Paraqitja e Oborrit të Françeskut Paraqitja e Oborrit të Françeskut

Asizi: Oborri i Françeskut, aty ku vëllazërimi bëhet kulturë

Nga 14 deri më 16 shtator, mbahet në Asizi të Italisë, edicioni IX i Oborrit të Françeskut. Në paraqitjen e programit, vihen në dukje 30 ngjarjet, që do ta karakterizojnë, ndërmjet takimeve, shfaqjeve, laboratoreve dhe përvojave të ndryshme. Pas 800 vitesh, reflektim i ri mbi Rregullën e Shën Françeskut

R.SH. – Vatikan

U paraqit sot (8 shtator), me një konferencë për shtyp në Kuvendin e Shën Françeskut, në Asizi, programi i plotë i "Të jesh në rregull", edicioni i 9-të i Oborrit të Françeskut, që do të mbahet në qytetin italian, nga data 14 deri më 16 shtator. 30 ngjarje, me takime, shfaqje, përvoja të ndryshme dhe veprimtari për të vegjlit, në takimin paralel “Oborri i fëmijëve”, duke reflektuar për Rregullën e Varfanjakut të Asizit. Tri ditët do t’i mbyllë kompania teatrale “Donne del Muro Alto” (Gratë e Murit të Lartë), e përbërë nga ish-të burgosura në Rebibbia të Romës, të cilat do të paraqesin shfaqjen  “Medea në rrobaqepësi”, në Sheshin e Poshtëm të Shën Françeskut, më 16 shtator, në orën 21.00.

Me stilin e vëllazërimit

 “Përmes Oborrit të Françeskut – deklaroi françeskani konventual Marco Moroni, Rojtar i Kuvendit të Shën Françeskut – bashkësia jonë rregulltare dëshiron të hyjë në debatin publik, me stilin e vëllazërimit, falë edhe kontributit të shumë miqve me kompetencë dhe përvojë të veçantë. Oborri i Françeskut nuk është thjesht një festival, një tërësi e rregullt dhe organike konferencash dhe ngjarjesh, që mund të na ofrojnë mendime, ide dhe njohuri. Është më tepër një përvojë miqësie intelektuale, sepse ajo që e ndryshon botën nuk janë vetëm idetë, por njerëzit, të cilët, së bashku, ëndërrojnë dhe gjejnë shtigje të urta për të mirën e shoqërisë”.

Përmbajtja e manifestimit

Titulli, konceptimi dhe ngjarjet kryesore të Oborrit të Françeskut u ilustruan nga fra Giulio Cesareo, drejtor i Zyrës së Komunikimit të Kuvendit. “Shën Françesku – nënvizoi ai – nuk e shkroi Rregullën për të marrë leje nga Papa që të vazhdonte mënyrën e jetesës së ndjekur bashkë me shokët e tij të parë. Përkundrazi, shën Françesku e shkroi atë për ta pyetur Papën nëse jeta, që po bënin, ishte në përputhje me Ungjillin e Krishtit, i vetmi objektiv i vërtetë i tyre. Në këtë këndvështrim, të reflektosh mbi "të qenit në rregull" në Oborrin e Françeskut do të thotë të promovosh lirinë tonë – etje e pashuar e zemrës së të gjithëve - me gjithë të tjerët dhe kurrë pa ta! Në kohën tonë, karakterizuar nga prishja e lidhjeve shoqërore dhe agresioni i përhapur, rregullat për një jetë të mirë dhe të bukur janë në shërbim të një stili shoqëror, që vendos në qendër respektin dhe vëmendjen, shprehje qytetare e atij vëllazërimi, për të cilin shën Françesku është ‘kampion’ dhe frymëzues i padiskutueshëm”.

Ngjarjet kryesore

Dita e së shtunës, 16 shtator, do të shënohet nga një ngjarje "historike" me rëndësi të veçantë simbolike dhe kulturore, titulluar "Ungjilli është jetë: Rregulla e Françeskut". Eprorët e përgjithshëm të Urdhrit Françeskan, 800 vjet pas konfirmimit të Rregullës së Shën Françeskut nga Papa Onori III, më 29 nëntor 1223, do të takohen në Asizi - së bashku me vëllezër të shumtë nga familje të ndryshme rregulltare - për të reflektuar së bashku mbi ngjarjet aktuale dhe mbi sfidat e jetës françeskane në mijëvjeçarin e tretë. Të rëndësishme, edhe vizitat me udhërrëfyes në Arkivin dhe në Bibliotekën e Kuvendit, si edhe në Bazilikën e Shën Françeskut, së bashku me veprimtaritë për të vegjlit, në kuadrin e “Oborrit të fëmijëve”, në lëndinën e kishës së epërme. Tryezat e rrumbullakëta dhe konferencat e “Oborrit të Françeskut 2023” do të transmetohen në kanalin "Cortile di Francesco" në YouTube. Programi i plotë mund të shihet në faqen e internetit www.cortiledifrancesco.it

08 shtator 2023, 16:27