Çelësi i fjalëve të Kishës: liria është dhurim, jo mbizotërim
R.SH. – Vatikan
Jeta e liria janë gjëra për të cilat kemi nevojë të gjithë – u thoshte Benedikti XVI gjatë Mbrëmësoreve para Rrëshajëve 2006, anëtarëve të Lëvizjeve kishtare dhe bashkësive të reja. Por ç’janë ato – ku dhe si e gjejmë “jetën”? Unë mendoj se spontanisht, shumica e njerëzve ka të njëjtin koncept për jetën si djali plangprishës i Ungjillit. Ai pati pretenduar pjesën e tij të pasurisë e më në fund, e ndiente veten të lirë, dëshironte të jetonte pa peshën e detyrimeve të shtëpisë, dëshironte vetëm të jetonte. Të merrte nga jeta gjithçka mund t’i jepte ajo. Ta gëzonte plotësisht – të jetonte e vetëm të jetonte, duke u dehur me begatinë e jetës, pa humbur asgjë të çmuar që ajo mund t’i ofronte. Por, pas pak, u detyrua të bëhej rojtar derrash, duke i pasur madje zili ato kafshë – kaq bosh i dukej jeta e tij, kaq e kotë. Dhe e kotë ishte edhe liria e tij.
A nuk ndodh edhe sot kështu? – pyeste Joseph Ratzinger një ditë para Rrëshajëve 2006. Kur duam vetëm të kemi pushtet mbi jetën, ajo bëhet gjithnjë e më bosh, varfërohet gjithnjë e më shumë. Lehtësisht, njeriu kërkon ngushëllim me drogë, duke krijuar një iluzion të madh rreth vetes. E i lind dyshimi nëse, në fund të fundit, ia vlen vërtet të jetosh. Jo – përgjigjej Papa gjerman – në këtë mënyrë nuk e gjejmë jetën. Fjalët e Jezu Krishtit mbi jetën me begati i gjejmë në fjalimin ungjillor të Bariut të Mirë. Ato fjalë na propozohen në një kontekst të dyfishtë. Përsa i përket bariut, Jezusi na thotë se Ai jep jetën e vet. “Askush nuk mund të ma marrë jetën, por unë e jap prej vetes”, thotë Krishti në kreun 10 të Ungjillit sipas Gjonit (v. 18). Jetën e fitojmë vetëm duke e dhuruar; nuk e gjejmë në përpjekjen për t’u bërë zotër të saj. Këtë duhet të mësojmë nga Krishti e, këtë na mëson Shpirti Shenjt, që është dhuratë e pastër, është mënyra e Zotit për ta dhuruar vetveten. Sa më shumë e dhurojmë jetën për të tjerët, për vetë të mirën, aq më i begatë rrjedh lumi i jetës – përfundonte Benedikti XVI.