Kërko

DBR-ja e Australisë DBR-ja e Australisë

Çelësi i fjalëve të Kishës: liria e vërtetë nuk është ajo e tregut

Vijojmë ciklin me meditimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Sot, zgjodhëm mendimet e Joseph Ratzinger nga fjala në Ditën Botërore të Rinisë, në Sidnej të Australisë, më 17 korrik 2008

R.SH. – Vatikan

Ka diçka të dyshimtë në faktin që liria e toleranca ndahen kaq shpesh nga e vërteta – u thoshte Papa Ratzinger të rinjve të mbledhur në Sidnej, në festën e tyre të mirëseardhjes. – Kjo ushqehet nga ideja, sot tejet e përhapur, se nuk ka të vërtetë absolute, që e udhëheq jetën tonë. Relativizmi, duke i dhënë vlerë, praktikisht pa dallim, gjithçkaje, e ka bërë “eksperiencën” më të rëndësishme se gjithçka tjetër. Në realitet, eksperiencat, të ndara nga çdo lloj konsiderate mbi gjithçka është e mirë dhe e vërtetë, mund të na çojnë jo në lirinë e mirëfilltë, por në konfuzion moral e intelektual, në dobësimin e parimeve, në humbjen e autostimës e, madje, edhe në dëshpërim.

Të dashur miq, - u drejtohej të rinjve Benedikti XVI – jeta nuk qeveriset nga fati, nuk është e rastit. Jeta juaj personale është dashur nga Zoti, është bekuar prej Tij, që i ka dhënë asaj një qëllim të caktuar (shih Zan 1,28)! Jeta nuk është një radhë e thjeshtë faktesh a përvojash, sado të dobishme mund të jenë shumë prej ngjarjeve të saj. Ajo është kërkim i së vërtetës, i së mirës dhe i së bukurës. Pikërisht për këtë qëllim, marrim vendime, ushtrojmë lirinë tonë e në këtë – pra, në të vërtetën, në të mirën e në të bukurën – gjejmë lumturi e gëzim. Mos u gënjeni nga ata, që ju shohin thjesht si konsumatorë në një treg me mundësi pa fund, por të pazgjedhura, ku vetë përzgjedhja konsiderohet e mirë në vetvete, risia kontrabandohet si bukuri, përvoja subjektive zëvendëson të vërtetën.

Krishti ofron më shumë! – vinte në dukje Papa Ratzinger. – Madje, ofron gjithçka! Vetëm Ai, që është e vërteta, mund të jetë Rruga e, edhe Jeta! Kështu, “udha”, të cilën Apostujt e çuan deri në kufijtë më të largët të tokës është jeta në Krishtin. Është jeta e Kishës. Është hyrja në këtë jetë, në udhën e krishterë, është Pagëzimi.

30 nëntor 2023, 08:56