundësitë që na i krijon në jetë për të bërë të mirën. Të mos zgjedhim edhe ne të jemi «përtacë». Nuk është faji ynë nëse Hyji na ka dhënë «pesë, dy, apo një talent», por është faj i ynë nëse nuk i vëmë ata në punë. Shërbëtori «përtac» nuk qortohet se «bëri diçka të keqe», por qortohet se «nuk bëri asgjë».
Shenjtërit, të cilët me besim në Zotin i vunë në punë talentet e veta, na mësojnë se sa e vërtetë është se Hyji, pastaj, i shton edhe më shumë këta talente, duke vërtetuar kështu fjalët e Jezusit: «Atij që ka do t’i jepet më e do të ketë me shumicë.» Ndërsa përtacët, kopracët dhe ata që nuk deshën t’i hapen me bujari Hirit Hyjnor në përdorimin e talenteve, vërtetojnë ato fjalët e tjera të Jezusit: «Atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka.»
Një herë një njeri doli para Zotit dhe, i kënaqur me vetveten, i shtriu duart e tha: «Shiko, o Zot, sa të pastra i kam duart e mia!» Por Zoti, buzëqeshi me trishtim dhe i tha: «Po, të pastra i paske, por i paske bosh.» Kjo përrallë nuk përfundon duke treguar nëse ai meritoi Ferrin apo Parajsën, por, duke e parë përfundimin e shëmbëllyrës së sotme, mund ta imagjinojmë vetë.
Dom Dritan Ndoci