Kërko

At Lello Lanzilli, jezuit At Lello Lanzilli, jezuit

Në Gregoriana, kontributi i dialogut ndërfetar në Shqipëri për Ballkanin

Më 28 e 29 shtator, në Universitetin Gregorian të Romës, që administrohet nga jezuitët, mbahet një seminar me temë: “Dialogu ndërfetar: kontributi i Shqipërisë në Ballkan”, organizuar nga Qendra e Studimeve Ndërfetare në këtë universitet, së bashku me Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan. Ndër relatorët, emra të njohur meshtarësh, që kanë shërbyer gjatë në Shqipëri, si për shembull, atë Lello Lanzilli, i cili, aktualisht, është sekretari personal i prefektit të Sekretarisë për Ekonominë

R.SH. – Vatikan

 Dy ditë kushtuar dialogut ndërfetar në Shqipëri dhe kontributit që vendi i shqipeve mund të japë në Ballkan. Më 28 e 29 shtator, në Universitetin Gregorian të Romës, që administrohet nga jezuitët, mbahet një seminar me temë: “Dialogu ndërfetar: kontributi i Shqipërisë në Ballkan”, organizuar nga Qendra e Studimeve Ndërfetare në këtë universitet, së bashku me Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan.

Gjatë sesioneve studimore do të alternohen profesorë dhe studiues të traditave të ndryshme fetare, aktivë në nismat e dialogut dhe të bashkëpunimit ndërfetar në Shqipëri. Qëllimi i seminarit është të inkurajojë harmoninë ndërfetare dhe shoqërore, si edhe edukimin për paqen. Ndër relatorët, emra të njohur meshtarësh, që kanë shërbyer gjatë në Shqipëri, si për shembull, atë Lello Lanzilli, i cili, aktualisht, është sekretari personal i prefektit të Sekretarisë për Ekonominë në Selinë e Shenjtë, por që nga viti 1993, ka shërbyer në Shqipëri, fillimisht në Tiranë e pastaj, në Shkodër, ku ka kryer shumë detyra.

Ndër to, përgjegjës për baritorinë universitare në kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, përgjegjës për baritorinë rinore në rang kombëtar, profesor i teologjisë morale në Institutin Filozofiko-Teologjik të Shkodrës, atë shpirtëror në seminarin ndërdioqezan, kancelar në kryedioqezën e Shkodër-Pultit, rektor i shkollës “At Pjetër Meshkalla”, para se të kthehej në Itali, në Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve e, nga viti 2020, në Sekretarinë vatikanase për Ekonominë. Të dëgjojmë vetë At Lello Lanzillin-n, në mikrofonin e programit shqip të Radio Vatikanit, për seminarin që fillon nesër (28 shtator)…

Dëgjo At lello Lanzilli-n, intervistuar nga Klaudia Bumçi...
27 shtator 2023, 17:18