Kërko

Vangelo della domenica XXIII 'A' - Gesù e la correzione-fraterna Vangelo della domenica XXIII 'A' - Gesù e la correzione-fraterna

Fjala e Zotit e dielës së 23-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Pedagogjia e qortimit është ajo, që këshillon Jezusi në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu, duke na nxitur të gjithëve të mos e marrin nëpër gojë vëllain por, kur gabon, të heshtim e të lutemi për të. Jezusi na fton të reflektojmë mbi përmasën e dyfishtë të jetës së krishterë, atë të bashkësisë, që kërkon mbrojtjen e bashkimit, e atë personale, që të detyron të kesh vëmendje dhe respekt për çdo ndërgjegje individuale.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së dielës së 23-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës. Bashkësia e besimtarëve rritet e përforcohet me gjestet konkrete të dashurisë: ndreqjen apo korrigjimin vëllazëror dhe uratën. Leximet biblike të kësaj së diele paraqesin përmasën e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve të një komuniteti. Në fragmentin e Ungjillit (18,15-20)  Jezusi na propozon një gjë të vështirë por të rëndësishme e të çmueshme për familjet e komunitetet tona: korrigjimin vëllazëror.

Liturgjia e Fjalës e dielës së 23-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Liturgjia e Fjalës e dielës së 23-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Përpara Zotit jemi të gjithë mëkatarë, e të gjithë kemi nevojë për falje. Të gjithë pa dallim e pa pёrjashtim. Jezusi na porosit të mos gjykojmë. Qortimi vëllazëror, është, atëherë, aspekt i dashurisë dhe i bashkimit, që duhet të mbretërojnë në familjet dhe bashkësitë e krishtera, është shërbim reciprok, që duhet t’i bëjmë njëri-tjetrit. Këtё na kujton Jezusi nё Ungjillin e kёsaj sё diele nga Mateu, duke folur pёr e qortimin vëllazëror.

Kur na duhet të qortojmë një vëlla, që bën ndonjë gjë jo të mirë, Jezusi na këshillon ndërhyrjen progresive. ‘Shko e qortoje, ti e ai, vetëm për vetëm (Mt 18,15). Është sjellje plot delikatesë, urti, përvujtëri, respekt, vëmendje ndaj atij, që ka bërë faj, duke shmangur rrezikun që fjalët ta plagosin a ta vrasin vëllain. Sepse e dimë mirë që edhe fjalët vrasin! Kur unë e marr vëllain nëpër gojë kot, kur e kritikoj padrejtësish, kur e ‘theri’ me gjuhën time, kjo do të thotë ta vrasësh emrin e tij të mirë! Pra edhe fjalët vrasin.

Njëkohësisht, Ungjilli na kujton se kjo maturi, që na shtyn t’i flasim vëllait vetëm për vetëm, ka për qëllim të mos e poshtërojmë tjetrin e kur duam të qortojmë, të kemi parasysh, së pari, se fajtori duhet ndihmuar ta kuptojë atë, që ka bërë, ta marrë vesh se faji i tij ka prekur jo vetëm një njeri, por të gjithë. Duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin edhe për t’u liruar nga mllefi, nga inati, që bëjnë vetëm keq: inati e hidhëron zemrën, e nxit të fyejë e të sulmojë. Prandaj larg fyerjeve! Fyerja nuk është e krishterë, të fyesh nuk është e krishterë.

Ta qortosh vëllain, është shërbim i mundshëm dhe i frytshëm vetëm nëse secili e pranon se është mëkatar e se ka nevojë për faljen e Zotit. Vetë ndërgjegjja, që më bën ta shoh gabimin e tjetrit, më përpara më kujton se edhe unë vetë gaboj, e jo një herë të vetme. Prandaj, në fillim të çdo Meshe, jemi gjithnjë të ftuar të pranojmë, para syve të Zotit, se jemi mëkatarë e se kemi nevojё pёr falje e mёshirё. Ndër kushtet, që i bashkojnë pjesëmarrësit në kremtimin Eukaristik, dy kushte janë themelore, për të marrë pjesë mirë në Meshë: të gjithë jemi mëkatarë dhe të gjithëve Zoti u dhuron mëshirën e Tij Hyjnore. Kёtё duhet ta kujtojmë gjithnjë, para se të nisemi te vëllai, për qortim vëllazëror

Në Leximin I nga Ezekieli profet (33,7-9) shohim se prania e profetit në mesin e popullit të Zotit që nuk i ndjek urdhërimet e Hyjit është për ta thirrur popullit t’i kthehet udhës së drejtë të Zotit. Në leximin e parë, Zoti na thotë: ty të kam vënë si rojtar e si zë për vëllezërit tu.

Në Leximin II Pali apostull në Letrën drejtuar Romakëve (13,8-10) thekson se dashuria është urdhri më i madh sepse të gjithë njerëzit mund përfshihen e të përmbyllën në të.  Pali na kujton se: “keni vetëm një detyrim atë të dhurimit të dashurisë reciproke” . 

Në fragmentin e Ungjillit nga Mateu (18,15-20) mësojmë se i krishteri, i përngjan profetit, është i thirrur të jetë për komunitetin porsi Ezekieli: dritë, prijës, qortim, pajtim. "Prapë po ju them, pohon Jezusi: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell do t’ua japë. Sepse ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre.” 

                                                          Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Ez 33, 7-9) 
Nëse ti nuk i flet të patenzonit, unë do të kërkoj gjakun e tij prej dorës sate kur ai të vdesë. 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet 

Kështu thotë Zoti: “Ty, o biri i njeriut, unë do të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoji ata në emër tim. Në qoftë se unë të them për të paudhin: ‘I paudhë do të vdesësh!’, e ti nuk i thua që i patënzoni të largohet nga udha e tij e mbrapshtë, i paudhi do të vdesë në fajësinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate. Por, në qoftë se e qorton të patënzonin, që të kthehet nga rruga e vet e ligë, kurse ai nuk kthehet, ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde”. Fjala e Zotit.

Psalmi 95 (94)
Ref: O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd 

_____________________________
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, 
t’i këndojmë këngë hareje!
_____________________________
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, 
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë, 
ne jemi populli i kullotës së tij, 
grigja që ai e ruan.
_____________________________
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë, 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, 
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: 
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 13, 8-10) 
Dashuria është zbatimi i përsosur i Ligjit. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar ligjin. Sepse: ‘Mos bëj kurorëthyerje! Mos vrit! Mos vidh! Mos lakmo!’ e nëse ka edhe ndonjë tjetër urdhër, është i përfshirë në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit. Dashuria, pra, është zbatimi i përsosur i ligjit. Fjala e Zotit 

Ungjilli (Mt 18, 15-20)
Ne qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje, qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. Po qe se nuk të dëgjon, merre me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.
Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, dhe çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.
Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell do t’ua japë. Sepse ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre”. Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoc

E DIELA E XXIII GJATË VITIT: NË QOFTË SE VËLLAI YT MËKATON!

(Ez 33, 7-9; Ps 95 (94); Rom 13, 8-10; Mt 18, 15-20)

«Çfarë mund të presësh të mirë nga kjo botë, kur i poshtëruari skuqet më shumë se poshtëruesi?», shkruante poeti dhe publicisti shqiptar Dritëro Agolli. Edhe pse kemi rezerva të mëdha për ve­primtarinë politike e letrare të këtij njeriu gjatë diktaturës komuniste si edhe për pikëpamjet e tij në lidhje me fenë, gjithsesi ai kishte të drejtë kur mendonte se sa e vështirë dhe delikate është të qortosh dikë, sepse, me shumë mundësi, të duhet të përballesh me njëmijë poshtërime pikërisht nga njeriu që po e qorton. Disa njerëz kanë aftësinë e jashtëzakonshme që ta bëjnë të keqen dhe të dijnë ta mbrojnë atë me argumentet dhe me arrogancën e tyre të pashpirt dhe, ata që përpiqen t’i qortojnë e t’i korrigjojnë, përfundojnë shpesh të skuqen edhe më fort pse e morën guximin që ta bëjnë një gjë të tillë.

Në Ungjillin e sotëm, Jezusi flet për këtë aspekt shumë delikat të jetës së përditshme që është korrigjimi vëllazëror dhe flet për disa shkallë që mund të ndjekim kur qortojmë dikë dhe se si duhet të veprojmë në secilën prej këtyre shkallëve. Por duhet shumë kujdes edhe këtu, sepse edhe këto fjalë të Jezusit mund t’i lexojmë duke pasur në mendje frymën e botës kur bëhet fjalë për qortime e korrigjime e jo Frymën e Jezusit, Shpirtin e Tij. Gjithë ndryshimin e bëjnë fjalët «vëllai yt». Jezusi na e kujton se, në korrigjime e qortime, kemi të bëjmë gjithnjë e në mënyrë të pashlyeshme me një vëlla apo me një motër.

Plus kësaj, duke u bazuar në leximet e sotme, nëse duam të krijojmë një farë imuniteti përballë «skuqjes» që mund të na përplaset në fytyrë nga vëllai apo motra që mund të mos e pranojë korrigjimin tonë, duhet të jemi ne vetë në shinat e duhura. Domethënë duhet të synojmë gjithnjë shëlbimin e amshuar të vëllait e jo interesat tona të ngushta. Në leximin e parë, Zoti e dërgon profetin që ta qortojë bashkësinë e Izraelit, që ajo të kthehet e të shëlbohet. Nëse mëkatarët do të birren ngaqë profeti nuk ua shpalli të vërtetën, Zoti i thotë atëherë profetit: «Unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate.» Por, për për t’i dhënë atij zemër edhe më fort, Zoti i thotë profetit se ai nuk e ka për detyrë që t’i bindë patjetër dëgjuesit e tij, por e ka për detyrë që t’ua bëjë ta shohin gabimin në të cilin janë. «Jam e ngarkuar që t’jua them, jo t’ju bëj ta besoni.», u thoshte shpesh Shenjtja Bernardetë Subiru atyre që e merrnin në pyetje rreth të shfaqurave të Zojës në Lurdë dhe që shumë shpesh i thonin se nuk i besonin fjalëve të saj. Nëse mëkatari nuk kthehet, edhe pse profeti ia ka bërë korrigjimin në emër të Zotit, atëherë Zoti e ngushëllon shumë ëmbël profetin e vet me fjalët: «Ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde.»

E, në fakt, këtu arrijmë tek kuptimi i vërtetë i fjalës «profet». Të gjithë ne, në saje të pagëzimit, bëhemi meshtarë, mbretër e profetë. Profet nuk është ai që vetëm parashikon gjërat që do të ndodhin. Kjo është një dhuratë e posaçme që Zoti ia jep disave, por të gjithë ne të pagëzuarit e kemi mundësinë që botës t’i shpallim të vërtetat që Krishti na ka mësuar. Profet, pra, do të thotë të shpallësh vullnesën e Zotit në mjedisin ku jeton. Sikurse psalmisti i sotëm, edhe ne mund t’i drejtohemi botës me fjalët: «Oh, sikur ta ndienit sot zërin e Zotit: “Mos e bëni zemrën tuaj gur!”», që bota të mund të arrijë shëlbimin e amshuar.

Kjo përspektivë e shëlbimit të amshuar duhet të jetë forca e besimtarit për ta korrigjuar vëllanë apo motrën që gabon. Edhe këtu nuk duhet të lodhemi kurrë së thëni se nevojitet kujdes shumë i madh, sepse, fakti që duam shëlbimin e tyre të amshuar, në asnjë mënyrë nuk na jep leje që të jemi arrogantë e të patakt, siç ndodh jo rrallë në mes të të krishterëve fanatikë. Madje edhe shumë prelatë të Kishës, ndër shekuj, me justifikimin që të shkulnin të keqen, kanë arritur të kryenin gabime të rënda dhe deri edhe krime shumë të urryeshme. Ndoshta për këtë Shën Pali e shihte të nevojshme që t’i sqaronte të krishterët: «Vëllezër, askujt të mos i kemi tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar Ligjin... Dashuria nuk i bën keq të afërmit.» Duhet të besojmë tek forca e dashurisë, sepse, kur ajo e shoqëron fjalën që themi, i jep asaj një forcë të veten. E shpjegonte shumë bukur këtë edhe shkrimtari, poeti e dramaturgu i madh gjerman, Johan Volfgan Gëte: «Korrigjimi bën shumë punë, por inkurajimi bën edhe më shumë.»

Njeriu është një qenie shumë e brishtë, por, nga ana tjetër, ai di të jetë edhe shumë fantastik. Nga fakti se të gjithë jemi të gabue­shëm, duhet të ruajmë brenda nesh përvujtërinë. Zoti na bën një nderë shumë të madhe kur na i vetëton në ndërgjegjen tonë mëkatet tona: jo se ka dëshirë të na poshtërojë, por ka dëshirë të na ruajë në përvujtëri, sepse kështu do të dimë të jemi më të dashur me të tjerët. Kështu, pastaj Zoti jo rrallë na vetëton në shpirt edhe bukurinë e vetëdijes se jemi të falur prej Tij, falje e cila na hap shumë horizonte të reja në shpirt. Prandaj Zoti dëshiron që, sikurse e besojmë për vete bukurinë e mundësisë për t’u përmirësuar, ta besojmë edhe për të tjerët. E, shumë shpesh, ka njerëz që bëjnë zgjedhje fantastike kur mësojnë nga gabimet e tyre.

Por, e thamë edhe më sipër, Jezusi në Ungjillin e sotëm na mëson disa shkallë që duhet të ndjekim në qortimin tonë: «Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje, qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllanë tënd.» Sa e vështirë është kjo shkallë e parë e qortimit vetëm për vetëm, por sa e dobishme dhe vendimtare rezulton të jetë në shumë raste! Prandaj le t’i besojmë urtisë së Jezusit!

«Po qe se nuk të dëgjon, merre me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve.» Këtu Jezusi i përmbahet edhe praktikës hebreje e cila mësonte se, në rastet e ndonjë gjyqi, nevojiteshin të paktën dy dëshmitarë. Një praktikë kjo që ka patjetër mençurinë e vet, sepse fton në ballafaqim idesh dhe argumentesh si nga ai që qorton, ashtu edhe nga ai që e merr qortimin. Fjalët vlejnë aq sa vlejnë argumentet.

«Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës.», vazhdon Jezusi. Këtu kalohet në një aspekt shumë të rëndësishëm, sepse shumë teologë shohin në këto tekste ungjillore, praktikat e hershme të Kishës në lidhje me sakramentin e rrëfimit. Jo gjithnjë ndër shekuj sakramenti i rrëfimit është praktikuar në format që i njohim ne sot. Patjetër që struktura qendrore nuk ka ndryshuar, por disa forma e detaje po. E struktura qendrore e sakramentit të rrëfimit kërkon që ne, të pagëzuarit, kur mëkatojmë, ta rrëfejmë mëkatin tonë para bashkësisë së krishterë, apo para meshtarit që e përfaqëson atë. Me mëkatin tonë ne jemi larguar jo vetëm nga Zoti, por edhe nga bashkimi me Kishën e Tij. Prandaj të krishterët gjithnjë e shihnin si të nevojshme që, kur binin në mëkate të rënda, të kërkonin faljen jo vetëm nga Zoti, por edhe nga Kisha, e përfaqësuar nga apostujt dhe pasardhësit e tyre. Prandaj fjalët që Jezusi shton menjëherë pas, kanë të bëjnë me këtë pushtet të cilin Ai u ka dhënë apostujve dhe pasardhësve të tyre: «Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell dhe çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.» Janë fjalë shumë të bukura, sepse Jezusi na garanton praninë e Tij në personin e atij që na përfaqëson autoritetin kishtar në çastet kur rrëfehemi. Vetëm në një rast nuk mund ta marrë zgjidhjen e mëkateve i pagëzuari: kur nuk është i penduar sadopak për mëkatin e tij. Në të gjitha rastet e tjera, ai ka të drejtën para Zotit që të kthehet në shtëpi i pastër dhe i lindur sërish në Hir të Zotit.

E pikërisht, kur mëkatari nuk është i penduar as aty për mëkatin e tij, Jezusi na mëson që të bëjmë shumë më shumë kujdes: «Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.» Ne mund të mendojmë se këtu Jezusi po na jep leje që të zemërohemi e të mbushemi me urrejtje ndaj mëkatarit. Por duhet ta pyesim veten se si është sjellë Jezusi pikërisht me paganët e me tagra­mbledhësit. Me ta Ai është treguar shumë i dashur. Patjetër që nuk e miratonte jetën e tyre mëkatare, por rrinte me ta, hante me ta, bisedonte gjatë me ta, pa i fyer ata kurrë, por vetëm duke u dhuruar dashuri. Patjetër që i ftonte edhe në kthim, por brenda taktit dhe respektit të duhur që kurrë nuk ua mungonte. Prandaj edhe ne, kur dikush nuk e pranon qortimin tonë vëllazëror, është e vërtetë se mund t’i themi se, me mënyrën mëkatare të të jetuarit të tij po largohet nga Hiri i Zotit, por gjithsesi jemi të thirrur që të tregojmë gjithnjë dashuri, respekt dhe përzemërsi edhe me ta. Edhe në ato raste duhet të na jehojë në vesh fjala e Jezusit që na thotë se ai është gjithësesi «vëllai yt». Janë vëllezërit dhe motrat tona edhe në ato raste dhe e kanë gjithnjë në vetvete dinjitetin prej bijve e bijash të Hyjit, dinjitet të cilin askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë, as kur e mohojnë ata vetë, apo na bëjnë të skuqemi që ua kujtuam. Neve na kërkohet, atëherë, të sillemi mirë me ta, edhe më fort ashtu si do të ishte sjellë Jezusi.

Prandaj është fushë shumë delikate ajo e korrigjimit vëllazëror dhe na duhet të kapemi fort pas Jezusit, nëse nuk duam të gabojmë.

Dom Dritan Ndoci

09 shtator 2023, 10:19