Fjala e Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar ‘A’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 29-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar ‘A’
Leximet biblike të kësaj së diele na propozojnë temën e marrëdhënies ndërmjet fesë dhe pushtetit politik, të marrëdhënies sonë me Zotin dhe me Cezarin, Mbretin apo pushtetin shoqëror e politik, temë kjo që është aktuale edhe për ne sot.
Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu (Mt22,15-21) përmban shprehjen e famshme: “jepini Cezarit atë që i takon Cezarit e Zotit, atë që i takon Zotit”. Vetëm Hyjit, pra, duhet t’ia kushtojmë jetën. Të krishterët kontribuojnë me ndershmëri për mbarëvajtjen e institucioneve shoqërore e civile, por këto nuk mund t’i kundërvihen Zotit, sikur të ishin vlera absolute. Zoti nuk pretendon për vete atë, që është e dikujt tjetër, por dhuratat e Tij duhet t’i përdorim në shoqëri e në histori, duke shqyrtuar mirë gjithçka i takon Hyjit të Gjithëpushtetshëm dhe gjithçka i takon njeriut. Kjo është përgjegjësia e të krishterit në shoqëri e në histori, impenjimi i tij për të mirën e përbashkët, për promovimin e drejtësisë, vëllazërimit e të paqes në realitetin shoqëror.
Fragmenti ungjillor i kësaj sё diele nga Mateu, na ofron njё rast për të folur mbi Jezusin dhe mesazhin e Tij para një shoqёrie bashkëkohore. “Jepini Çezarit, atë që është e Çezarit dhe Zotit, atë që është e Zotit”. Ky pohim themelor i Jezu Krishtit, në Ungjillin e kësaj së diele, na kujton para së gjithash se duhet të kemi kujdes të madh, si para politizimit të fesë, ashtu edhe para hyjnizimit të pushtetit kohor e kërkimit të palodhur të pasurisë. Fjalёt e Jezusit na nxisin të mendojmë mirë cilat janë vërtet gjërat më të rëndësishme në jetë, cilat janë vlerat, sidomos në muajt e fundit të një viti, që ka sjellë probleme shoqërore, shëndetësore dhe ekonomike për shumë vetë.
E në Ungjill, të krishterët gjejnë frymëzimin për jetën e përditshme e për punën e tyre në botë, kudo ku ata janë, në Parlament, apo në qeveri, nё spitale etj. Të krishterët nuk duhet t’i ikin botës; përkundrazi duhet të impenjohen në të. Por, saktëson Ungjilli, përfshirja e tyre me pushtetin tokësor, në politikë e në ekonomi duhet t’i largohet çdo forme ideologjie.
Ja përse, kur të krishterët refuzojnë të përulen para zotave të rrejshëm e mashtrues, propozuar në kohët tona, nuk e bëjnë këtë se kanë ndonjë këndvështrim të vjetruar mbi botën. Kjo ndodh, sepse janë të lirë nga zinxhirët e ideologjisë e frymëzohen nga një botëkuptim kaq fisnik për fatin e njeriut, sa nuk mund të pranojnë kompromise me asgjë, me asnjë pushtet që e cenon atë. Kjo ka ndodhur nganjëherë në histori, kur të krishterët “nuk kanë mundur t’i pranojnë kërkesat e Çesarit”, sikur na kujton fraza e famshme të Jezusit. Nga kulti i perandorit romak tek regjimet totalitare të shekullit të kaluar ‘Çesari’ është përpjekur t’i zërë vendin Zotit.
Të krishterët luftojnë kundër mjerimit, sepse i njohin çdo njeriu, krijuar në ngjashmëri me Zotin dhe i caktuar për amshim, dinjitetin më të lartë. Feja e krishterë, përmban në vetvete urgjencën e nxitjes së paqes e të drejtësisë për të gjithë. Këto qëllime i kemi të përbashkëta me shumë të tjerë, prandaj bashkëpunimi i të krishterëve me të tjerët është gjithnjë i mundur. Po Ungjilli i kësaj sё diele na kujton se si besimtarë tё krishterë kemi një mbret tjetër, Jezu Krishtin Zot, i cili nuk përdor forcën e armëve, por fuqinë e dashurisë. Krishti na frymëzoftë të gjithëve të jetojmë si qytetarë të Mbretërisë së Tij Qiellore, të cilën çdo njeri vullnetmirë mund të ndihmojë të ndërtohet edhe në Tokë.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë (Is 45, 1. 4-6)
Ia kapa të djathtën e tij për t’i shtruar para tij popujt.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti për Kirin, të shuguruarin e vet: “Ia kapa të djathtën e tij për t’i shtruar para tij popujt, për t’i vënë në ikje mbretërit, për t’i hapur para tij dyert; edhe dyert para tij s’do të mbyllen.
Për dashuri të shërbëtorit tim Jakobit e të Izraelit, të të zgjedhurit tim, të thirra ty me emrin tënd, të shënova megjithëse s’më njihje. Unë jam Zot e tjetër s’ka: përveç meje Hyj tjetër s’ka! Të ngjesha në armë, megjithëse s’më njihje, që të dihet prej lindjes në perëndim, se posë meje, askush tjetër s’është!” Fjala e Zotit.
Psalmi 96 (95)
Ref: Ty, o Zot, të qoftë nderi dhe lavdia!
_____________________________
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
_____________________________
Sepse i madh është Zoti,
tejet i denjë për t’u lavdëruar,
më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!
Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve,
kurse Zoti e ka krijuar qiellin.
_____________________________
Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij.
_____________________________
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!
Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
_____________________________
Leximi i dytë (1 Sel 1, 1-5)
Kemi para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme.
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Pali, Silvani dhe Timoteu: Kishës së Selanikasve në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin Zot. Paçi hir dhe paqe! Gjithmonë i falënderohemi Hyjit për ju të gjithë dhe vazhdimisht ju kujtojmë në lutjet tona duke pasur para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin tonë Jezu Krishtin para Hyjit, Atit tonë.
Sepse, o vëllezër të dashur prej Hyjit, e dimë se jeni të zgjedhur, mbasi Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju jo vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi e me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju. Fjala e Zotit.
Ungjilli (Mt 22, 15-21)
Jepni Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë. Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë e mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush: ti nuk këqyr ç’pozitë kanë njerëzit! Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatim apo jo?”
Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha: “Shtiracakë, pse po më sprovoni? Ma tregoni monedhën e tatimit!”
Ata ia sollën një dinar. “E kujt është – u tha – kjo fytyrë e ky mbishkrim?”
“E Cezarit!” – i përgjigjën ata.
Atëherë Jezusi u tha: “Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.” Fjala e Zotit!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XXIX GJATË VITIT: HYJI DHE ÇEZARI
(Is 45, 1. 4-6; Ps 96 (95); 1 Sel 1, 1-5; Mt 22, 15-21)
Në Shkrimin Shenjt sot përmenden mbretër e perandorë. Këta njerëz që, falë rrethanave të ndryshme, gjenden në drejtimin e popujve, jo gjithnjë janë mëkatarë të mëdhenj, sepse shpesh vetë Hyji mund t’i përdorë ata për të çuar në vend planet e Tij e për ta drejtuar historinë njerëzore kah e mira e kah shëlbimi. Edhe po ta shohësh vetëm nga ana thjesht njerëzore, këta njerëz nuk duhet të shihen vetëm si negativë, sepse, shpesh herë kanë në vetvete një guxim e një largpamësi të admirueshme, duke u hyrë shpesh gjërave që u rrezikojnë deri edhe jetën. Të gjithë e dimë, pastaj, se sa bekim i madh është që të kesh në krye të shtetit njerëz që mendojnë, lodhen dhe rrezikojnë për të mirën e shoqërisë së tyre. Megjithatë, edhe pse nuk duhet të ngutemi t’i shohim si negativë e si mëkatarë, nuk duhet të ngutemi t’i shohim as si perëndi.
Në leximin e parë i thuren lavde Kirit, mbretit të Babilonisë që, kur erdhi në pushtet, i lejoi të gjithë popujt e perandorisë së tij të ktheheshin në tokat nga ku kishin qenë dëbuar dikur. Një mrekulli vërtet e madhe kjo, sidomos për popullin e Izraelit, i cili kishte të paktën pesëdhjetë vjet në mërgim larg tokës së premtuar. Duke u kthyer në trojet e veta, izraelitët tani do ta kishin edhe një herë lirinë e tyre, do të mund ta rindërtonin Tempullin e Zotit si edhe do të mund t’i ruanin pa frikë kulturën dhe zakonet e tyre. Edhe pse Mbreti Kir nuk ishte hebre dhe, me shumë mundësi këtë vendim ai e mori vetëm për shkaqe diplomatike, gjithsesi populli i zgjedhur nuk nguroi ta shihte vendimin e tij si të frymëzuar nga Hyjit, sepse, kur një mbret ka për zemër paqen e begatinë, Hyji arrin të vërë duart në drejtimin e kombeve.
Por t’i kuptojmë drejt rreshtat e leximit të parë: lavdet nuk i thuren mbretit Kir, por Hyjit, i cili arriti ta përdorte atë. Mbreti është shumë i rëndësishëm, por nuk është Hyj. Ky është pohimi i guximshëm, të cilin Shkrimi Shenjt dëshiron ta theksojë me ngulm sot. Jo më kot në vazhdim Zoti thotë: «Unë jam Zot e tjetër s’ka.» Është pohim i guximshëm ngaqë, në mendësinë e popujve përreth Izraelit të asaj kohe, ndodhte shpesh që mbretërit të vetëshpalleshin perëndi dhe t’ua impononin vartësve të tyre që t’i shihnin si të tillë. Kështu, veç, nuk ndodhte në Izrael.
Te ky pohim i guximshëm dhe shumë i qartë, arrin edhe Jezusi në Ungjillin e sotëm, edhe pse përmes një rruge tjetër. Por më mirë le t’i marrim me radhë rreshtat e mrekullueshëm të kësaj faqe ungjillore e ta shohim thellësinë e fjalëve të Shëlbuesit tonë.
Menjëherë Ungjilli thekson se farisenjtë atë ditë po sajonin një kurth kundër Jezusit: «Farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë.» «U ndanë në një anë»: pra u bashkuan, rrahën mendime, propozuan strategji të ndryshme e strategjia që fitoi, ishte ajo që dëgjuam në Ungjill. Kurthi nuk ishte i pamend, sepse nuk i linte fort shtigje shpëtimi atij që duhej të përgjigjej. Jezusin e pyetën nëse duhej apo jo t’i paguhej tatimi Çezarit. Nëse Jezusi do të përgjigjej se tatimi duhej paguar, atëherë do të mund ta çonin popullin peshë kundër këtij tradhëtari të Izraelit, i cili jo vetëm mëson se duhet t’i paguajmë taksa një pushtuesi, por paska nderim edhe ndaj perandorit. Perandorët romakë, ndër ato vite kishin filluar t’i veshnin nuanca Hyjnore personit të tyre. Kjo mund të nënkuptonte se Jezusi, duke mësuar nderimin ndaj tij, jo vetëm që po tradhëtonte atdheun, por po tradhëtonte edhe fenë në Hyjin e vetëm.
Por, nga ana tjetër, nëse Jezusi do të thoshte se tatimi nuk duhej paguar, gjërat do të bëheshin edhe më të lehta për këta dredharakë, të cilët gjithçka ishin të gatshëm të bënin, vetëm e vetëm që ta zhduknin nga faqja e dheut këtë Jezus i cili nuk po u rrinte gati ambicjeve të tyre për para e për pushtet. Herodi, në atë rast, menjëherë do ta arrestonte Jezusin, duke e akuzuar si kryengritës brenda perandorisë. Për çfarë tjetër i kishin marrë me vete edhe «herodianët»?
E, siç e kanë zakon dinakët, edhe këta ia fillojnë menjëherë me lajka: «Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën (e kush e thotë: pikërisht ata që nuk mund ta shihnin me sy) dhe se me të vërtetë e mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush.» Kështu e kanë zakon dinakët: afrohen si dhelpra me plot dredhi, lëvdata e fjalë të bukura, për të ta turbulluar mendjen e për të të bërë të veprosh apo të flasësh atë që ata dëshirojnë, por që mund të të kushtojë kokën. E, në shumë raste, ia arrijnë këtij qëllimi dhe na hedhin në grackën e tyre. Jo rrallë e kuptojmë tepër vonë se ku na paskan çuar me dredhitë e tyre. Por ajo që duhet të bëjmë ne në këso rastesh, është që të kapemi fort pas fjalës së Zotit e të mos u besojmë lajkave e fjalëve të bukura. Kjo vlen edhe për rastet kur këta njerëz e thurin kurthin e tyre duke përmendur Zotin dhe fjalën e Tij, por që, në fund të fundit, e shohim se na çojnë kundër asaj që Zoti realisht mëson. Zoti na ruajtë nga këto kurthe dinake të njerëzve që në thelb janë pa Zot e të pa ndërgjegje, sepse shpesh duhet vërtet një mrekulli që të mos mashtrohemi! Nga ana tjetër, duhet të lusim Zotin që të mos bëhemi edhe ne vetë lajkatarë e dredharakë mashtrues.
«Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Çezarit tatim apo jo?» Sipas tyre kurthi ishte i përsosur, por nuk mund të kapeshin me Urtinë e bërë Njeri: «Shtiracakë, – ua pret Jezusi, – pse po më sprovoni?! Ma tregoni monedhën e tatimit!»
Para se të vazhdojmë, na duhet ta kujtojmë patjetër atë pjesën e Librit të Zanafillës ku thuhet se: «Hyji e krijoi njeriun në përgjasimin e vet.» (1, 27). Pra, në njeriun është gdhendur përngjasimi i Hyjit. Jo më kot Jezusi kërkon që t’i sjellin një monedhë ku është e gdhendur fytyra e mbishkrimi i Çezarit dhe pyet: «E kujt është kjo fytyrë e ky mbishkrim?» E, pasi farisenjtë i përgjigjen «E Çezarit.», Jezusi u dha atë përgjigjen e Tij të famshme: «Jepni Çezarit, çka i përket Çezarit e Hyjit, çka i përket Hyjit!». Po u thoshte se paranë, në të cilën gjendej përfytyrimi i një njeriu, edhe mund t’ia jepnin atij njeriu, qoftë ai edhe pushtues, por veten e tyre nuk duhej t’ia jepnin askujt tjetër përveç Hyjit, sepse në ta është gdhendur përngjasimi i Tij.
Është plot teologji një përgjigje e tillë e Jezusit, sepse, në një formë teologjikisht shumë të hollë e të saktë, Ai hedhë poshtë çdo lloj autoriteti Hyjnor që njerëzit mund t’i veshin vetvetes. Pa e thënë haptas, Jezusi po hidhte poshtë Çezarin. Kështu, njëkohësisht, Jezusi e ndreq edhe një herë dinjitetin e vërtetë të njeriut, i cili është krijuar vetëm në përngjasimin e Hyjit të vet.
Kaq saktë u përgjigj Jezusi atë ditë, saqë asnjëherë më në Ungjill nuk do të thuhet se farsenjtë u përpoqën t’i ktheheshin sërish një argumenti të tillë.
Sa shumë mësime mund të nxjerrim ne nga kjo përgjigje e Jezusit! Shpesh njerëzit jepen me mish e me shpirt pas parasë e pas atyre që paranë mund t’ua sigurojnë, por harrojnë se ata vetë nuk janë të krijuar për këtë. Sadoqë duhet t’u shprehim repsekt e nderim pushtetarëve (e bëjmë mirë që ua shprehim), gjithësesi ekziston një kufi në këtë nderim: atëherë kur ky nderim kërkon të zërë vendin e nderimit ndaj Hyjit. «Unë jam Zot e tjetër s’ka!», na e kujton leximi i parë. Duke qenë se jemi krijuar në përngjasimin e Hyjit, vetëm Atij mund t’i themi «Në duart e tua e lë jetën time.», por jo pushtetarëve, sepse nuk jemi krijuar në përngjasimin e tyre. Prandaj, kushdo qoftë ai që paraqitet si Çezar në jetën tonë, ta dimë se ai nuk është Hyj e, si pasojë, nuk mund ta përcaktojë dinjitetin tonë si njerëz. Dinjitetin tonë e gjejmë në Hyjin.
Është e vërtetë se pushtetarët e kanë mundësinë të na i japin e të na i marrin paratë e fitimet tona, por kjo nuk është e keqja më e madhe: e keqja më e madhe është kur u lejojmë atyre të na marrin shpirtin, dinjitetin, lirinë e brendshme. E keqja më e madhe është kur i vëmë vetes një çmim, sepse në atë rast ata e kanë mundësinë të na blejnë. Nëse ekzistojnë njerëz nga të cilët pushtetarët e korruptuar kanë vërtetë frikë, janë njerëzit që nuk kanë çmim e nuk shiten.
Kjo nuk do të thotë se nuk kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat tona e as nuk do të thotë se duhet thjesht të heshtim përballë ndonjë padrejtësie, por duhet t’i bëjmë të gjitha këto me vetëdijen se jemi bijt e bijat e Hyjit.
Çezarët e ndryshëm mund të ta marrin paranë tënde, gjënë tënde e jetën tënde, por mos lejo të të marrin ty: ti fluturo drejt lartësive, drejt Hyjit tënd!