Kard. Pizzaballa: dhimbje e madhe goditja e kishës ortodokse në Gaza
R. SH. - Vatikan
Në qytetin e Gazës nuk ka më vende të sigurta. Sulmohet nga të katër anët. Në veçanti, të premten në mbrëmje, një sulm i kryer nga forcat ajrore izraelite, shkatërroi njërën nga ndërtesat e kishës ortodokse greke të Shën Porfirit. Të paktën 18, viktimat, ndërsa 10 të tjerë janë ende nën rrënoja. Shumë të plagosur u dërguan në famullinë katolike të Familjes Shenjte në Gaza, "mbasi ndër spitale nuk ka më vend " - pohon famullitari, Atë Gabriel Romanelli. Më se 500 njerëz u mirëpritën në kishën katolike, në Gaza. Prania e më shumë se 50 fëmijëve me aftësi të kufizuara, të moshuarve shumë të sëmurë dhe të plagosurve, përfshirë edhe ata që i mbetën gjallë pas bastisjes që shkatërroi një pjesë të kishës ortodokse të Shën Porfirit, e bëjnë edhe më kritike situatën.
Kard. Pizzaballa: bashkësia katolike ka vendosur të qëndrojë
Patriarku latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, në një intervistë dhënë Tg2000, nënvizoi se lajmi për shkatërrimin e një pjese të kishës së Shën Porfirit u prit me "dhimbje të madhe". Dhimbje e atyre familjeve, që vuajnë prej prej kohësh! Ne jemi me ta. Lutemi me ta, që kjo situatë të përfundojë sa më shpejt. Shpresojmë se kush merr vendime, do të nisë edhe të arsyetojë. Lufta dhe bombat nuk i zgjidhin kurrë problemet, përkundrazi krijojnë gjithmonë të reja”. Patriarku latin i Jeruzalemit kujton se bashkësia katolike në Gaza "është informuar për gjithçka dhe ka vendosur të qëndrojë". “Para së gjithash sepse nuk di ku të shkojë e, më pas, sepse e di që asnjë skutë në Rripin e Gazës nuk është e sigurt”. “Pavarësisht nga të gjitha - thekson Kardinali - besimi i tyre mbetet i patundur”. Nuk tronditet “as nga bombat e as nga vdekja”.
Goditen objektivat e Hezbollahut në kufirin me Libanin
Në terren situata mbetet kritike. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë ka kërkuar ndërkohë që të evakuohen shumë nga shkollat e saj në Gaza. Ushtria izraelite konfirmoi gjithashtu se goditi "objekte të shumta të Hamasit" gjatë natës dhe se kreu një sërë sulmesh kundër ndërtesave të shumta të Hezbollahut në kufirin me Libanin. Gazeta “Haaretz”, më në fund, raporton se dy shtetaset amerikane të liruara nga Hamasi, të marrë peng gjatë sulmit të 7 tetorit, mbërritën në Izrael. Janë Judith Tai Raanan dhe vajza e saj, Natalie Raanan.