Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’është ligji natyral?
R.SH. – Vatikan
Është jashtë çdo dyshimi – u thoshte Papa pjesëmarrësve të Kongresit, ekspertë të moralit – se jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme zhvillimi të aftësive njerëzore për të deshifruar rregullat dhe strukturat e materies, gjë që sjell si pasojë mbizotërimin e njeriut mbi natyrën. Të gjithë i shohim avantazhet e mëdha të këtij përparimi, por shohim, gjithnjë e më tepër, edhe kërcënimin për shkatërrimin e natyrës, pikërisht, për shkak të veprimtarive tona. Ka një rrezik tjetër, më pak i dukshëm, por jo më pak shqetësues: metoda, që na lejon të njohim gjithnjë e më thellë strukturat racionale të materies, na bën gjithnjë e më pak të aftë ta shohim burimin e këtij racionaliteti, Arsyen krijuese, Zotin. Aftësia për të parë ligjet e ekzistencës materiale na bën të paaftë për të parë mesazhin etik, që përmbahet në këtë ekzistencë, mesazh që tradita e quan “lex naturalis”, ligj moral natyral. Kjo fjalë, për shumë njerëz sot, është e pakuptueshme, për shkak të një koncepti për natyrën, jo më metafizik, por vetëm empirik. Fakti që natyra, vetë ekzistenca, nuk është më transparente për një mesazh moral, krijon çorientim dhe i bën të pasigurta vendimet jetësore, që duhet të marrim përditë. Ky konfuzion, natyrisht, prek sidomos brezat më të rinj, që, në këtë kuadër, duhet të bëjnë zgjedhje themelore për jetën e tyre.
Pikërisht në dritën e këtyre konstatimeve, duket më urgjente se kurrë nevoja për të reflektuar mbi temën e ligjit natyral dhe për të gjetur të vërtetën e tij të përbashkët për gjithë njerëzit. Një ligj i tillë, të cilin e përmend edhe Shën Pali Apostull (shih Rm 2,14-15), është i shkruar në zemrën e çdo njeriu dhe, për pasojë, është edhe sot jo i lehtë për t’u kuptuar. Ky ligj ka si parim të parë e të përgjithshëm “të bësh mirë e të shmangësh të keqen”. Kjo është një e vërtetë, që i imponohet menjëherë secilit. Prej saj, rrjedhin parime të tjera më të veçanta, që rregullojnë gjykimin etik mbi të drejtat e detyrat e çdo njeriu. I tillë është parimi i respektit për jetën njerëzore nga zënia deri në fundin e saj të natyrshëm, pasi jeta nuk është pronë e njeriut, por dhuratë falas e Zotit. E tillë është edhe detyra për ta kërkuar të vërtetën, premisë e nevojshme për maturimin e mirëfilltë të çdo njeriu. Instancë tjetër themelore për çdo subjet është liria. Gjithsesi, duke pasur parasysh se liria njerëzore është gjithnjë liri e ndarë me të tjerët, është e qartë se harmonizimi i lirive mund të gjendet vetëm në çka është e përbashkët për të gjithë: në të vërtetën mbi njeriun, mesazh themelor i vetë ekzistencës, pra në “lex naturalis”.
E si të mos përmendim – vërente Benedikti XVI – nga njëra anë, kërkesën për drejtësi, që manifestohet duke i dhënë secilit të tijën (unicuique suum) e, nga ana tjetër, pritjen për solidaritet, që ushqen në secilin prej nesh, sidomos në më të nëpërkëmburin, shpresa për ndihmë nga ata, që kanë pasur një fat më të mirë? Në këto vlera, gjejnë shprehje norma të patjetërsueshme e të detyrueshme, që nuk varen nga vullneti i legjislatorit e as nga konsensusi i shteteve. Ato janë norma, të cilat i paraprijnë çdo ligji njerëzor: si të tilla, nuk pranojnë ndërhyrje të jashtëzakonshme e përjashtime nga askush – përfundonte Joseph Ratzinger, duke i dhënë një mesazh të qartë edhe botës politike.