Imzot Kulli në takimin me njerëzit me aftësi ndryshe
R.SH. - Vatikan
Të organizuar nga Karitasi dioqezan i Sapës, njerëzit me aftësi ndryshe të kësaj dioqeze u takuan të shtunën, më 21 tetor, në qendrën e lutjes se etërve dhe motrave karmelitane në Karmel-Nënshat. Kulmi i veprimtarisë qe mesha e kremtuar nga ipeshkvi, imzot Simon Kulli, i cili mori pjesë në këtë veprimtari në kuadrin e vizitës baritore, që po bën prej kohësh nëpër famullitë e dioqezës, me temë “Të ecim së bashku”. Imzot Kulli u kujtoi të pranishmëve vizitën e tij tek Papa Françesku, para tri javësh, gjatë së cilës i tregoi edhe për kujdesin ndaj njerëzve me aftësi ndryshe, duke marrë bekimin e Atit të Shenjtë për këtë mision. Më hollësisht, na njofton Violeta Marashi…
TAKIMI I PERSONAVE ME AFTËSI NDRYSHE
Këtë të shtunë, 21 tetor 2023, Caritas Dioqezan Sapa, organizoi aktivitetin e radhes me Personat me Aftësi Ndryshe në qendrën e lutjes pranë bashkësisë së Etërve dhe Motrave Karmelitane në Karmel -Nënshat.
Të organizuar sipas famullive të kësaj dioqeze, personat me aftësi ndryshe u bashkuan në Kishën e Shën Mëhillit dhe Familjes së Shenjtë, ku si fillim e lutën Zotin me Rruzaren e Shenjtë, duke i kërkuar ndihmën dhe dorën e tij mbi jetën e tyre me plot sakrifica për shkak të aftësive që ju mungojnë.
Ndërsa ky takim kulmoi më pas me kremtimin e Meshës Shenjtë nga Bariu i kësaj grigje, Imzot Simon Kulli, i cili që prej 19 vitesh është treguar si një babë i mirë dhe at shpirtëror duke i mbështetur këto persona gjithmonë dhe duke treguar dashuri dhe kujdes për to. Gjatë predikimit, Imzot Simoni kujtoj vizitën baritore që po zhvillon në famullitë e dioqezës me temën “Të ecim së bashku”, e kështu ecja me Personat me Aftësi Ndryshe janë ecja më e bukur që ne së bashku gëzojmë dhe jetojmë në fe, në shpresë dhe në dashuri. E kjo është dëshmuar më së miri duke ardhur këtu në këtë vend të lutjes siç është Karmeli. Është Zoti që na jep forcë për të përballuar dhe tejkaluar çdo vështirësi; Jeni ju që dëshmoni forcën dhe besimin e fortë që keni në shpirtin tuaj së bashku edhe me familjarët tuaj që ju shërbejnë gjithmonë, dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë që gjenden afër jush, si meshtarët, motrat dhe vullnetarët.
Gjithashtu Imzot Simoni kujtoi edhe një herë vizitën tek Ati i Shenjtë para tre javësh, ku gjatë bisedës me Papa Françeskun, mes shumë të tjerave, i ka treguar edhe për ecjen me dashuri të Personave me Aftësi Ndryshe që Caritas Sapa organizon, ndërsa Ati i Shenjtë e ka falenderuar dhe ka dhënë bekimin e tij për gjithë këtë mision.
Ky takim ishte mjaft i veçantë për Personat me Aftësi Ndryshe edhe për arsyen se shumë kush prej tyre ishte hera e parë që takoi Motrat Karmelitane të Klauzurës, ku të dyja palët janë njohur edhe më nga afër me njëri – tjetrin me realitetin e tyre të jetës së përditshme.
Fakti që edhe famullitari Pader Reoland Marku së bashku me të rinjtë dhe grupin e familjeve kishin organizuar edhe mikpritjen, ku përmes bujarisë u shtrua edhe dreka vëllazërore, e cila u shoqërua nga tingujt e muzikës i dha kësaj dite nuanca me shumë ngjyra për zemrat e të gjithë besimtarëve pjesëmarrës.