Kërko

Shtëpia e Mëshirës Shtëpia e Mëshirës

Shtëpia e Mëshirës, vend mikpritës për “të mënjanuarit” e Ulan Batorit

Dëshmitë e drejtorit, të një misionareje dhe të një gruaje me aftësi të kufizuara i tregojnë Papës për mikpritjen ungjillore, që ofrohet në këtë vend të kryeqytetit mongol, ku veprimtarët dhurojnë jo thjesht ndihmë, por ngushëllim, dëgjim, kujdes mjekësor për më të brishtët. Motër Veronika: duke ndenjur me të mënjanuarit dhe të pastrehët kuptova se jam më e varfër se ata

R.SH. – Vatikan

         Është vëlla Andrew Tran Le Phuong, drejtor i Shtëpisë së Mëshirës, ​​struktura e përuruar sot nga Papa në Ulan Bator. Pikërisht ai i uroi mirëseardhjen Papës në fillim të takimit, i fundit i udhëtimit papnor në Mongoli. Në fjalët e tij, si në ato të dëshmive të mëvonshme, mëshira e Zotit, së cilës i takon kjo shtëpi, merr formë derisa pushton edhe zemrën e dëgjuesve me pamjet e saj të fuqishme. Ky vend është edhe qendër e ndihmës së parë për të pastrehët, shpjegon vëlla Andrew, vend ku mirëpriten çdo ditë të varfër, të pambrojtur, veçanërisht gra dhe fëmijë, emigrantë dhe të gjithë ata, që bota nuk i do. Madje, ka edhe shërbim lavanderie dhe banjo, u jepen ushqime dhe rroba të pastra, por sidomos, kanë me kë të flasin, pasi dikush ulet të dëgjojë me dashamirësi këdo, që troket në derë.

Vend inkurajimi dhe shprese

“Ideja fillestare e kardinalit Giorgio Marengo - shpjegon drejtori i Shtëpisë së Mëshirës - ishte krijimi i një qendre ku të gjitha institucionet e Kishës, që veprojnë në sektorët e drejtësisë shoqërore dhe të ndihmës për nevojtarët, mund të bashkohen dhe të japin një kontribut të përbashkët dhe konkret. Ne kërkojmë lidhje me të gjithë ata, që kanë të njëjtat vlera të dhembshurisë dhe të përgjegjësisë shoqërore, me frymë sinodaliteti. Duke u bërë jehonë fjalëve, që Shenjtëria Juaj ka thënë në raste të ndryshme, ne dëshirojmë të jemi në anën e atyre, që nuk kanë të drejtë të flasin, ose nuk dëgjohen”. Pra, Shtëpia është vend inkurajimi, ku ata që kanë humbur gjithçka, shpresojnë të nisin një jetë të re, ku ndërtohet "një botë tjetër, në frymën e bashkimit dhe të mëshirës", ku "barrierat thyhen me punën vullnetare ndërfetare dhe komunitare”, ku kapërcehen "kufijtë e dallimeve”, duke i bashkuar ata, që shpesh harrohen.

Motër Veronika: Unë jam më e varfër se njerëzit, të cilëve u shërbej

Konfirmimi vjen nga murgesha Veronica Kim e Motrave të Shën Palit të Chartres, e cila kryen shërbimin e saj në klinikën e Shën Marisë në Mongoli, ku kalojnë mesatarisht 12.000 pacientë në vit. Tani, ajo ofron ndihmën e saj edhe për ata, që trokasin në dyert e Shtëpisë së Mëshirës. Të dhënat që i paraqet Papës janë dramatike: në Mongoli, jetojnë 9.000 të pastrehë, të cilët nuk kanë mundësi mjekimi, ndërsa niveli i varfërisë arrin në rreth 27%. Ndërsa shpjegon llojet e shërbimit që ofron klinika – si kujdes mjekësor për ata që nuk kanë dokumente, operacion falas për fëmijët me sëmundje zemre, shpërndarje ilaçesh që nuk i gjen në Mongoli, mbështetje financiare për koston e operacionit, etj. - motër Veronika i tregon Papës një kujtim emocionues: "Po përgatisja kafe të nxehtë në një mëngjes të ftohtë dimri, në vitin 2017 dhe, nga e çara e derës, pashë tre të pastrehë, që po përpiqeshin të ngroheshin. Në atë çast, me filxhanin e kafes së nxehtë në dorë, më erdhi aq keq sa fillova të qaja. Që atëherë, u ofroj çaj e bukë atyre, që vijnë në mëngjes dhe pasi më vodhën edhe këpucët, u siguroj këpucë atyre, që kanë nevojë. Gjatë këtyre tetë viteve, e kam kuptuar se në të vërtetë, jam më e varfër se njerëzit, të cilëve u shërbejmë. Duke ndenjur me ta, jam unë ajo, që gradualisht, gjeta ngushëllim e mbrojtje nga ndikimet negative të botës sonë materialiste”.

Historia e Lucia Otgongerel

Janë përvoja, që mësojnë si t’i hapet zemra Zotit e kështu ndodh edhe kur Lucia Otgongerel, nga famullia e Shën Marisë në Ulan Bator merr fjalën, pas valles së fëmijëve të strukturave arsimore katolike për Papën. Lucia është e gjashta ndër tetë fëmijë, e lindur me një keqformim të rëndë, nuk ka as krahë e as këmbë, megjithatë, thotë se është ndjerë gjithmonë "normale dhe e lumtur". Para Pasardhësit të Shën Pjetrit, flet me buzëqeshje, në emër të gjithë invalidëve, për takimin e saj të parë me Kishën Katolike, përmes misionarëve të Zojës së Ngushëllimit. “Kur pashë kryqin, pashë Jezusin me gozhdë në duar dhe në këmbë: pse gozhdohet një person kështu? Sapo gjeta përgjigjen e kësaj pyetjeje brenda vetes, kuptova se Jezusi është gozhduar në kryq për mua, nga dashuria, për mëkatet e mia dhe ndjeva se ky është një kryq, që më duhet ta mbaj dhe ta bart me dëshirë. Prandaj, u them shumë vëllezërve dhe motrave besimtare me aftësi të kufizuara se Zoti jep çdo gjë, i jep mundësinë çdo njeriu dhe, nga mënyra se si shihet dhe pranohet kjo mundësi, jeta mbushet ose jo me dashurinë e Zotit. Më mungojnë dy krahë dhe dy këmbë, por dua të them se jam njeriu më me fat në botë, sepse kam vendosur ta pranoj plotësisht dashurinë e Zotit, dashurinë e Jezusit”.

04 shtator 2023, 12:31