Toka e Shenjtë, Pizzaballa: është koha për të ndaluar këtë luftë dhe këtë dhunë të pakuptimtë
R.SH. - Vatikan
E gjithë bota e shikon Tokën e Shenjtë si një vend që është shkak i vazhdueshëm i luftërave e përçarjeve dhe kjo është arsyeja pse bota u bashkua me ne në lutje më 17 tetor dhe, me vullnetin e Papa Françeskut, këtë do ta bëjë përsëri për një ditë të dytë lutjeje, të premten e ardhshme më 27 tetor. Kjo është në fakt ajo që ne të krishterët mund të bëjmë në këtë moment: të lutemi, të bëjmë pendesë, të ndërmjetësojmë. Këtë pohon kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jeruzalemit, në një letër dërguar besimtarëve të dioqezës së tij.
Gjithçka duket se flet për vdekje dhe urrejtje
"Ne po kalojmë një nga periudhat më të vështira dhe më të dhimbshme të historisë tonë të fundit". shkruan Pizzaballa. “Për më shumë se dy javë ne jemi zhytur në imazhe të tmerreve, që kanë rizgjuar trauma të lashta, kanë hapur plagë të reja dhe kanë shkaktuar dhimbje, zhgënjim dhe zemërim brenda nesh” dhe rreth nesh shumë “duket se flet për vdekje dhe një urrejtje të pafund". “Ka shumë mendime që na kalojnë nëpër mendje, duke na rritur ndjenjën e hutimit”, vazhdon kardinali Pizzaballa, dhe “në këtë rropamë ku zhurma shurdhuese e bombave përzihet me zërat e shumtë të vuajtjes”, është e nevojshme ta kujtojmë dhe të kthehemi te Ungjillin.
Sulmi ndaj Izraelit është i papranueshëm
Duke përsëritur nevojën për t'i "i dhënë Cezarit atë që është e Cezarit dhe Zotit atë që është e Zotit", kardinali Pizzaballa thekson se është ndërgjegjja dhe detyra e tij morale "të deklarojë qartë se çfarë ndodhi më 7 tetor në Izraelin jugor", me sulmet e Hamasit që vranë qindra civilë, "në asnjë mënyrë nuk është e pranueshme dhe ne vetëm mund ta dënojmë atë". "Nuk ka asnjë arsye për një mizori të tillë", tha ai, "dhe ne kemi për detyrë ta pohojmë dhe denoncojmë atë". “Përdorimi i dhunës nuk përkon me Ungjillin dhe nuk çon në paqe”, sepse, “jeta e çdo njeriu ka një dinjitet të barabartë përpara Zotit, i cili na krijoi të gjithëve sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së tij”.
Stop bombardimeve në Gaza
“E njëjta ndërgjegje”, shton Patriarku Latin i Jeruzalemit, “me një peshë të madhe në zemrën time, më shtyn sot të them me të njëjtën qartësi se ky cikël i ri i dhunës ka çuar në mbi pesë mijë vdekje në Gazë, duke përfshirë shumë gra dhe fëmijë, ka çuar në dhjetëra mijëra të plagosur, lagje të rrafshuara me tokë, ka çuar mungesë ilaçesh, uji dhe të gjëra më themelore për mbi dy milionë njerëz. Është fjala për tragjedi që nuk kuptohen dhe që ne kemi për detyrë t'i denoncojmë dhe dënojmë pa rezerva. Bombardimet e vazhdueshme dhe të rënda që kanë goditur Gazën prej ditësh vetëm do të shkaktojnë më shumë vdekje e shkatërrime dhe vetëm do të rrisin urrejtjen e pakënaqësinë. Nuk do të zgjidhin asnjë problem, por do të krijojmë probleme të reja”.
Një perspektivë e qartë dhe e sigurt kombëtare për Palestinën
“Është koha për të ndaluar këtë luftë, këtë dhunë të pakuptimtë”, thotë Patriarku i besimtarëve katolikë të ritit latin të Jerusalemit Pizzaballa. "Vetëm duke i dhënë fund pushtimit prej dekadash e pasojave të tij tragjike, dhe duke i dhënë një perspektivë të qartë e të sigurt kombëtare popullit palestinez, mund të fillohet një proces serioz paqeje", pohon ai. “Nëse ky problem nuk zgjidhet në rrënjë, nuk do të ketë kurrë stabilitet për të cilin të gjithë shpresojmë. Tragjedia e këtyre ditëve duhet të na çojë të gjithëve, besimtarë, fetarë, politikanë, shoqërinë civile, komunitetin ndërkombëtar, në një angazhim më serioz se sa është bërë deri tani. Vetëm kështu do të mund të shmangim tragjedi të tjera si kjo që po përjetojmë. Ia kemi për detyrë viktimave të shumta të këtyre ditëve dhe atyre të viteve të kaluara”, vijon Pizzaballa dhe “nuk kemi të drejtë t’ua lëmë këtë detyrë të tjerëve”.