Kërko

Shpresa Shpresa

Çelësi i fjalëve të Kishës: Krishti është shpresa jonë

Vijojmë ciklin me meditimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Sot, zgjodhëm mendimet e Joseph Ratzinger nga mesha e kremtuar në Brno të Republikës Çeke, më 27 shtator 2009, nga Engjëlli i Tënzot i 3 janarit 2010 dhe nga kremtimi i Mbrëmësores së Solemnitetit të Nënës së Zotit, më 31 dhjetor 2012

R.SH. – Vatikan

Në shoqërinë aktuale, - thoshte Papa Benedikti XVI në homelinë e meshës së Brnos - shumë forma varfërie lindin nga izolimi, ngaqë nuk e ndjejmë se dikush na do me gjithë shpirt, nga refuzimi i Zotit dhe nga mbyllja tragjike e zemrës së njeriut për Të, sepse mendon se i mjafton vetvetja, ose kujton se është jo i rëndësishëm e kalimtar. Në këtë botën tonë, që tjetërsohet “kur i beson vetëm planeve njerëzore” (shih Caritas in veritate 53), vetëm Krishti mund të jetë shpresa jonë e sigurt. Ky është kumti, të cilin ne të krishterët duhet të përhapim çdo ditë, me dëshminë e jetës.

Jezu Krishti nuk i braktis kurrë miqtë e vet – vijon Joseph Ratzinger. Ai siguron ndihmën e Tij, sepse asgjë s’është e mundur të ndodhë pa Të, por, njëkohësisht, i kërkon secilit prej nesh të impenjohet personalisht për të përhapur mesazhin e tij universal të dashurisë e të paqes.

Shpresa jonë është në Hyjin

 Problemet nuk mungojnë, në Kishë e në botë, po ashtu edhe në jetën e përditshme të familjeve. Por, falë Zotit, shpresa jonë nuk mbështetet mbi plane të parealizueshme e as mbi parashikime ekonomike, sado të rëndësishme të jenë – vë në pah Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot të 3 janarit 2010. - Shpresa jonë është në Hyjin, jo në kuptimin e përshpirtërisë së përgjithshme, ose të ndonjë fatalizmi, veshur me petkun e fesë. Ne besojmë në Zotin, i cili, në Jezu Krishtin, zbuloi, plotësisht dhe përfundimisht, vullnetin për të ndenjur me njeriun, për të ndarë me të historinë, për të na udhëhequr të gjithëve drejt Mbretërisë së dashurisë dhe të jetës. E kjo shpresë e madhe i frymëzon e, nganjëherë, i korrigjon shpresat tona njerëzore.

E keqja bën më tepër zhurmë se e mira

Pavarësisht nga ç’ndodh në botë, në të ekziston e mira e ajo është e destinuar të fitojë falë Hyjit, Hyjit të Jezu Krishtit, mishëruar, vdekur e ringjallur – vijon Ratzinger reflektimin në Solemnitetin e Nënës së Zotit, më 31 dhjetor 2012. - Natyrisht, nganjëherë është e vështirë të kuptohet ky realitet i thellë, sepse e keqja bën më tepër zhurmë se e mira: një vrasje e shëmtuar, dhuna e përhapur, padrejtësitë e rënda janë në faqet e para të gazetave; përkundrazi, gjestet e dashurisë e të shërbimit, lodhja e mundi i përditshëm, duruar me besnikëri, mbeten shpesh në hije, nuk dalin në pah. Edhe për këtë arsye, nëse duam të kuptojmë botën dhe jetën nuk mund të ndalemi vetëm tek lajmet; duhet të jemi në gjendje të rrimë në heshtje, në meditim, në reflektimin e qetë e të zgjatur; duhet të dimë si të ndalemi për të menduar.

I krishteri është njeri i shpresës

Në këtë mënyrë, shpirti ynë gjen shërimin nga plagët e pashmangshme të jetës së përditshme, mund të zbresë deri në thellësitë e ngjarjeve të jetës e të botës dhe të arrijë atë lloj urtie, që na lejon t’i vlerësojmë gjërat me sy të rinj. Sidomos, duke dëgjuar ndërgjegjen, ku na flet Zoti, mësojmë t’i shohim me vërtetësi veprat tona, edhe të keqen në zemrat tona e përreth nesh, për të filluar udhën e kthesës, që na bën më të urtë e më të mirë, më të aftë për solidaritet bujar e bashkim, duke fituar mbi të keqen me të mirën. I krishteri është njeri i shpresës, edhe e sidomos para territ, i cili shpesh ekziston në botë e nuk varet nga plani i Zotit, por nga vendimet e gabuara të njeriut. Pikërisht shpresa i jep sigurinë se forca e fesë mund të zhvendosë malet (shih Mt 17,20): Zoti mund ta shndrisë edhe terrin më të thellë.

07 shtator 2023, 09:01