Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXVI të vitit liturgjik 'A
R.SH. - Vatikan
Shёmbёlltyra e dy djemve qё na tregon Ungjilli i kësaj diele nga Mateu (Mt 21,28-32), na flet pёr përfaqësuesit dhe mbështetësit e një feje sipërfaqësore, "fasadё", sa “pёr sy e faqe”, të cilën Jezusi e kundërshton. Janë "kryepriftërinjtë dhe kryetarët e popullit" (rr. 28), të cilët, sipas qortimit të Jezusit Zot, në Mbretërinë e Hyjit do të kalohen e paraprihen nga mbledhësit e taksave dhe prostitutat (krh rr. 31). Jezusi nuk i përmend e nuk i parqet mbledhësit e taksave dhe prostitutat si shembuj të jetës, por si "persona të privilegjuar tё Mëshirës së Zyjit, sepse konvertimi ёshtё hir që Zoti ia ofron kujtdo që kthehet tek Ai.
“Kush e kryen me të vërtetë vullnetin e Zotit?” Kjo është pyetja, që na drejton sot Jezu Krishti, në kreun 21 të Ungjillit sipas Mateut, në këtë të diel XXVI të vitit liturgjik A. Por ja një fragment nga Ungjilli i kësaj së diele:
28 “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’ 29 Ai iu përgjigj: ‘Nuk dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi. 30 Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai iu përgjigj: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi. 31 Cili prej të dyve e kreu vullnetin e t’et?” I thanë: “I pari!” “Përnjëmend po ju them: - vazhdoi Jezusi - tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. 32 Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë e ju nuk i besuat, tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar”.
Të lutemi së bashku:
Fjalët e tua, o Jezus,
tingëllojnë si sharje
për të devotshmit e të përkushtuarit e djeshëm e të sotëm,
për të gjithë ata, që mendojnë
se kanë të drejtë të shpërblehen
me një vend të rëndësishëm në Mbretërinë, që Ti e shpall.
Laviret e tagrambledhësit
natyrisht, as i afrohen jetës shenjte
e, megjithatë, e ndiejnë nevojën
për t’u penduar, për të ndryshuar.
Ndryshe nga ne
që tepër shpesh, kemi ndërtuar
një sistem jete të papërshkueshëm nga Ungjilli yt,
nga kërkesa jote për të ndryshuar
drejtim, sjellje, stil jetese.
Oh, e kemi gjithnjë emrin Tënd në majë të gjuhës
por zemra rreh larg Teje.
Diskutojmë për probleme teologjike e baritore,
por jemi të bindur katërcipërisht
se vendimet që marrim, janë më të mirat,
se idetë tona janë të gjitha të drejta,
se s’ka, pra, asgjë
për t’u hequr, për t’u ndrequr, për t’u shndërruar
në këtë ekzistencën tonë të mjerë.
Kështu, ditë pas dite, shpirti na ngurtësohet
e ia mbyllim zemrën çdo mundësie për të të marrë seriozisht,
e për ta lënë veten në dorën Tënde
që të na shndërrosh krejtësisht.