Kërko

Imzot Crociata, (Comece) Bashkimit Evropian, bëni çdo përpjekje për de-përshkallëzimin e situatës në Tokën e Shenjtë

Imzot Crociata: “thirrje komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian, që të bëjë çdo përpjekje për të kontribuar në de-përshkallëzimin e situatës, për të garantuar të drejtat themelore të të gjithë njerëzve në rajon dhe respektimin e Status Quo-së historike dhe ligjore të Shenjtoreve në Vendet e Shenjta”.

R.SH. / Vatikan

Një “thirrje drejtuar komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian, që të bëjë çdo përpjekje për të kontribuar në një de-përshkallëzim të situatës, duke garantuar të drejtat themelore të të gjithë njerëzve në rajon dhe respektimin e Status Quo-së historike dhe ligjore të Shenjtoreve në Vendet e Shenjta”.

Kjo thirrja e Imzot Mariano Crociata, president i Komisionit të Episkopatave Katolike të Bashkimit Evropian (Comece), i cili në një deklaratë të sotme nga Brukseli, thotë se po ndjek me "dhimbje dhe shqetësim të thellë" lajmet e trishta nga Toka e Shenjtë, "duke ndjekur sulmet masive nga Gaza kundër civilëve të pafajshëm në Izrael dhe rritjen e spirales së dhunës, e cila ka shkaktuar me qindra të vdekur dhe të plagosur”. “Në emër të ipeshkvijve të Konferencave Episkopale të Bashkimit Evropian (Comece), dua të shpreh afërsinë me lutjen dhe solidaritetin tim me të gjitha viktimat dhe familjet e tyre.

Duke bashkëndarë shqetësimin e dhimbshëm të Papës Françeskut për këtë situatë të rëndë, dua t’i ftoj të gjitha palët e përfshira që t'u japin fund sulmeve, të lirojnë pengjet e rrëmbyer dhe të ndalojnë spiralen e dhunës, pasi 'terrorizmi dhe lufta nuk çojnë në asnjë zgjidhje, por vetëm në vdekje, në vuajtjen e kaq shumë njerëzve të pafajshëm'”.

Thirrja e ipeshkvijve i drejtohet komunitetit ndërkombëtar dhe në veçanti Bashkimit Evropian. “Shpresoj – shkruan imzot Crociata – që gjakderdhja e vazhdueshme do t’ju kujtojë anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë BE-në, urgjencën për të ndjekur më me forcë e bindje udhën e përpjekjeve që çojnë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të mundshme në rajonin e Lindjes së Mesme, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, drejtësinë dhe të drejtat e barabarta për të gjithë".

10 tetor 2023, 12:14