Kërko

Vangelo della XXIX domenica dell'Anno 'A' Vangelo della XXIX domenica dell'Anno 'A'

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXIX të vitit liturgjik ‘A

...Ti, o Jezus, nuk u jep asnjë shteg/atyre, që nuk duan të paguajnë taksat,/atyre që, me pretekstin se po bëjnë bamirësi,/nuk duan ta respektojnë drejtësinë./Dishepujt e tu i fton të jenë qytetarë të ndershëm,/të përgjegjshëm, si gjithë të tjerët,/të respektojnë qytetin e njerëzve dhe institucionet e tij,/ funksionimin e shtetit, të cilit i përkasin...

R.SH. - Vatikan

Ndarja e botës shekullare nga ajo kishtare dhe respekti për bashkësinë në të cilën jeton çdo i krishterë, janë në qendër të Ungjillit të kësaj të diele të XXIX të gjatë vitit liturgjik A. Fragmenti i Ungjillit nga Mateu (Mt 22, 15-21) këtë të diele na propozojnë temën e marrëdhënies ndërmjet fesë e pushtetit politik, të marrëdhënies sonë me Zotin e me Cezarin apo Mbretin, temë që është aktuale edhe për ne sot.

Çdo njeri është “shëmbëllesë e Zotit”, Atij vetëm duhet ti shërbejmë, Atij vetëm duhet t’ia dhurojmë veten tonë. Autoriteteve njerëzore le t’u japim tatime e t’u paguajmë taksa, mirëpo duhet të ruajmë dinjitetin, ndërgjegjen dhe lirinë tonë të plotë për t’i shërbyer vetëm e vetëm Zotit. Pjesa e Ungjillit të kësa së diele na mëson se edhe pushteti civil mund e madje duhet të shërbejë për të mirën e përbashkët, për mirëqenien morale, shpirtërore e materiale të të gjithëve. Shoqëria e pushteti civil duhet të respektohen dhe t’u bindemi ligjeve të drejta të shtetit. Kemi përgjegjësinë tonë edhe ndaj shtetit, por pa kompromise, pa flijuar vlerat etike e shpirtërore. 

Pjesa, që ju ftojmë ta ldëgjoni, është marrë nga kreu 22 i Ungjillit sipas Mateut (Mt 22, 15-21) e flet për pagesën e tatimeve perandorit romak:

15 Në atë kohë, farisenjtë u ndanë mënjanë dhe u këshilluan si ta zënë Jezusin gabim në fjalë. 16 Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë e mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush: ti nuk këqyr ç’pozitë kanë njerëzit! 17 Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatimi apo jo?” 18 Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha: “Shtiracakë, pse po më sprovoni? 19 Ma tregoni monedhën e tatimit!” 20 Ata ia sollën një denar. “E kujt është - u tha - kjo fytyrë e ky mbishkrim?” 21 “E Cezarit!” - iu përgjigjën ata. Atëherë Jezusi u tha: “Jepini, pra, Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit”.

Të lutemi së bashku:

Ne të krishterët, kërkojmë më kot

rrugë të tërthorta, që të na lejojnë

të mos e kryejmë detyrën, që na takon:

Ti, o Jezus, nuk u jep asnjë shteg

atyre, që nuk duan të paguajnë taksat,

atyre që, me pretekstin se po bëjnë bamirësi,

nuk duan ta respektojnë drejtësinë.

 

Dishepujt e tu i fton të jenë qytetarë të ndershëm,

të përgjegjshëm, si gjithë të tjerët,

të respektojnë qytetin e njerëzve dhe institucionet e tij,

funksionimin e shtetit, të cilit i përkasin.

 

Askush nuk mund të ndihet i autorizuar

t’i heqë diçka bashkësisë për t’ia dhënë Kishës.

E megjithatë, Ti nuk ndalesh këtu:

ndërsa kërkon të jemi të saktë ndaj Cezarit,

na nxit të sillemi njëlloj edhe me Atin tënd.

 

Me të vërtetë, ndërsa përdorim të mirat

që na jepen nga bashkësia ku jetojmë

si mund të harrojmë

gjithçka na besoi Zoti

me dashurinë e Tij pa kufi?

Duke filluar nga vetë jeta,

nga ditët, që na jepen dhuratë,

nga burimet e nga aftësitë, që mund të përdorim,

gjithçka vjen prej Tij: talente të çmuara

të destinuara të jenë pasuri për të gjithë

dhe të zgjojnë mirënjohje në gjithëkënd.

21 tetor 2023, 09:14