Pizzaballa: bombardimi i Gazës nuk është zgjidhje
R. SH. - Vatikan
Zemra e Kardinalit të Tokës Shenjte pikon gjak! Zemër e plasun nga dhimbja për mijëra viktima, që shtohen çdo ditë e më shumë. Por edhe zemër e ndarë më dysh, “sepse në bashkësinë e tij ka palestinezë dhe izraelitë. T’i mbash të bashkuar në këtë çast, është vërtet shumë e ndërlikuar”. Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jeruzalemit, në një intervistë për mediat e Vatikanit, flet për shqetësimin e tij në rritje. Kujton se e ka gjithnjë e më të vështirë ndërmjetësimin për të dyja palët e përfshira edhe se "duhenë përpjekje, mbasi nuk mund të heqësh dorë" Përpjekjet për paqe sigurisht që nuk mund të lihen mënjanë.
Gaza, tragjedi e madhe
Në sytë dhe mendjen time është tragjedia e Gazës, me skena që nuk do të mund t'i fshij kurrë nga kujtesa. Prekem në shpirt, kur kujtoj listën e të vdekurve, mbi 5000 vetë, ndërmjet të cilëve, shumë gra dhe fëmijë. E pastaj, lagjet e rrafshuara nga bombardimet, ku nuk ka mbetur asgjë, as ujë, as ushqim, as rrymë elektrike. Një situatë që nuk e kuptoj dot - pohon - e kam shkruar edhe në një letër drejtuar besimtarëve të dioqezës sime. Bombardimet nuk do të çojnë kurrë në ndonjë zgjidhje - pohoi me forcë.
Hapini korridoret humanitare
Mbyllja totale e Rripit të Gazës, ku dy milionë njerëz janë të bllokuar pa mundur të plotësojnë as nevojat më themelore, e shtyn Kardinalin Pizzaballa të bëjë me forcë thirrje për "hapjen e korridoreve humanitare, që lejojnë trajtimin e të plagosurve dhe hyrjen e kamionëve të ndihmave. Në fund të fundit, ata dy milionë njerëz nuk janë të gjithë ndjekës të Hamasit”. Kardinali përsërit: “Ne e dënuam atë që bëri Hamasi në Izraelin jugor, ato janë mizori pa asnjë justifikim. Por përgjigja për këtë nuk mund të jetë të vdekja nga uria e dy milionë njerëzve”.
Frika për të krishterët
Zemra e Pizzaballa-s rreh edhe për fatin e të krishterëve të Gazës, të strehuar në dy famulli të ndryshme, në atë latine të Familjes së Shenjtë dhe atë greke ortodokse të Shën Porfirit, kjo e fundit, objekt i disa bombardimeve. “Kontaktet me ta - kujton - janë të përditshme. Nëpërmjet organizatave humanitare - vijon - përpiqemi t'i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë. U kemi përshkruar autoriteteve vendndodhjen e saktë të bashkësive tona, për të shmangur tragjedi të mëtejshme. Kaq! Mbasi tani për tani nuk mund të bëjmë më shumë”.
Pengjet, heshtje e nevojshme
Kardinali është i bindur se historia e pengjeve izraelite në duart e Hamasit është një pikë qendrore në të gjithë luftën, sepse e ardhmja e afërt e Gazës është gjithashtu në rrezik për këtë. “Shumë kanale, shumë subjekte – kujton – po punojnë për të tentuar ndërmjetësimin. Por le t'i lëmë të punojnë: sa më pak të flasim për këtë, aq më lehtë do të jetë të arrijmë në një përfundim."
Të afërt, por të ndryshëm
Duke parë në perspektivë, Patriarku pohon fuqishëm se “paqja duhet kërkuar me çdo kusht. Pa e ngatërruar paqen me fitoren”. Për të arritur stabilitet - shpjegon Kardinali - të dyja palët do të duhet të humbasin diçka. Nuk ka gjasa që izraelitët dhe palestinezët të jenë në gjendje të jetojnë së bashku, por ata do të duhet ta bëjnë këtë duke qëndruar pranë njëri-tjetrit, ndonëse të dallueshëm. Dhe ne duhet të krijojmë kushtet që kjo të ndodhë sa më shpejt”.