Kërko

Vangelo la parabola della vigna Codex aureus Epternacensis XI secolo Vangelo la parabola della vigna Codex aureus Epternacensis XI secolo

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXVII të vitit liturgjik 'A'

...E kështu, mendojmë se jemi ne zotët e çdo gjëje;/ me të drejta të plota,/prandaj mendojmë se ne na takojnë frytet e gjithçkaje që Ti, Jezus na ke besuar./E, megjithatë, nuk është aspak kështu./jemi vreshtarë, jo pronarë të vreshtit./E një ditë, do të japim llogari/për arrogancën tonë,,/për frytet që Ti, o Jezus, me të drejtë/prisje prej nesh./ Një ditë, do të japim llogari/për traditën e fesë në të cilën kemi lindur,/për thesaret që kemi pasur/ krejt afër, në duart tona..../

R.SH. - Vatikan

Në Ungjillin e kësaj së diele të 27-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë 'A',  nga Mateu, Jezu Krishti tregon shëmbëlltyrën e vreshtarëve vrasës. E bën këtë, duke e ditur se e priste vdekja, për t’i paralajmëruar meshtarët dhe krerët e popullit se po ndërmerrnin një udhë të gabuar. Figura e vreshtit  përfaqëson popullin, që Zoti e zgjodhi dhe e formoi me kujdes të madh; shërbëtorët e dërguar nga pronari i vreshtit janë profetët e dërguar nga Zoti, ndërsa i biri është figura e Jezu Krishtit. E, ashtu si u refuzuan profetët, ashtu edhe Krishti u refuzua dhe u vra.

Në fund të shëmbëlltyrës, Jezusi, pasi kishte treguar sesi fshatarët vranë shërbëtorët dhe të birin e të zotit të vreshtit, pyet krerët e popullit se ç’duhej të bënte ky pronar me fshatarët. E ata, i përgjigjen se duhej të dënoheshin e vreshti t’u besohej fshatarëve të tjerë, të cilët duhej t’i dorëzonin prodhimin të zotit. Jezusi paralajmëron vetëm njerëzit e atëhershëm. Ai u flet njerëzve të të gjitha kohrave, edhe ne, pasi edhe sot, Zoti pret frytet e vreshtit të Tij nga ata, që ka dërguar të punojnë në të.

Kështu, Ungjilli i Mateut paralajmëron meshtarët e krerët e popullit se po gabojnë udhë në përpjekjen për ta çuar Jezu Krishtin drejt vdekjes. Biri i Zotit - Jezu Krishti ua thotë këtë me anë të shëmbëlltyrës së vreshtarëve gjakësorë, marrë nga kreu 21 i shën Ungjillit sipas Mateut, të ndjekim një fragment:

Në atë kohë, Jezusi u tha kryemeshtarëve dhe krerëve të popullit: 33 “Dëgjoni shëmbëlltyrën tjetër: Ishte një zotshtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj. 34 Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. 35 Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. 36 Prapë dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu. 37 Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ 38 Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ 39 E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë. 40 Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?” 41 Iu përgjigjën: “Të këqijtë do t’i zhbijë keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave”. 42 Jezusi u tha: “A nuk e lexuat asnjë herë në Shkrimin Shenjt: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit

u bë guri i këndit; kjo është vepër e Zotit, se ç’mrekulli në sytë tanë!’ 43 Prandaj - po ju them - juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saja!”.

Të lutemi së bashku

E konsiderojmë të mirëqenë gjithçka o Jezus:

i mirëqenë hiri yt

mundësia, që na jep

për të pasur një jetë të re,

shndërruar nga dashuria Jote;

e mirëqenë edhe fjala jote, që është dritë për hapat tanë,

urti e çmuar për kë kërkon udhën e jetës;

të mirëqena edhe dhuratat, që na bën,

duke filluar nga talentet e dijet

që na ke vënë në duar.

 

E kështu, mendojmë se jemi ne zotët e çdo gjëje;

qytetarë me të drejta të plota në botën e re, që Ti e përgatit,

me merita – pse jo – për ne janë fjalët e Tua,

pandaj mendojmë se ne na takojnë frytet e gjithçkaje na ke besuar.

 

E, megjithatë, nuk është aspak kështu.

jemi vreshtarë, jo pronarë të vreshtit.

E një ditë, do të japim llogari

për arrogancën tonë,

për sa na është dhënë

që të gjithë të përfitonin,

për frytet që Ti, me të drejtë

prisje prej nesh.

Një ditë, do të japim llogari

për traditën e fesë në të cilën kemi lindur,

për thesaret që na janë transmetuar,

për çdo të mirë që e kemi pasur

krejt afër, në duart tona.

 

07 tetor 2023, 13:39