Don Rolando Reda: emigrimi i vazhdueshëm, problem për t’u zgjidhur në Shqipëri
R.SH. – Vatikan
Një nga problemet, që Papa Françesku e ka më për zemër, është ai i mikpritjes së emigrantëve. Më se një herë, ai e ka ngritur zërin duke kërkuar që çdo njeri të ketë të drejtë të emigrojë, por të ketë të drejtë edhe të qëndrojë me dinjitet në vendin e vet, pa u detyruar të lërë shtëpi e miq, për të gjetur një jetë më të mirë diku tjetër. Këtë e theksoi edhe së fundi, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Marsejë për Takimet Mesdhetare, kushtuar pikërisht problemit të migrimit. E ky është edhe një nga argumentet për diskutim, ardhur nga Kishat lokale në Sinodin e Ipeshkvijve, faza e fundit e të cilit sapo ka filluar në Vatikan.
Orionini italian, don Rolando Reda, i cili ka shërbyer për 24 vite në Shqipëri, në Shkodër e në Elbasan, vë në dukje se ikja e të rinjve nga Shqipëria do të krijojë probleme në mbarëvajtjen e vendit. Në mikrofonin e Klaudia Bumçit, ai shpjegon për programin shqip të Radio Vatikanit / Vatican News, edhe veprimtarinë e orioninëve në Shqipëri e punën e tyre në Qendrën për Bashkëpunimin Ndërfetar në Elbasan…