Kërko

Mongoli, pasuria e feve: duke punuar së bashku për të mirën e të gjithëve

Mongolia ka një pluralitet fetar, që misionarët dhe misonaret u mësuan ta njohin, ta studiojnë dhe ta vlerësojnë, në një dialog që, me kalimin e kohës u rrit dhe mori formën e praktikës së takimeve të rregullta. Mongolia si vend me traditë të gjatë të përshpirtërisë shamanike dhe budiste, e pjesërisht edhe islamike kujtohet edhe "për pasurinë e madhe shpirtërore të krishterimit.

R.SH. / Vatikan

"U takova me udhëheqësit mongolë dhe ata më siguruan se Kushtetuta e re garanton pluralizmin fetar dhe se të gjitha fetë e besimet do të priten mirë. Por ndërkaq nuk e dinin sa të krishterë kishte ndërmjet më se dy milionë mongolëve. Si numër, dua të them". Kështu, në prill të vitit 1992, misionari dhe sinologu i madh belg Jerome Heyndrickx, ish-epror i provincës sinike të kongregacionit misionar të Scheuts, tregoi disa hollësi interesante të udhëtimit që bëri në tetor 1991, kur shkoi në Ulaanbaatar për të filluar misionet e para katolike në Mongoli, pasi krerët e atij vendi kishin kërkuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë.

Edhe sot, afërsisht 1500 katolikë mongolë përfaqësojnë një bashkësi të vogël, në gjirin e një popullsie që ndjek kryesisht budizmin lamaist (shih artikullin nga Victor Gaetan në Fides 24/7/2023).

Sipas regjistrimit kombëtar të vitit 2020, 52% e kombit është budiste, 41% e konsideron veten "jofetarë", 3.2%, myslimane. Dhe e gjithë puna misionare, që lulëzoi në Mongoli në dekadat e fundit, ka qenë gjithnjë e hapur për takimin me besimtarët e besimeve të tjera si një përmasë themelore dhe veçori strukturore, siç dëshmohet nga video-raporti i pestë i prodhuar për Agjensinë Fides nga Teresa Tseng Kuang yi lidhur me shtegtimin e Papës Françesku në Mongoli (31 gusht-4 shtator)

Mongolia - shpjegon në vieo-reportazh Kardinali Giorgio Marengo, misionar i Zojës Ngushëlluese dhe Prefekt Apostolik i Ulaanbaatar - si  "vend me traditë të gjatë të përshpirtërisë shamanike dhe budiste, e pjesërisht edhe islamike" u kujtua "për pasurinë e madhe shpirtërore të krishterimit" dhe thirri menjëherë edhe misionarët katolikë. U krijua, kështu, një pluralitet fetar, që misionarët dhe misonaret u mësuan ta njohin, ta studiojnë dhe ta vlerësojnë, në një dialog që, me kalimin e kohës u rrit dhe mori formën e praktikës së takimeve të rregullta gjithnjë e më të shpeshta me përfaqësues të besimeve të tjera. Prej dy vjetësh çdo dy muaj mbahen takime për bashkëjetesën dhe dialogun ndërfetar. Gjatë takimeve - shton kardinali Marengo në video-raport - "thellohen temat e interesit të përbashkët, të vështirësive dhe të mundësisë së zgjidhjeve të përbashkëta. Promovohen edhe nisma të përbashkëta, veçanërisht në fushën e bamirësisë”.

Përvoja e miqësisë dhe e bashkëpunimit ndërmjet besimtarëve të bashkësive të ndryshme fetare, larg çdo abstraksioni, ka rrugë praktike që ndikojnë në bashkëjetesën kombëtare. Kjo përvojë - nënvizon Prefekti Apostolik i Ulan Baatar - tregon se "çdo traditë fetare e vërtetë, e mirëfilltë kontribuon në mënyrën e vet për zhvillimin e shoqërisë. Sepse “traditat e ndryshme fetare, në larminë e tyre, nuk janë kërcënim, por nëse arrijnë të harmonizohen mirë me njëra-tjetrën, janë burim për çdo shoqëri e edhe për shtetin". Janë si “pasuri që e dialogojmë dhe e qarkullojmë ndërmjet nesh”.

Takimet që Papa Françesku do të ketë me liderët fetarë gjatë këtij shtegtimi në Mongoli, do të mund të ngushëllojnë dhe të konfirmojnë misionarët, misionaret dhe bashkësinë katolike mongole në udhën e tyre të vëllazërisë dhe të afërsisë me besimtarët e feve të tjera. "E dimë - thotë Kardinali Marengo në video-reportazh "se edhe miqtë e përfaqësuesit e traditave të tjera fetare kanë respekt dhe admirim të madh për Atin e Shenjtë". 

(Gianni Valente nga Agjencia Fides, 23/8/202)

01 shtator 2023, 15:49