Kërko

Vangelo della XXVII Domenica del Tempo Ordinario – A Vangelo della XXVII Domenica del Tempo Ordinario – A

Fjala e Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Në shëmbëlltyrën e vreshtit, Jezusi vënë në pah durimin e zemërgjerësinë e Zotit që përkujdeset per vreshtin e vet, që jemi ne, dhe plotë durim, pret frytet e saj të besnikërisë e të veprave të mira, por edhe mbrapshtinë e vreshtarëve që, nuk i njohin e nuk i pranojnë të drejtat e Pronarit, duke refuzuar e vrarë të dërguarit e madje edhe djalin e tij. Jezusi na mëson se dhuratat që fitojmë, duhet të japin fryte.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 27-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Ungjilli i kёsaj sё diele na flet për një pronar toke, që ua dha me qira vreshtin fshatarëve, të cilët nuk deshën t’i jepnin të vjelat, duke i vrarë si shërbëtorët, ashtu edhe djalin, që pronari e çoi për të marrë çka i takonte. Është histori, që na përket edhe ne, e cila vë në pah besëlidhjen e Zotit me njerëzimin, që vlen edhe sot. Është histori dashurie, e por si e tillë, ka çaste pozitive e negative, tradhti e refuzime.

Pyetja përfundimtare e shëmbëlltyrës ungjillore: “Kur do të vijë pra, pronari i vreshtit, çfarë do t’u bëjë fshatarëve?”, nënvizon se zhgënjimi i Zotit për sjelljen e denjë e të poshtër të njerëzve nuk është fjala e fundit. Kjo është risia e madhe e krishterimit: një Zot, i cili, megjithëse zhgënjehet nga gabimet e mëkatet tona njerëzore, nuk e ha fjalën, nuk ndalet e sidomos, nuk hakmerret! Zoti do, nuk hakmerret, na pret për të na falur, për të na përqafuar. Zoti është i mëshirshëm, por dëshiron të shohë frytet e mëshirës së Tij në jetën tonë.

Prandaj, kush është thirrur për të punuar në vreshtin e Zotit, ka përgjegjësi të madhe. Zoti ka planin e tij për njeriun, por shpesh përgjigjja e njeriut është mosrespektimi i këtij plani. Kёtё na kujton shëmbëlltyra e Ungjillit të kёsaj sё diele, e cila na flet për vreshtarët që nuk i qëndruan besnikë të zotit të vreshtës, për të na kujtuar edhe ne sot të jemi të bashkuar me Krishtin, si shermendi me hardhinë.

“Juve do t’iu hiqet Mbretëria e Zotit dhe do t’i jepet një populli, që prodhon fryte”: ky qortimi i Jezusit, nё Ungjill, për krerët e meshtarëve, që kishin përgjegjësi të madhe, pikërisht se ishin thirrur të punonin në vreshtin e Zotit, si autoritete. Kjo vëmendje vlen edhe pёr meshtarët e sotëm, të cilët kanë përgjegjësi para Zotit për mënyrën si e udhëheqin popullin e Tij në rrugët e jetës së krishterë, pas gjurmëve të Krishtit.

Jezusi është guri, që ndërtuesit e hodhën, pasi e gjykuan armik të ligjit e të rrezikshëm për rendin publik. Por Ai vetë, i refuzuar e i kryqëzuar, u ringjall, duke u bërë ‘guri i këndit’ mbi të cilin mund të mbështeten me siguri absolute themelet e çdo ekzistence njerëzore dhe ato të botës mbarë.

Ja pra, se për cilën të vërtetë flet shëmbëlltyra ungjillore: pronari i vreshtit përfaqëson vetë Zotin, ndërsa vreshti simbolizon popullin e Tij dhe jetën, që Hyji na e jep për të bërë të mira. Zoti e ka një plan për miqtë e vet, por fatkeqësisht, përgjigjja e njeriut orientohet drejt mosbesnikërisë, që kthehet në refuzim. Krenaria dhe egoizmi na pengojnë ta njohim e ta pranojmë edhe dhuratën më të çmuar të Zotit: Birin e tij të vetëm.

Zoti dorëzohet në duart tona, pranon të bëhet mister i papërshkueshëm i dobësisë dhe e shfaq gjithë pushtetin e vet në besnikërinë ndaj planit të dashurisë, i cili, në fund, parashikon edhe dënimin e drejtë për të këqijtë. Kisha u bën thirrje besimtarëve të sotëm qё të jenё tё patundur në fenë e tyre tё rrënjosur në gurin e këndit, që është Krishti, të jenё kurdoherë të lidhur me Të, ashtu si dega, si shermendët, që nuk mund të sjellë fryte, nëse nuk janё tё lidhura me hardhinë. Mos tё harrojmё se, nё Ungjill, hardhia e shermendët shprehin lidhjen e Zotit me popullin e vet. Pra, vetëm në Jezu Krishtin, për Të dhe me Të ndërtohet jeta shpirtërore, Kisha, popull i Besëlidhjes së Re. Të jesh i krishterë do të thotë të shartohesh me Krishtin dhe me Të, të prodhosh fryte, që i pëlqejnë Atit Qiellor.

                                                            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Is 5, 1-7)

Lexim prej Librit të Isaisë profet


Do t’ia këndoj të dashurit tim këngën e mikut tim mbi vreshtin e tij. Miku im kishte vreshtin në një kodër të pëlleshme. E rrëmihi, ia qëroi gurët, e mbëltoi me hardhi të zgjedhura, në midis të tij e ndërtoi kullën, në të punoi edhe shtrydhësin.
Priste se do t’i bënte rrush, por ai i bëri vetëm larushk. Tash, banorë të Jerusalemit e ju burrat e Judesë, ndajeni këtë pleqëri mes meje e vreshtit tim. Ç’u desh tjetër të bëja për vreshtin tim e që s’e paskam bërë? Shpresoja se do të më jepte rrush, përse më dha vetëm larushk? Juve tash po ju dëftoj ç’do t’i bëj unë vreshtit tim: do ta shthur gardhin e tij, që ta shkretojnë e ta bëjnë djerrinë do t’i rrëzoj ledhet e tij që ta shkelin mirë e mirë. Le të bëhet krejt i shkretë mos të kihet as mos të mihet, le ta mbulojnë halluga e ferra; reve do t’u urdhëroj një pikë shi mbi të të mos lëshojnë.
Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit, fidanët e zgjedhur të tij janë banorët e Judesë. Prita të ushtrojnë virtytet, kur qe, vetëm paudhësi; drejtësinë prita, ja ofshamat! Fjala e Zotit.

Psalmi 80 (79)
Ref: Vreshti i Zotit është populli i tij

____________________________
Vreshtin nga Egjipti e nxore
e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove;
pinjollët e tij arritën deri në det,
shermendet i qiti deri në lumë.
_____________________________
Gardhin pse ia theve
që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër,
e kulloti çdo egërsirë.
_____________________________
Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vresht,
dili zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
_____________________________
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij,
kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
_____________________________

Leximi i dytë (Fil 4, 6-9)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka - me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim - paraqitjani Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.
Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua - atë bëni - dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju. Fjala e Zotit.

Ungjilli (Mt 21, 33-43)

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve, kryetarëve dhe pleqve të popullit: “Dëgjoni shëmbëlltyrën tjetër: Ishte një zotshtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.
Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. Prapë dërgoi shërbëtorë tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.
Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë. Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?”
I përgjigjën: “Të këqijtë do t’i zhbijë keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.”
Jezusi u tha: “A nuk e lexuat asnjë herë në Shkrimin shenjt: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit; kjo është vepër e Zotit, se ç’mrekulli në sytë tanë!’
Prandaj po ju them: juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saja. Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

E DIELA XXVII GJATË VITIT: VRESHTARËT MOSMIRËNJOHËS E VRASTARË.

(Is 5, 1-7; Ps 80 (79); Fil 4, 6-9; Mt 21, 33-43)

Shëmbëlltyra e treguar nga Jezusi sot në Ungjill, nuk u drejtohet të gjithë njerëzve të të gjitha kohëve. Megjithatë, nga ana tjetër, të gjithëve na mëson diçka me shumë rëndësi.

Jezusi e tregon këtë shëmbëlltyrë në lidhje me ata dëgjues të vet që po thurnin plane vrastare kundrejt Tij. Kështu ua nxjerr të pah të keqen që e ndrynin përbrenda. Jo më kot pjesa ungjillore sot fillon me fjalët: «Jezusi u tha kryepriftërinjve, kryetarëve dhe pleqve të popullit.»

Shëmbëlltyra, në fakt, flet pikërisht për disa vreshtarë të cilëve Zotëria i tyre u besoi vreshtin. Ua kishte besuar atë vresht të çmuar dhe kishte rënë dakord me ta që fitesën ta ndanin për gjysmë kur do të vinte koha e vjeljes. Por vreshtarët, kur Zotëria u dërgoi shërbëtorët e vet që t’i jepnin «frytin që i takonte», duke u hyrë shpirti i pangopësisë, deshën të ndalnin për vete gjithçka. Prandaj jo vetëm që i nisën duar bosh shërbëtorët, por disa prej tyre i rrahën e madje edhe i vranë. E kuptojmë se ku dëshiron të dalë kjo histori: Zotëria përfaqëson Zotin, vreshti përfaqëson popullin e Izraelit («Vreshtin nga Egjipti e nxore.», thotë psalmi i sotëm), vreshtarët përfaqësojnë kryetarët e popullit, shërbëtorët simbolizojnë profetët e të drejtët që kanë kaluar në Izrael, kurse i biri i zotërisë simbolizon Jezusin, Birin e Atit, i cili po u qëndronte përballë.

Me këtë shëmbëlltyrë, praktikisht, Jezusi po ua përplaste në fytyrë sjelljen e tyre të padenjë përballë trashëgimisë fetare që u është besuar. Në vend që t’i jenë mirënjohës Hyjit për gjithçka kanë e ta drejtojnë popullin me ndjenjë përgjegjësie përballë Tij, kanë kaluar në një shikim tejet tokësor të pozitës së tyre. Do të thonim sot: janë përzier tepër me shpirtin e botës. Nuk arsyetojnë më për­ballë Hyjit në ndërgjegjet e tyre, por përballë vetvetes: nga ndjenja e mirënjohjes dhe e përgjegjësisë, kanë kaluar në atë të “pushtimit” të vreshtit të Hyjit. Për këtë arsye profetët e të drejtët që kanë ardhur ndër shekuj për t’ua kujtuar se duhej që Hyjit t’i kthehej «fryti që i takonte», kanë vuajtur dhe kanë qenë vrarë prej tyre. I njëjti fat tani po sajohej nga ata edhe kundrejt Birit.

Hyji nuk do të arrinte ta mblidhte plotësisht frytin që dëshironte. Në leximi e parë, na tregohet se çfarë fryti Hyji priste nga Izraeli: «Priste t’i bënte rrush, por ai bëri vetëm larushk.» E në fund e shpjegon: «Prita të ushtrojnë virtytet, kur qe, vetëm paudhësi drejtësinë prita, ja ofshamat.» Mungesa e mirënjohjes për pozitën që kanë drejtuesit e popullit të Izraelit, si edhe mungësa e ndjenjës së përgjegjesisë nga ana e tyre, kanë sjellë dëme tepër të mëdha në historinë e shëlbimit. Edhe pse Hyji vazhdimisht është përpjekur t’i “arnojë” shqyerjet e shkaktuara nga zemërngurtësia e tyre, gjithsesi disa dëme kishin mbetur të pariparueshme. Prandaj përgjegjësia e tyre para Zotit ishte tejet e lartë.

E, në fakt, drejtuesit shpirtërorë kanë mbi vete këtë lavdi e këtë barrë: lavdia përbëhet nga pozita që Hyji u ka besuar, por pikërisht kjo është edhe barra të cilën, po nuk dijtën ta mbartin me dashuri, do t’u humbasë shëlbimin atyre dhe shumë të tjerëve.

Në jetën e Shën Gjon Maria Vianeit, famullitarit të famshëm të Arsit në Francë, tregohen shumë episode në të cilat ai përpiqej t’i shmangej përgjegjësisë së të pasurit një famulli. Jo se nuk e donte misionin e tij (lutej ditë e natë për famullinë e tij, aq sa edhe djalli shpesh vinte ta shpërqendronte), jo se nuk i përkushtohej shërbe­save (rrëfente deri në 15 orë në ditë) e as se nuk ishte i përshpirt­shëm (kur kremtonte meshën e kur lutej, njërëzit i prekte pa masë mënyra se si i bënte), por ajo që e shqetësonte në shpirt, ishte ndjenja e përgjegjësisë që ndiente para Zotit për shpirtrat që i ishin besuar. Një natë thuhet se e ndaluan disa besimtarë të famullisë së tij në rrugë, ndërsa ai po përpiqej të largohej nga famullia. Detyra e famullitarit e frikësonte për përgjegjësinë që ndjente se ka para Zotit. Por besimtarët, në mes të lotëve iu lutën që të mos i braktiste e qe vetëm dashuria e pamasë që kishte për ta ajo që e motivoi të ndryshonte mendim e të përkushtohej edhe më shumë për ta në të ardhmen. Vetëdija se një ditë Zoti do t’i kërkonte rëndë llogari për një gjë të tillë, ishte shumë e qartë në këtë meshtar që është shpallur pajtori i të gjithë meshtarëve e famullitarëve në Kishë.

Kështu ishte dashur të arsyetonin edhe këta kryepriftërinj, kryetarë e pleq të popullit, të cilëve Jezusi ua drejtoi këtë shëmbëll­tyrë. Por ndjenja e mirënjohjes dhe e përgjegjësisë tek ata tashmë ishte zhdukur fare dhe i kishte lënë vendin intrigave politike, me qëllim sundimin e popullatës. Kushdo që i ftonte të ktheheshin pak tek “shpirtërorja”, për ta ishte njeri i rrezikshëm që duhej zhdukur.

Prandaj Jezusi ua tregoi fundin që i priste: «Prandaj po ju them: juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saj.»

«Një populli tjetër»: Nëse ata do t’i ishin hapur fjalës së Jezusit, do të kishin pasur mundësinë të bashkoheshin në misionin e Jezusit në të mirën e vreshtit të Zotit, që tashmë nuk do të ishte vetëm Izraeli, por e gjithë bota. Por ata nuk u gjetën të denjë, prandaj ua hoqi dore drejtimin e vreshtit. Vreshtin do ta drejtonin ata që, për botën e për këta kryetarë, do të mbaheshin si të fundmit.

Po çfarë na mëson të gjithëve ne e tërë kjo histori? A ka lidhje me ne kjo sjellje kaq e parregullt e këtyre drejtues mosmirënjohës? Po, besoj se ka, sepse të gjithë ne, në një formë apo në një tjetër, kemi nga një “vresht” të cilin Hyji na e ka besuar. Një kryefamiljar, përshembull, duhet të jetë gjithnjë plot me ndjenjën e mirënjohjes e të përgjegjësisë për “vreshtin” që Zoti i ka vënë në duar. Nuk duhet të mendojë se është pronë e tij, por e Dikujt tjetër e, në edukimin e fëmijëve, duhet ta ketë mirë parasysh këtë të vërtetë.

Ka kryefamiljarë të shumtë që janë plot me falënderim e me ndjenjë përgjegjësie e këta janë “vreshtarët” që Hyji dëshiron. Këta jo thjesht lejojnë, por edhe e mundësojnë që familja e tyre të rritet duke kërkuar Hyjin dhe vullnetin e Tij.

Shpesh harrojmë t’i themi Hyjit “faleminderit”, ndërkohë që “faleminderit” ka qenë fjala që më së pari prindërit tanë janë për­pjekur të na e mësojnë. Kemi kaq shumë arsye për ta mbushur zemrën me falënderime ndaj Zotit e ndaj të tjerëve sa që, shpesh, nuk ia kemi idenë. Po ta mendosh, jemi krijesa që, për nga vetë natyra, shkëputemi shumë vonë nga varësia ndaj prindërve. Nëse një qengji, përshembull, i nevojitet jo më shumë se dy orë që të fillojë të ngrihet në këmbët, ne njerëzve na duhet të paktën një vit. Kjo më e pakta: po të folurit, po ushqimi, po banesa, po edukimi, po arsimimi (e ky i fundit madje tani sa vjen e shtohet)? Kush na ka ndihmuar t’i kemi? S’e kemi idenë sa gabojmë kur mendojmë se i kemi fituar të gjitha “me forcat tona”. Ishte dashur ta brumosim zemrën tonë me falënderime e me ndjenja përgjegjësie, por mjerisht nuk ndodh rrallë që të përfundojmë në arrogancë e në mendje­madhësi. E, kështu, nuk japim frytet që ishte dashur t’i jepnim në jetë e as nuk ua lehtësojmë dhënien e këtyre fryte as të tjerëve që na janë besuar në jetë. Përfundojmë edhe ne të jemi “vreshtarë” mosmirënjohës e të papërgjegjshëm.

Patjetër këtu duhet të mësojnë shumë udhëheqësit shpirtërorë të Kishës. Bashkësitë që u janë bësuar, nuk janë pronë e tyre, por janë «popull i Zotit». Shën Augustini e shprehte shumë bukur “dri­dhjen” e shpirtit të tij si bari: «Nëse më mundon ajo çka jam për ju, më ngushëllon ajo çka jam me ju. Sepse për ju jam ipeshkëv, me ju jam i krishterë. I pari është emër rreziku, i dyti-shpëtimi.». Kushtet e bëra, shugurimi, nuk të bëjnë shenjt. Është e vërtetë se Hyji jep edhe Hirin e gjendjes në të cilën je, por kjo nuk e përjashton betejën e përdit­shme me egoizmin, me ambicjet, me papërgjegjshmërinë dhe me krenarinë. Janë këto mbartja e përditshme e kryqit në ndjekje të Jezusit. Nuk ndodh rrallë që të ndeshim të kushtuar e të shuguruar që nuk u vjen era të krishterë. Ajo “dridhja” e shpirtit që kishte Shën Augustini dhe Shën Gjon Maria Vianei, do t’i ndihmonte fort që të mos kthehen edhe ata në pushtues të vreshtit që u është besuar.

E ja se si Shën Pali na e kujton shumë ëmbël të gjithëve në leximin e dytë se çfarë frytesh pret Hyji nga ne: «Vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, ... e ndershme, e drejtë, e pastër, e shenjtë, e denjë për dashuri, e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt.» E na jep këtë garanci: «Dhe, Hyji që jep paqen, do të jetë me ju.»

Dom Dritan Ndoci

 

 

07 tetor 2023, 10:15