Bashkësia e Shën Egjidit: në Berlin, kundërshtimi i feve për luftën
R.SH. – Vatikan
Kundërshtimi i feve për zgjidhjen e problemeve të botës me luftë do të ripohohet edhe një herë në Berlin, kryeqytet i Gjermanisë, ku, nga data 10 deri më 12 shtator, do të mbahet Takimi ndërkombëtar “Guximi i paqes”, i 37-ti në “Frymën e Asizit”, ku me dëshirën e Papës shenjt Gjon Pali II, përfaqësuesit e feve u mblodhën së bashku për herë të parë, në lutje për paqen, më 27 tetor 1986. Populli i paqes - thuhet në një deklaratë të Bashkësisë së Shën Egjidit, organizatore e ngjarjes, në bashkëpunim me Kishën Katolike dhe me atë Ungjillore të Berlinit – takohet në një kohë kur ngrihen mure dhe duar para luftërave pa fund, si ajo në Siri dhe si konflikti dramatik, që ende vijon pas një viti e gjysmë në Ukrainë.
Në një kuadër global, karakterizuar nga shkallëzimi i trishtë i luftës në Evropë dhe nga konfliktet dramatike në shumë anë të botës, Bashkësia e Shën Egjidit shpjegon se para shtimit të pabarazive, para varfërisë dhe krizës ekologjike, bëhet urgjente dhe e nevojshme të imagjinohet dhe të ndërtohet një tjetër e ardhme. Kemi nevojë për guxim që të promovojmë dhe të krijojmë bashkëjetesë paqësore, dialog dhe solidaritet në të gjitha nivelet. Për këtë arsye, gra dhe burra të feve dhe të kulturave të ndryshme do të takohen për 3 ditë që të diskutojnë dhe të punojnë së bashku për një të ardhme në paqe e solidaritet, sipas frymës së Asizit.
Pse Berlini?
Zgjedhja e kryeqytetit gjerman për këtë ngjarje është tejet simbolike, siç shpjegohet nga presidenti i Bashkësisë, Marco Impagliazzo: “Në një kohë, kur muret ngrihen sërish dhe shtohen polarizimet, shembulli i një qyteti, i një kryeqyteti të madh evropian, ku një mur ra si pasojë e forcës së demokracive, e dialogut dhe e durimit për të ndërtuar shtigje paqeje, është themelor dhe jep shpresë për të ardhmen”. Përurimi i Takimit, pasditen e 10 shtatorit, do të pasohet të nesërmen nga 20 forume me tema si kriza e ambientit, migrantët, dialogu ndërfetar, globalizimi, çarmatimi, me pjesëmarrjen e shumë krerëve fetarë dhe të personaliteteve institucionale e kulturore nga 33 vende të të gjitha kontinenteve. Të pranishme, delegacione të shumta nga Kishat e ndryshme të krishtera, përfaqësues të fesë islame, të hebraizmit dhe të feve të tjera botërore.
Pjesëmarrësit
Ndër pjesëmarrësit, do të jetë edhe presidenti e kancelari gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe Olaf Scholz; presidenti i Guinea Bissau-t, Umaro Sissoco Embalò; Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmed Al-Tayyeb; kardinali Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane; kreu i Konferencës së Rabinëve Evropianë, Pinchas Goldschmidt dhe Patriarku asirian Mar Awa Royel nga Iraku. Ceremonia finale do të mbahet pasditen e 12 shtatorit, para Portës së Brandenburgut, ku pritet mesazhi i Papës Françesku dhe leximi i thirrjes së feve botërore për paqen.