Toka Shenjte: kard. Pizzaballa, ipeshkvijve evropianë, “dhuna e urrejtja sjellin veç shkatërrim”
R.SH. – Vatikan
"Ka shumë vuajtje dhe frikë në bashkësinë tonë të vogël të krishterë dhe në shoqëritë izraelite e palestineze, pasi dhuna dhe urrejtja sjellin vetëm shkatërrim". Patriarku latin i Jerusalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa i përgjigjet me këto fjalë një letre të kryetarit të Comece-së, imzot Mariano Crociata, dërguar atij në emër të ipeshkvijve të Bashkimit Evropian. Kardinali shpreh mirënjohjen për "afërsinë shpirtërore të ipeshkvijve evropianë dhe për përpjekjet e tyre në ndërgjegjësimin e bashkësisë ndërkombëtare". Në letrën drejtuar kardinalit Pizzaballa, kryetari i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece) shpreh shqetësimin e tij për "valën shkatërrimtare të dhunës, që ka shpërthyer në Tokën e Shenjtë", pas masakrës së civilëve izraelitë më 7 tetor.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga rrëfimi i përditshëm i tmerreve të kësaj lufte dhe lutemi për viktimat, familjet dhe bashkësitë e tyre”, shkruan imzot Crociata, duke shprehur solidaritetin dhe afërsinë e ipeshkvijve të BE-së "për gjithë njerëzit, që vuajnë". Imzot Crociata e falënderon kardinalin Pizzaballa, së bashku me patriarkët dhe krerët e tjerë të Kishave të Jerusalemit, për “angazhimin e tyre të palodhur në favor të paqes e të drejtësisë në Tokën Shenjte, vend i rëndësishëm për kaq shumë njerëz në mbarë botën. Në bashkim me Atin e Shenjtë, Papën Françesku – vijon imzot Crociata - vazhdojmë t'i kërkojmë bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, të bëjnë çdo përpjekje për të ndihmuar në qetësimin e situatës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe me të drejtat themelore të gjithë popujve të rajonit. Jemi gati të mbështesim përpjekjet e Kishave lokale për drejtësi dhe paqe në Tokën Shenjte, përmes misionit tonë të dialogut me institucionet e Bashkimit Evropian”.