Kërko

Imzot Simon Kulli në vizitë baritore Imzot Simon Kulli në vizitë baritore

Imzot Simon Kulli për vizitë baritore në famullinë e Shën Kollit, Vau i Dejës

Me temën “Të ecim së bashku”, ipeshkvi i Sapës kreu një vizitë baritore në famullinë e Shën Kollit, në Vaun e Dejës. Imzot Simon Kulli shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e secilit prej besimtarëve, që impenjohet për të mirën e përbashkët

R.SH. – Vatikan

 Ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, vijon vizitat e tij baritore në famullitë e dioqezës. Kësaj radhe, ai shkoi në famullinë e Shën Kollit në Vaun e Dejës. Siç njofton Violeta Marashi, tema e kësaj vizite ishte “Të ecim së bashku” e si gjatë meshës, ashtu edhe gjatë takimeve të ndryshme, ipeshkvi e vuri në dukje këtë bashkëpunim me besimtarët, në favor të së mirës së përbashkët. “Është bukur të bashkëpunojmë si famulli me të gjitha hallkat e saj – nënvizoi imzot Simon Kulli - të bashkëpunojmë edhe në bashki, në qendrën shëndetësore dhe në shkollë për të mirën e komunitetit ku jetojmë”. Më hollësisht, të dëgjojmë Violeta Marashin…

Dëgjo Violeta Marashin...
Imzot Simon Kulli në vizitë baritore
Imzot Simon Kulli në vizitë baritore

                                                                                                 VIZITA BARITORE NË VAU DEJËS

Në kuadër të Vizitës Baritore që Ipeshkvi i Sapës po zhvillon që nga janari i këtij viti në dioqezën e tij, gjatë këtyre ditëve të tetorit, ai zhvilloi Vizitën baritore të radhës në famullinë e “Shën Kollit” në Vau Dejës. Nën organizimin e famullitarit dom Kastriot Gjokës dhe Bashkësisë së Motrave Dorote, kjo vizitë baritore që mbart temën “Të ecim së bashku”, startoi me kremtimin e Meshës Shenjte në Katedralen e Nënë Terezes. Në emër të bashkësisë famullitare të Shën Kollit, famullitari i uroj mirëseardhjen Ipeshkvit të Sapës, ku e vlerësoi shumë këtë vizitë e cila ka për qëllim prekjen nga afër të realiteteve të famullisë nga ipeshkvi, njohjen me këto realitete si dhe shtytjen përpara kësaj famullie.

Gjatë kësaj vizite baritore, ipeshkvin e kanë shoqëruar famullitari i kësaj famullie: Dom Kastriot Gjoka, Motër Tina dhe Motër Drande.

Sipas programit të mirëpërgatitur, Ipeshkvi është takuar me fëmijët e katekizmit, sidomos me grupet e kungimit të parë dhe të krezmimit. Është takuar me rininë, katekistat, korin e ministrantat. Po ashtu ka vizituar edhe disa familje të varfëra si dhe persona të moshuar dhe Persona me Aftësi Ndryshe

Ka vizituar dhe komunitetet e Motrave Dorote dhe Motrave të Shtëpisë së Bamirësisë, stafin e karitasit dioqezan dhe vullnetarëve e tij, Legjionin e Marisë të kësaj famullie, si dhe kopshtin e fëmijëve: “Gianluca Felici” në Fang, të cilët të gjithë sipas karizmës së tyre dhe misionit, janë një vlerë e çmuar në jetën e besimtarëve të kësaj famullie.

Për ta plotësuar kuadrin e kësaj vizite baritore, ipeshkvi ka takuar edhe Kryetarin e bashkisë Vau Dejës, me stafin e tij, ka bërë vizitë edhe tek qendra shëndetësore si dhe tek shkolla: “Imzot Lucian Avgustini”.

Në secilin prej këtyre realiteteve që ka vizituar, ipeshkvi ka theksuar “ecjen së bashku”, duke shprehur edhe falenderimin dhe mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e secilit që punon dhe shërben në të mirën e përbashkët. Bashkë jemi më të sigurtë, më të fortë dhe më të motivuar për të ecur përpara në realizimin e projekteve të jetës tonë – ka thënë Imzot Simoni. Është bukur të bashkëpunojmë së bashku si famulli me të gjitha hallkat që i ka famullia; të bashkëpunojmë së bashku edhe në bashki, në qendër shëndetësore dhe në shkollë për të mirën e komunitetit ku jetojmë. Si strukturat shtetërore për të mirën e përgjithshme ashtu edhe strukturat fetare për të mirën shpirtërore janë një gërshëtim më së miri në shërbim të këtij komuniteti. Gjithashtu, ipeshkvi tregoi gatishnërinë e tij për çdo nevojë në mbarëvajtjen e famullisë.

Një falenderim i përzemërt i është dhënë atij me meshën përmbyllëse të kësaj vizite baritore, ku gjatë këtij kremtimi i është dhuruar edhe një kazul, si shprehje gëzimi dhe mirënjohjeje e pranisë së Imzot Simon Kullit gjatë këtyre ditëve në famullinë e Shën Kollit.

20 tetor 2023, 15:11