Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: çdo e vërtetë është fragment i së Vërtetës, Krishtit

Vijojmë ciklin me meditimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Sot, zgjodhëm mendimet e Joseph Ratzinger nga fjala drejtuar Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, më 9 janar 2006 dhe nga ajo për pjesëmarrësit e asamblesë plenare të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, më 10 shkurt 2006

R.SH. – Vatikan

Kush impenjohet për të vërtetën – u thoshte Papa Ratzinger diplomatëve nga e gjithë bota – nuk mund të mos e refuzojë ligjin e më të fortit, që jeton me mashtrime dhe që – në nivelin kombëtar e ndërkombëtar – e ka piketuar me tragjedi historinë e njeriut. Mashtrimi a gënjeshtra vishen shpesh me rroben e së vërtetës, por, në realitet, janë gjithnjë tendencioze e, në mënyrë egoiste, synojnë ta instrumentalizojnë njeriun, duke e dërrmuar atë plotësisht. Sistemet politike të së kaluarës, por jo vetëm të së kaluarës, janë shembull i hidhur për këtë. Në anën e kundërt, gjejmë të vërtetën dhe vërtetësinë, të cilat çojnë në takimin me tjetrin, në pranimin dhe në mirëkuptimin e tij: për hir të atij shkëlqimi, që është në natyrën e saj – splendor veritas – e vërteta nuk mund të mos përhapet; e dashuria për të vërtetën është, në sajë të dinamizmit të saj të brendshëm, krejtësisht e drejtuar kah mirëkuptimi i paanshëm dhe i barazvlershëm, që sjell bashkëndarje, pavarësisht nga vështirësitë.

Në jetën e Kishës – u thoshte Benedikti XVI pjesëmarrësve në asamblenë plenare të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, në vitin 2006 – feja ka rëndësi themelore, sepse themelore është dhurata e vetvetes, që Zoti bën në Zbulesë e ky dhurim i Hyjit pranohet vetëm me fe. Jezu Krishti është e Vërteta bërë Njeri, që e tërheq botën drejt vetes. Drita e rrezatuar nga Jezusi është shkëlqimi i së vërtetës. Çdo e vërtetë tjetër është fragment i së Vërtetës së madhe, që është Ai vetë e Atij i referohet. Jezusi është ylli polar i lirisë njerëzore: pa Të, ajo e humbet orientimin, pasi pa njohur të vërtetën, liria shpërfytyrohet, izolohet dhe reduktohet në vullnet arbitrar të shterpët. Me Të, liria gjen vetveten, si e krijuar për të mirën dhe shprehet në veprime e sjellje bamirësie.

Për këtë arsye, Jezusi i dhuron njeriut familjaritetin e plotë me të vërtetën dhe e fton vazhdimisht të jetojë në të. Është e vërteta e ofruar si realitet, që e ushqen njeriun, por njëkohësisht, e kapërcen dhe e mbizotëron atë; e ofruar si Mister, që mirëpret dhe njëkohësisht, del jashtë kufijve të inteligjencës. Asgjë si dashuria për të vërtetën nuk arrin ta shtyjë inteligjencën njerëzore drejt horizonteve të pazbuluara. Jezu Krishti, që është plotësia e së vërtetës, tërheq pas vetes zemrën e çdo njeriu, e zgjeron dhe e mbush atë me gëzim. Njëmend, vetëm e vërteta është në gjendje ta pushtojë mendjen dhe ta bëjë atë të gëzohet tërësisht. Është ky gëzim, që i zgjeron përmasat e shpirtit njerëzor, duke e çliruar nga ankthi i egoizmit dhe duke e bërë të aftë për dashuri të vërtetë. Është përvoja e këtij gëzimi, që mallëngjen, ajo që e tërheq njeriun drejt adhurimit të lirë, jo drejt përuljes servile, por drejt përvuajtjes së zemrës para së Vërtetës që takon.

Prandaj, shërbimi për fenë, që është dëshmi e Atij, i cili është e Vërteta e plotë, është edhe shërbim për gëzimin e është ky gëzim, që Krishti dëshiron ta përhapë në botë: është gëzimi i besimit në Të, i së vërtetës që na komunikohet përmes Tij, i shpëtimit që vjen prej Tij! Ky është gëzimi, që provon zemra, kur gjunjëzohemi për të adhuruar Jezusin me fe të gjallë! Kjo dashuri për të vërtetën frymëzon dhe orienton edhe praninë e krishterë në botën bashkëkohore dhe impenjimin ungjillëzues të Kishës.

26 tetor 2023, 10:01