Kërko

Conferenza Episcopale dell'Albania KISH Conferenza Episcopale dell'Albania KISH

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë fillon punimet në Tiranë

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e LXIX e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, sot dhe nesër në Tiranë, takim mbi përvojën sinodale, qoftë në nivel vendor qoftë në nivel universal, mbi përvojën e ditës botërore të rinisë në Lisbonë dhe çështje tjera të rëndësishme për jetën e Kishës katolike në Shqipëri si Seminari për formimin e meshtarëve të ardhshëm, baritorja rinore apo edhe jeta sakramentale e bashkësive të ndryshme etj.

R.SH. / Vatikan

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e LXIX e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, sot dhe nesër në Tiranë, takim mbi përvojën sinodale, qoftë në nivel vendor qoftë në nivel universal, mbi përvojën e ditës botërore të rinisë në Lisbonë dhe çështje tjera të rëndësishme për jetën e Kishës katolike në Shqipëri si Seminari për formimin e meshtarëve të ardhshëm, baritorja rinore apo edhe jeta sakramentale e bashkësive të ndryshme etj. Po hollësisht të ndjekim njoftimin e zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dom Mark Pashkja:

Dom Mark Pashkja

Në ambientet e Selisë së Konferencës Ipeshkvore filloi punimet Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e LXIX e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Punimet do të zhvillohen në datat 30-31 tetor 2023. Pjesë e këtyre punimeve janë edhe Imzot Rrok Gjonlleshaj, arqipeshkëv i Tivarit dhe Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i dioqezës Prizren-Prishtinë. Siç është traditë tashmë, fillimet e punimeve pritet t’i përshëndesë edhe Sh.T. Imzot Luigi Bonazzi, Nunci Apostolik i Shqipërisë.

Ndër argumentet që priten të diskutohen në këtë takim janë, përvoja sinodale qoftë në nivel vendor qoftë në nivel universal, ku Kisha Shqiptare ishte e përfaqësuar me dy ipeshkvij: Imzot Arjan Dodaj, arqipeshkëv i Tiranë-Durrës si përfaqësues i Konferencës dhe Imzot Gjergj Meta në nivel eksperti.

Do të trajtohet dhe diskutohet po ashtu edhe mbi përvojën e ditës botërore të rinisë ngjarje në të cilën Shqipëria mori pjesë në një numër jo të vogël. Ishin më shumë se 150 të rinjtë pjesëmarrës në këtë ngjarje. Përvoja e kaluar atje dhe aktualizimi në baritoren e përditshme të Kishës vendore i mësimeve të Papës në Lisbonë do të jetë në qendër të vëmendjes.

Një analizë e detajuar e punës së institucioneve që janë direkt në varësi të Konferencës do të jetë pjesë përbërëse e punës së barinjve të Kishës në këto ditë të punimeve të asamblesë. Realitetet e tilla kishtare si Seminari, baritorja rinore apo edhe jeta sakramentale e bashkësive të ndryshme kishtare, pritet të analizohen dhe diskutohen me mjaft interes nga Ipeshkvijtë e Kishës në Shqipëri.

Itineraret katekumenale, në një kontekst si vendi ynë, ku ecja pagëzimore përbën një interes jo të vogël, do të diskutohen e trajtohen në mënyrë të kujdesshme, për të gjetur mënyra sa më efikase për t’iu ardhur në ndihmë katekumenëve dhe atyre që dëshirojnë të përqafojnë krishterimin.

Dom Mark Pashkja

Zëdhënës i KISH.

 

30 tetor 2023, 14:50