Kërko

Nagorno-Karabak, thirrje e CCEE-së për përballimin e emergjencës humanitare

Presidenca e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) bashkohet me thirrjet e Papës për një "zgjidhje me dialog" në rajonin, qendër konflikti, duke iu drejtuar bashkësisë ndërkombëtare: "Garantoni sigurinë e rreth 100 mijë njerëzve të zhvendosur dhe të drejtën e tyre për të qëndruar në tokat ku janë rritur; të mbikqyret edhe trashëgimia artistike e krishterë"

R.SH. – Vatikan

Duke parë me shqetësim emergjencën humanitare në Nagorno-Karabak, presidenca e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) bashkohet me thirrjet e vazhdueshme të Papës për "një zgjidhje me dialog në rajonin, i cili prej kohësh, është qendër konflikti”. Njëkohësisht, i kërkon bashkësisë ndërkombëtare "të lehtësojë emergjencën humanitare të qindra mijëra refugjatëve".

Rreth 100 mijë të shpërngulur

Sipas të dhënave të fundit, lexojmë në një notë të CCEE-së, rreth 100 mijë armenë etnikë janë larguar nga Nagorno-Karabaku. Rajoni, i kontrolluar nga Azerbajxhani, por me popullsi të shumënumërt armene, ka qenë objekt mosmarrëveshjesh ndërkombëtare për rreth tridhjetë vjet, duke vënë në rrezik edhe trashëgiminë e krishterë në rajon. Pas konfliktit të vitit 2020, që pati çuar në një paqe të dhimbshme për Armeninë, e cila humbi kontrollin mbi disa manastire historike, për muaj të tërë, korridori i Laçinit, e vetmja rrugë lidhëse ndërmjet kryeqytetit të Nagorno-Karabakut, Stepanakert, dhe kryeqytetit armen, Jerevan, u bllokua nga aktivistët, duke krijuar një krizë të parë humanitare. Javët e fundit, Azerbajxhani filloi një "operacion anti-terrorizëm" në rajon, i cili shkaktoi eksodin e të gjithë armenëve etnikë. Mbi 100.000 vetë janë larguar nga toka e lashtë e Artsakh-ut.

Thirrja e ipeshkvijve

Ipeshkvijtë e Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës "e shohin me shqetësim këtë tragjedi humanitare" dhe "në bashkim me Papën Françesku, bëjnë thirrje për dialog ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke shpresuar që bisedimet ndërmjet palëve, me mbështetjen e Bashkësisë Ndërkombëtare, të favorizojnë një marrëveshje të qëndrueshme, duke i dhënë fund çështjes humanitare”. Gjithashtu, CCEE-ja kërkon të "mbikqyret trashëgimia e krishterë në Nagorno-Karabak". Sipas një rezolute të Parlamentit Evropian, që mban datën 10 mars 2022, 1456 monumente armene kaluan nën kontrollin e Azerbajxhanit, pas armëpushimit të vitit 2020. Ishin të dëmtuara që gjatë luftës.

Zgjidhje me bisedime për popullsinë

Prelatët shpresojnë që "përgjegjësit ndërkombëtarë të gjejnë një zgjidhje me bisedime, që garanton sigurinë e njerëzve të shpërngulur dhe të drejtën për të qëndruar në tokat, ku janë rritur me traditat e tyre". CCEE-ja kërkon gjithashtu "të respektohen rezolutat ndërkombëtare, të cilat kërkojnë hyrjen e lirë në korridorin e Laçinit", Ipeshkvijtë evropianë e bëjnë të qartë se “emergjenca humanitare duhet të zgjidhet me vendime, që kanë në qendër njeriun dhe jo interesin politik”.

05 tetor 2023, 17:12