Kërko

Gaza: Kisha katolike e Famijes Shenjte Gaza: Kisha katolike e Famijes Shenjte 

Famullitari i Gazës: nga Kisha jonë, tani kamp refugjatësh, lutemi të bashkuar me Papën

Në vendin shenjt të qytetit të shkatërruar nga bombat, është shtuar prania e të krishterëve, që shpresojnë të shpëtojnë jetën e tyre. Famullitari, Atë Gabriele Romanelli, kujton sesi katolikët dhe ortodoksët, të moshuar dhe fëmijë, po jetojnë një situatë dramatike, por jo të pashpresë. “Jetojnë si të krishterët e parë: bëjnë gjithçka së bashku dhe e ndajnë me njëri-tjetrin”. Duke e falënderuar rishtas Papën për afërsinë e tij. U telefonon pothuajse çdo pasdite”

R. SH. - Vatikan

Kisha famullitar ‘Familja Shenjte’ është ndoshta i vetmi vend në Gaza ku shpresa duket se nuk është zhdukur nga frika e bombave. Për ta kuptuar këtë, mjafton të dëgjoni historinë e Atë Gabriele Romanellit, famullitar i kishës së vetme latine në qytetin e territoreve palestineze, të gjunjëzuara nga sulmet ajrore izraelite. Kur rregulltari tregon se 700 njerëz kanë gjetur mikpritje brenda mureve të asaj ndërtese të shenjtë, kush e dëgjon psherëtin i lehtësuar, pavarësisht nga situata ende dramatike, me Rripin ende të mbyllur hermetikisht dhe mbi dy milionë njerëz pa ujë, pa ushqime, pa ilaçe, pa karburant. “Pas bombardimeve katër ditë më parë, që prekën edhe kishën ortodokse greke në Gaza, me pasojë 18 të vdekur, shumë refugjatë të tjerë të krishterë mbërritën në famullinë tonë”- thotë rregulltari. E shton një hollësi jo pa rëndësi: “Me ne janë edhe 54 fëmijë të murgeshave të Nënë Terezës e ata, që kanë edhe vështirësi fizike, duhet të kujdesen në  mënyrë të veçantë”. Një tjetër shenjë shprese.

Pika qendrore e famullisë

Të gjitha bashkësitë fetare strehohen gjithashtu në atë famulli, e cila është bërë qendra nevralgjike e Kishës së Gazës në atë masë, sa që Patriarku Latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, u ka dhënë autoriteteve izraelite koordinatat e sakta të pranisë së tyre për të shmangur tragjeditë e mëdha. “Të gjitha murgeshat - shpjegon meshtari - kanë vendosur të qëndrojnë në Familjen e Shenjtë për të qenë pranë refugjatëve”. Janë të vetëdijshme për rreziqet - shton - “sepse nuk ka asnjë vend të sigurt. Ushtria izraelite na ka kërkuar vazhdimisht ta braktisim veriun e Rripit të Gazës. Sipas tyre, duhet të kishim shkuar në jug, por edhe ai bombardohet”.

Përparësia e bamirësisë

Atë Romanelli pohon se tani famullia është bërë si bashkësia e dishepujve të parë të Jezusit. “E bëjmë gjithçka së bashku - kujton - Lutemi dhe përpiqemi të jetojmë me bamirësi, duke i shpërndarë gjërat që kemi”. Nëse  rregulltari pyetet se cilat janë nevojat më urgjente, ai përgjigjet pa ngurrim: “Gjëja e parë është lutja. Ne duhet të lutemi dhe t'i ftojmë njerëzit të luten duke ofruar flijime për t'i dhënë fund luftës. E pastaj, sigurisht, të shikojmë nevojat themelore, sepse gjithçka mungon vërtet”.

Të bashkuar në lutje me botën

Sot, 27 tetor, Ditë e Lutjes, Agjërimit dhe Pendesës për Paqen, e shpallur nga Papa Françesku, nga famullia e Familjes së Shenjtë lutja do të lartohet deri në qiell, më e fuqishme se kurrë. Sepse ata burra, ato gra dhe ata fëmijë të vuajtur tashmë lartojnë çdo ditë drejt qiellit britmën – kujton meshtari: "Ata ngrihen herët në mëngjes dhe në 8 përgatisin kishën për meshën e parë. Më pas, të ndarë në grupe, thonë Rruzaren e Shenjtë gjatë gjithë ditës, ndërsa pasditja i kushtohet adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament dhe kremtimit të Meshës së dytë”. E jashtëzakonshme është pjesëmarrja e të gjithëve: katolikë dhe ortodoksë.

Papa, pranë vuajtjes

Më pas, Atë Romanelli falënderon edhe një herë Papën për afërsinë e tij të vazhdueshme. “Ai na telefonon - kujton - pothuajse çdo pasdite. Më telefonon mua e, nëse nuk më gjen, telefonon në famulli. Është shenjë e madhe e bujarisë, e mirësisë. Ne e dimë se Papa është afër gjithë popullatës, pa dallim”.

27 tetor 2023, 11:16