Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtëria nuk është çështje dukjeje

Vijojmë ciklin me meditimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Sot, zgjodhëm mendimet e Joseph Ratzinger nga mesha e kremtuar në Starà Boleslavo të Republikës Çeke, në festën liturgjike të Shën Vençenslaut, më 28 shtator 2009, si edhe nga homelia e shqiptuar në Sulmonë të Italisë, më 4 korrik 2010

R.SH. - Vatikan

Vlera e vërtetë e jetës njerëzore nuk matet vetëm me pasuritë tokësore dhe me interesat kalimtare, sepse nuk janë realitetet materiale, që na e shuajnë etjen e madhe për kuptim e lumturi në zemrën e çdo njeriu – thoshte Benedikti XVI në Starà Boleslavo, pranë Pragës. Prandaj, Jezu Krishti nuk heziton t’u propozojë dishepujve rrugën “e ngushtë” drejt shenjtërisë: “Kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta fitojë”. E, me vendosmëri përsërit: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë”.

Sigurisht, është gjuhë e ashpër, e vështirë për t’u pranuar e për t’u zbatuar, por dëshmia e sa e sa shenjtorëve, burra e gra, na siguron se kjo është e mundur për të gjithë, nëse i besojmë dhe ia besojmë vetveten Krishtit. Shembulli i tyre i inkurajon të gjithë ata, që e quajnë veten të krishterë, të jenë të besueshëm, pra, koherentë me parimet dhe me fenë, që ndjekin. Vërtet, nuk mjafton të dukemi të mirë dhe të ndershëm; duhet të jemi me të vërtetë. E, i mirë dhe i ndershëm është ai, që nuk e mbulon dritën e Zotit me të vetën, nuk del vetë përpara, por, përmes tij, lë të duket Zoti.

Gjithçka thelbësore në jetën tonë na është dhuruar pa asnjë përpjekje nga ana jonë, vijon reflektimin Joseph Ratzinger në Sulmonë. Fakti, që jetojmë, nuk varet prej nesh; fakti që ka njerëz, të cilët na kanë bërë të hyjmë në jetë, na kanë mësuar ç’do të thotë të duash e të duhesh, që na kanë transmetuar fenë e na kanë hapur mendjen për Hyjin: e gjithë kjo është hir e “nuk e kemi realizuar ne”.

Nga vetvetja nuk do të mund të bënim asgjë, nëse nuk do të na dhurohej: Zoti na paraprin gjithmonë e në jetën e secilit ka gjëra të bukura e të mira, të cilat mund t’i kuptojmë lehtë si hir nga ana e Tij, si rreze drite e mirësisë së Tij. Prandaj, pikërisht për këtë arsye duhet të kemi kujdes, t’i mbajmë gjithnjë të hapur “sytë e brendshëm”, ata të zemrës. E, nëse mësojmë si ta njohim Zotin në mirësinë e tij të pafundme, atëherë do të jemi në gjendje edhe të shohim në jetën tonë, me mahnitje – ashtu si shenjtorët – shenjat e atij Zoti, që na qëndron gjithnjë afër, është gjithnjë i mirë me ne e na thotë: “Ki besim tek unë!”.

05 tetor 2023, 10:36