Ipeshkvijtë e Goricies, Triestes dhe Koperit: kufijtë, vende për paqen
R.SH. – Vatikan
"Lajmet tragjike, që vijnë nga Toka e Shenjtë, sjellin edhe ndërmjet nesh pasojat e asaj, që në vitin 2014, në Redipuglia, Papa Françesku e quajti ‘Luftë III Botërore pjesë-pjesë’". Kështu fillon deklarata e përbashkët, që mban firmat e kryeipeshkvit të Goricies, imzot Carlo Roberto Maria, të ipeshkvit të Triestes, imzot Enrico Trevisi dhe të ipeshkvit të Koperit, imzot Jurij Bizjak, të cilët mbajnë qëndrim për çështjen e kufijve ndërmjet Italisë dhe Sllovenisë, që konsiderohen sërish "si vende për t'u kontrolluar".
Ndarjet, që shndërrohen në pasurim të ndërsjellë
“Megjithëse i kuptojmë arsyet, në bazën e vendimeve të këtyre shteteve - shkruajnë prelatët - nuk mund të mos kujtojmë, duke parë historinë e trojeve tona, se popullsitë i kanë shndërruar ndarjet dhe dallimet kulturore, gjuhësore dhe historike në raste kujtimi, dhuruar reciprokisht njëra-tjetrës”. Tre ipeshkvijtë vënë në dukje se "pikërisht kufijtë janë shndërruar në vende takimi dhe pasurimi të ndërsjellë", aq sa u vendos që qyteti i Nova Goricës (ana sllovene) së bashku me Goricien (ana italiane) të zgjidhen si Kryeqytet evropian i Kulturës 2025.
Të thirrur, për të dëshmuar mikpritjen
Prandaj, ipeshkvijtë e Goricies, Triestes dhe Koperit bëjnë thirrje që "kalimi i shumë vëllezërve, të cilët mbërrijnë në tokat tona duke ndjekur rrugën ballkanike, të vazhdojë të jetë për ne jo shkak shqetësimi, por stimul për të dëshmuar çdo ditë, pa ndërprerje dhe me hov të ri diakoninë e mikpritjes, për të cilën jemi të thirrur dhe për të cilën, si besimtarë, do të japim llogari”. Deklarata përfundon me lutjen drejtuar “Shën Marisë, mbretëreshë e paqes" që t’i ndihmojë popullsitë, nga të dyja anët e kufirit italo-slloven, të angazhohen për paqen.
Kontrollet kufitare ndërmjet Italisë dhe Sllovenisë
Kontrollet në kufi, vendosur nga qeveria italiane, rifilluan në orën 14 të së shtunës, 21 tetor, pas ngjarjeve në Izrael e Palestinë, veçanërisht, pasi një tunizian vrau në Bruksel, më 16 tetor, dy shtetas suedezë, duke deklaruar se donte “të hakmerrej për myslimanët”, si edhe pas alarmeve për atentat në Francë. Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, deklaroi se masa është e përkohshme. Aktualisht, 350 agjentë, që u dërguan në rajonin Friuli-Venezia Giulia, janë shpërndarë ndërmjet 22 vendkalimeve. Kontrollet janë parashikuar për 10 ditë, me mundësi zgjatjeje deri në 6 muaj. Dhjetë vende në Evropë kanë rifilluar kontrollet doganore në kufijtë e tyre, për shkak të situatës aktuale.