Shenjta Nënë Terezë, një Nënë për të tjerët
R.SH. / Vatikan
“Atë që bëni për më të voglin e këtyre vëllezërve të mi, ma keni bërë mua”. Këto fjalë të Jezusin që na sjell Ungjilli i Mateut (Mt 25, 40) ishte baza e bindjes së Nënë Terezës, e fesë së saj të thellë se duke prekur trupat e shkatërruar të të varfërve, prekte Korpin e Krishtit. Këto fjalë nga Ungjilli Mateu janë të rëndësishme për të kuptuar shërbimin e Nënë Terezës ndaj të varfërve. . Ajo i shërbente vetë Jezusit, të fshehur pas pamjes së mjerë të të varfërve më të varfër. Nënë Tereza zbuloi kuptimin më të thellë të shërbimit si vepër dashurie që, duke u bërë për të uriturit, të eturit, të huajtë, të zhveshurit, të sëmurët, të burgosurit, (cf. Mt. 25: 34- 36), bëhet për vetë Jezusin.
Duke e parë Jezsuit tek të varfrit, Ganxhe Bojaxhiu i shërbeu me devocion të thellë, dhe shprehu kështu delikatesën e dashurisë për Dhëndrin e saj Jezus. Prandaj në dhurimin e plotë të vetvetes për Zotin dhe për të afërmin, Nënë Tereza e realizoi plotësisht vetveten dhe zbuloi cilësitë më fisnike të femërisë së saj. Ajo donte të ishte një shenjë e dashurisë së Zotit, e pranisë së Zotit, e mëshirës së Zotit, dhe kështu na kujton të gjithëve vlerën dhe dinjitetin e secilit prej bijve të Zotit, që janë krijuar për t'u dashur dhe për të dashur. Prandaj Nënë Tereza ishte ajo që i çonte shpirtrat tek Zoti e Zotin tek shpirtrat.
Falënderojmë Zotin për Dhuratën e Shenjtes Nënë Terezë si shqiptarë e si besimtarë, shembull dashurie e shërbimi.
Për Nёnё Terezën të varfërit nuk ishin vetëm miliona njerëzit, që kishin dhe kanë ende sot uri për bukë. Për Nënë Terezën të varfërit ishin miliona njerëz të përjashtuar, të braktisur nga shoqëria, njerëz pa familje, që kanë etje për dashuri, për dinjitet, për paqe, drejtësi e shpresë. Pra Nënë Tereza zbuloi dhe njohu në të varfrit fytyrën e Krishtit Zot, e dashurisë së tij ajo iu përgjigj me dashurinë e pamasë për më të varfrit. Ky qe mesazhi i vetëm i Shenjtës Nënë Terezë: t’u thoshte njerëzve, që vuanin e vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur.
Për shumë Mot e Gëzuar festën e Shenjtës Nënë Terezë.