Kërko

Kardinali Giorgio Marengo me Papën Françesku Kardinali Giorgio Marengo me Papën Françesku

Kardinali Marengo: fjalët e Papës në Mongoli u vlerësuan edhe nga jo katolikët

Prefekti apostolik i Ulan Batorit bën një bilanc të shtegtimit të 43-të apostolik të Françeskut, "udhëtarit të paqes": "Shumë më kanë shkruar, sepse u prekën nga fjalët e Atit të Shenjtë, që e ngriti lart bukurinë dhe vlerën e historisë dhe të popullit mongol". Nga Papa, një mesazh për botën dhe për vendet fqinje: "U dëshmoi se jo gjithçka përcaktohet vetëm nga logjika e llogarive, e pushtetit, e dominimit"

R.SH. – Vatikan

Kardinali Giorgio Marengo, prefekti apostolik i Ulan Batorit, ku Papa ndodhej deri dje, për të takuar popullsinë, por sidomos grigjën e vogël katolike prej 1500 të pagëzuarish në Mongoli, është më se i kënaqur për këtë vizitë, protagonist i së cilës ishte edhe vetë. Prania e Françeskut dha rezultate "të papritura" për një Kishë të vogël në numër e në mjete, e cila, gjithsesi, ishte në gjendje të organizojë shtegtimin e parë historik të një Pape në tokën e Xhengis Khan-it, vend i ngërthyer ndërmjet Rusisë dhe Kinës.

Prefekt apostolik i Ulan Batorit që nga viti 2020, 49 vjeç, më i riu i Kolegjit Kardinalor, Marengo e shoqëroi Atin e Shenjtë në të gjitha ngjarjet, që shënuan vizitën: nga mbërritja në aeroportin e Xhengis Khan-it, deri në përurimin e Shtëpisë së Mëshirës më 4 shtator, gjatë së cilës i paraqiti Françeskut të sëmurët dhe të paaftët e strehuar në të. Në një intervistë me mediat e Vatikanit, kardinali, madje, “Át Giorgio”, siç e quajnë të gjithë mongolët, bën bilancin e udhëtimit të Papës në Mongoli…

Do të thosha me të vërtetë një hir total, nuk di si ta përkufizoj ndryshe, kemi marrë një dhuratë të pamasë dhe si çdo dhuratë falas, shkon shumë përtej shpresave dhe pritjeve tona. Lodhja e përgatitjeve – sepse jemi vend i vogël, pa shumë mjete dhe njerëz të përshtatshëm – u kapërcye nga gëzimi për praninë e Atit të Shenjtë, për dëshminë e tij të përvuajtur, të thjeshtë dhe të afërt, që krijoi menjëherë harmoni me njerëz të çdo lloji. Kam pasur komente shumë pozitive nga njerëz, kryesisht jo të lidhur me Kishën, për faktin se Papa arriti ta nxjerrë në pah bukurinë, origjinalitetin e këtij populli; fjalimet e tij përmbanin vërtet elemente, që i bënin njerëzit të ndiheshin krenarë. Pra, prania fizike e një lideri fetar me famë botërore, pavarësisht nga problemet me shëndetin, që solli këtë mesazh çarmatosës të vëllazërimit, bashkëpunimit, harmonisë, sigurisht që ia ka prekur zemrën popullit. Gjithashtu, ka kontribuar në njohjen e vetë Atit të Shenjtë dhe të asaj që ai përfaqëson, gjë që më parë nuk ishte kaq e plotë, por pak sipërfaqësore.

Papa, përveçse vlerësoi bukurinë dhe historinë e Mongolisë, i dha rëndësi edhe rolit të saj në arenën ndërkombëtare. Nga Ulan Batori u dërgoi mesazhe dy vendeve fqinje, Rusisë dhe Kinës. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Mendoj se dëshmia e Papës për paqen, si lajmëtar i paqes, ose, siç e ka quajtur veten disa herë, si shtegtar, si udhëtar i paqes, pra, paraqitja e tij në këtë mënyrë sigurisht që e ka ndihmuar krijimin e kësaj perspektive. Edhe motoja “Të shpresojmë së bashku" do të thotë se ka shpresë, se nuk përcaktohet gjithçka vetëm nga logjika e llogarive, e pushtetit, e mbizotërimit, e interesit, por ka një botë të vërtetë, morale, shpirtërore, bazuar në marrëdhënie autentike, që mund të krijojë kushte për paqe të qëndrueshme. Çdo popull - pavarësisht nga numri dhe rëndësia e tij relative - ka përgjegjësi në ndërtimin e së ardhmes në paqe: ky mesazhi i Atit të Shenjtë. Ne urojmë që mesazhet e Papës, të transmetuara me guxim, me parrezi e pa doreza, të kthehen në programe konkrete të bashkëpunimit paqësor, edhe ndërmjet feve. Jemi të sigurt se do të kemi rezultate pozitive, sepse ky vend i mban premtimet. E shpresojmë edhe që Kisha të rritet, duke u thelluar në fe, duke zbuluar rishtas bukurinë e fesë, që shndërrohet në rrënjë më të thella, më të frytshme, si edhe duke e jetuar këtë përshpirtëri si qytetarë të këtij vendi. Është dhuratë, por edhe përgjegjësi për të gjithë ne. Kisha është e re, por duhet ta ruajë atë fëmijëri shpirtërore, që nuk është vogëlsi, por vështrim i drejtuar kah Hyji, që më pas, konkretizohet në besimin, lëshimin në duart e Tij, në aftësinë për të falur e për t’u pajtuar me të tjerët.

05 shtator 2023, 13:48