Kërko

Imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës, në drekën me të varfërit në Ditën e tyre Botërore Imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës, në drekën me të varfërit në Ditën e tyre Botërore

Dita Botërore e të Varfërve në dioqezën e Sapës

Fillimisht, kremtimi i meshës shenjte nga ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, në katedralen e Shën Terezës së Kalkutës, në Vau Dejës. Gjatë homelisë, ai vuri theksin në mesazhin e Papës me titull “Mos i hiqni sytë nga të varfërit”. Të jemi bamirës, që e hapim zemrën dhe u tregojmë afërsi njerëzve në nevojë, kërkoi imzot Kulli. Pastaj, dreka e ofruar nga Karitasi

R.SH. – Vatikan

         Dita Botërore e të Varfërve u kremtua edhe në dioqezën e Sapës, në Shqipëri. Tashmë, është bërë traditë mesha e kremtuar nga ipeshkvi, imzot Simon Kulli e ndjekur nga dreka me të varfrit, organizuar nga Karitasi vendas. “Të jemi bamirës, që e hapin zemrën dhe tregojnë afërsi me njerëzit në nevojë. Të jemi prani e gjallë për ata, që kanë më shumë nevojë”. Të ndjekim informacionin e Violeta Marashit nga Vau i Dejës…

Dëgjo Violeta Marashin...
Imzot Simon Kulli në drekën me të varfërit
Imzot Simon Kulli në drekën me të varfërit

MOS I HIQNI SYTË NGA TË VARFËRIT

Në kuadër të Ditës Botërore të të varfërve, themeluar nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku,  edhe Caritas Dioqezan Sapa, organizoi drekën me familjet në nevojë, ku tashmë është bërë traditë organizimi i këtij evenimenti, që kur papa e themeloi prej 7 vitesh.

Si gjithmonë kësaj dite i parapriu kremtimi i Meshës Shenjte nga ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, në Katedralen e Shën Terezes së Kalkutës, në Vau Dejës, ku gjatë predikimit të tij, vuri theksin mbi mesazhin e Papës,  me titull “Mos i hiqni sytë nga të varfërit”. Të jemi njerëz bamirës që e hapim zemrën dhe e tregojmë afërsinë me njerëzit në nevojë. Të jemi prani e gjallë ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.   

Menjëherë pas kremtimit të meshës, të gjithë u drejtuan drejt Sallës së Caritasit për t’u bashkuar në drekën vëllazërore të ofruar nga Caritasi, ku drejtori z. Nikolin Lekaj dhe stafi i këtij institucioni në bashkëpunim edhe me vullnetarët, kishin përgatitur më së miri këtë drekë duke e shndërruar në një atmosferë festive dhe vëllazërore edhe përmes tingujve të muzikës që dhuroi artisti i mirënjohur Shkodran, Luigj Alia.

  Nën modelin e bariut të mirë, Imzot Simoni ishte i pari që shërbeu së bashku me meshtarët e motrat, gjatë drekës, ku pjesëmarrja e këtyre personave ishte prani nga shumë famulli të kësaj dioqeze. Edhe në këtë momend, pas bekimit të bukës, ishte bariu i dioqezës i cili i drejtoi mesazh inkurajimi dhe shprese këtyre familjeve me vështirësi ekonomike, por drejtoi edhe një nxitje më shumë  të gjithë atyre që kanë mundësi me ndihmu të varfërit.

20 nëntor 2023, 14:58