Festa e Nënë Terezes në dioqezën e Sapës
R.SH. / Vatikan
Kisha dioqezane e Sapës kremtoi dje më 5 shtator festën e Shenjtes Nënë Terezë, me Meshën solemne në Kishën Katedrale që bartë emrin e Shenjtes shqiptare dhe me momente tjera lutjeje e vëllazërimi. "Kujtimi i Nënës në ditën e festës së saj nuk mjafton, tha mes tjerash ipeshkvi Sapes imzot Kulli. Edhe ne mund të sjellim një gëzim të pashprehur, shpresë dhe guxim në jetën e atyre njerëzve që kemi përreth, që vuajnë për mungesë ushqimi, për mungesë ilaçesh, veshjesh, shtëpish, por edhe për mungesë të një buzëqeshjeje, të një fjale të ngrohtë apo të pranisë së një miku". Po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim njoftimin e Violeta Marashit:
FESTA E NËNË TEREZES NË DIOQEZËN E SAPËS
Ashtu si në mbarë botën, dita e 5 shtatorit që shënon festën e Shenjtëreshës Shqiptare, Nënë Tereza është përkujtuar edhe në Dioqezën e Sapës. Festës i parapriu treditëshi i shenjtë kushtuar Nënë Terezes, ku u mbajtën lutje dhe adhurim në nder të saj. Të shumtë ishin besimtarët që shtegtuan nga famullitë e ndryshme të dioqezës, drejt Katedrales që i kushtohet Nënës Tereze, dhe është katedralja e parë në botë që mban emrin e saj. Një vend të veçantë në këtë ditë ishte rezervuar për miqtë e Nënë Terezes, të varfërit dhe të sëmurët, të cilët janë gjithmonë të mirëpritur, duke iu dhuruar kështu momente gëzimi dhe shprese.
Mesha e Shenjtë u udhëhoq nga ipeshkvi i vendit Imzot Simon Kulli, në bashkëkremtim me famullitarin dom Kastriot Gjoka dhe meshtarë të tjerë. Përveç besimtarëve, në këtë kremtim, morën pjesë edhe motrat e kongregatës së Nënë Terezes, të cilat shërbejnë në dioqezën e Sapës, në Pukë që prej 30 vitesh, si dhe autoritetet e pushtetit vendor, të Bashkis Vau Dejës.
Gjatë homelisë së rastit, Imzot Simoni nënvizoi shembullin e jashtëzakonshëm të Nënë Terezes e cila gjithë jetën e saj ia kushtoi shërbimit ndaj të varfërve. Kjo shenjtëreshë e jashtëzakonshme e shekullit tonë dhuroi gjithçka të qënies dhe të jetës së saj: “Çdo frymëmarrje e imja, çdo shikim imi, çdo veprim do të jetë një akt i Dashurisë hyjnore dhe çdo gjë që do të bëj, do ta bëj për dashurinë tënde, o Zot i dashur”. Janë këto fjalë që Nënë Tereza na i la sa ishte gjallë.
Por kujtimi i Nënës në ditën e festës së saj nuk mjafton – vazhdoi më tej ipeshkvi. Edhe ne mund të sjellim një gëzim të pashprehur, shpresë dhe guxim në jetën e atyre njerëzve që kemi përreth, që vuajnë për mungesë ushqimi, për mungesë ilaçesh, veshjesh, shtëpish, por edhe për mungesë të një buzëqeshjeje, të një fjale të ngrohtë apo të pranisë së një miku.
Menjëherë pas meshës, të prirë nga Meshtarët dhe Personat me Aftësi Ndryshe, të gjithë u mblodhën pranë Shtatores së Shenjtes, përballë Kishës katedrale për t’i drejtuar lutjet Asaj dhe për t’i kërkuar ndërmjetësinë pranë Atit, Hyjit të Gjithpushtetshëm. Gjithashtu, në nderim të veprës së madhe të Shën Terezës së Kalkutës, për të gjithë përsonat me aftësi ndryshe, Caritas Sapa shtroi dreken festive tek Mensa e Caritasit Dioqezan. Festa e Nënë Terezes ka vazhduar gjatë ditës edhe me aktivitete të tjera kulturore dhe artistike të organizuar nga famullia Shën Kollit në bashkëpunim me Bashkinë Vau Dejës.
Violeta Marashi