Festa e Nanë Terezës në Shqipëri
R.SH. - Vatikan
Kremtimi i festës së Shenjtës Nënë Terezë në të gjitha Kishat Katedrale të Shqipërisë, dje 5 shtator, qe një ngjarje shpirtërore e kombëtare, shembull përkujtimi dhe imitimi, po të ndjekim njoftimin e dom Mark Pashkja:
Kisha katolike në Shqipëri kremtoi me solemnitet të madh festën e Shën Terezës së Kalkutës. Në të gjitha Katedralet e Shqipërisë u organizuan Meshë dhe aktivitete të tjera në nder të shenjtëreshës tonë shqiptare. Kryeqendra e aktiviteteve ishte në Dioqezën e Sapës, si Katedralja e parë e cila mban emrin dhe i kushtohet Nënës së madhe të të varfërve. Meshën solemne në këtë dioqezë e udhëhoqi Sh.T. Imzot Simon Kulli, i cili në praninë e një numri të madh personash, ndër të tjerë edhe me aftësi ndryshe të ftuar enkas për këtë ditë, nënvizoi lutjen si karakteristikën themelore të Nanë Terezës.
Në një situate si ajo e sotmja vazhdoi ai është e domosdoshme që shembulli i saj të mos mbes vetëm motiv përkujtimi por edhe imitimi. Shoqëria jonë ka nevojë sot për shumë persona të tjerë që të ndjekin shembullin dhe të aktualizojnë misionin e saj. Suksesi i misionit të saj ishte arritja e shenjtërisë për vete dhe shpëtimi i shumë shpirtrave, theksoi Imzot Kulli. Meshën e pasoi edhe një aktivitet i përgatitur nga kjo dioqeze, enkas për personat në nevojë, që ishin edhe personat më të dashur për Nanen e madhe, sot shenjtëreshë.
Aktivitete të kësaj natyre u zhvilluan edhe në dioqeza të tjera ku nuk mungoi evidentimi i problematikave me të cilat hasen shtresat në nevojë.
Në Katedralen e Shkodrës kjo festë përkoi edhe me ndjesën e plotë që Papa i ka akorduar kësaj kishe, në nder të martirëve të Shqipërisë. Ishte një moment hiri dhe bekimi i madh për besimtarët e shumtë që gjatë ditës vizituan këtë vend sa historik aq edhe të shenjtë. Arqipeshkvi i Shkodrës Imzot Massafra vazhdoi traditën e tij, duke kremtuar meshën në shtëpinë e motrave të Nanë Terezës në Shkodër në praninë e motrave dhe banorëve të kësaj shtëpie. Pasdite ai kremtoi në Kishën e Dobraçit e cila është një nga Kishat e para të kësaj arqidioqeze kushtuar shenjtëreshës shqiptare. Në Katedralen e Shën Palit Sh.T. Imzot Arjan Dodaj, në Meshën përkujtimore rikujtoi faktin se në territorin e kësaj Arqidioqeze jetuan për vite e vite familja e ngushtë e Nanë Terezës.
Pavarësisht pengesave të shumta që ajo hasi në jetën familjare apo misionare, ajo nuk u ndal asnjëherë. Sekreti i veprimtarisë së saj qëndron në dashurinë e madhe që ajo ushqeu për Zotin dhe më të varfrit. Dashuria që karakterizoi atë duhet të jetë shembull dhe motivim për ecjen dhe veprimin tonë në Kishë, përfundoi ai. Aktivitete të tjera të ngjashme u zhvilluan edhe në Rrëshen e në Administraturën Apostolike të Jugut ku Motrat e Bamirësisë vazhdojnë të zhvillojnë misionin e Nanë Terezës.
Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i Kish