Çelësi i fjalëve të Kishës: besnikëria e guximi, udhë për shenjtërim
R.SH. – Vatikan
Sot, ne kundrojmë misterin e bashkimit të shenjtorëve në qiell e në tokë – thoshte Benedikti XVI në solemnitetin e gjithë shenjtorëve. Nuk jemi vetëm, por rrethohemi nga një re e madhe me dëshmitarë: me ta formojmë Korpin e Krishtit, me ta jemi bij të Zotit, me ta bëhemi shenjtorë në Shpirtin Shenjt. Gëzim në qiell, hare në tokë! Aradhja e lavdishme e shenjtorëve ndërmjetëson për ne tek Zoti, na shoqëron në udhën tonë drejt Mbretërisë së Hyjit, na nxit ta mbajmë vështrimin të ngulur në sytë e Jezu Krishtit Zot, që do të vijë në lavdi, në mes të shenjtorëve të vet.
Shenjtorët – shtonte Papa Ratzinger - nuk janë ndonjë kastë e vogël të zgjedhurish, por një turmë e panumërt. Në këtë shumicë nuk bëjnë pjesë vetëm shenjtorët e njohur zyrtarisht, por edhe të pagëzuarit e çdo epoke e kombi, që janë përpjekur t’i binden vullnetit hyjnor me dashuri e besnikëri. Pjesës më të madhe të tyre nuk ua njohim as fytyrat e as emrat, por me sytë e fesë, i shohim të shkëlqejnë, si yje të lavdishëm, në qiellin e Zotit.
Në ditët tona, shenjtëria është ende aktuale? – pyeste Benedikti XVI besimtarët e mbledhur në meshën, që e pati kremtuar si sot, më 28 shtatorin e vitit 2009, në Starà Boleslavo, afër Pragës. - Apo është temë pak tërheqëse dhe jo aq e rëndësishme? A nuk kërkohet sot më shumë lavdia dhe suksesi i njerëzve? Por sa zgjat e sa vlen suksesi tokësor? – vijonte Joseph Ratzinger, duke ngacmuar me pyetje mendjen e besimtarëve.
Në shekullin e kaluar kemi parë të bien jo pak njerëz të fuqishëm, që dukej sikur ishin ngjitur në lartësi të paarritshme. Pa pritur e pa kujtuar, humbën pushtetin. Kush e ka mohuar e vazhdon ta mohojë Zotin e, për pasojë, nuk respekton as njeriun, duket sikur e ka jetën më të lehtë e mund të arrijë pa probleme suksesin material. Por mjafton ta gërvishtësh pak sipërfaqen për të parë se këta njerëz janë të trishtuar e të pakënaqur. Vetëm kush ruan në zemër “frikën e shenjtë të Tënzot” ka besim edhe në njeriun dhe e kalon jetën në përpjekjen për të ndërtuar një botë më të drejtë e më vëllazërore. Sot, ndihet nevoja për njerëz, që janë “besimtarë” e “të besueshëm”, gati për të përhapur në çdo fushë të shoqërisë ato parime dhe ideale të krishtera, që i frymëzojnë veprimet e tyre. Kjo është shenjtëria, thirrje universale për gjithë të pagëzuarit, që na nxit të bëjmë detyrën tonë me besnikëri e guxim, duke pasur parasysh jo interesin personal egoist, por të mirën e përbashkët e duke kërkuar në çdo çast vullnetin e Zotit.