Kërko

Bucha, Ukrainë Bucha, Ukrainë

Ukraina: solidariteti i ipeshkvijve australianë me popullsinë

Një delegacion ipeshkvijsh nga Australia shkoi nga 8 deri më 11 gusht në Lviv, Kiev, Bucha dhe Irpin, të gjitha, qytete të Ukrainës, me popullsinë e të cilave shprehën solidaritetin e tyre dhe premtuan ndihmë

R.SH. – Vatikan

Një delegacion nga Konferenca Ipeshkvnore Australiane vizitoi Ukrainën nga 8 deri më 11 gusht, "në shenjë solidariteti" me popullsinë e vendit, duke iu përgjigjur një ftese nga kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës në Australi. Delegacioni - informon një notë – përbëhej nga kryeipeshkvi i Melburnit, imzot Peter A. Comensoli, kryeipeshkvi i Hobartit, imzot Julian Porteous, ipeshkvi i Port Pirie, imzot Karol Kulczycki, Át Simon Cjuk, vikar i përgjithshëm i Kishës greko-katolike ukrainase në Australi dhe Annie Carrett, kancelare e kryedioqezës së Melburnit.

Vendet e mizorive kundër jetës njerëzore

Përfaqësuesit e Kishës australiane vizituan disa qytete: Lviv, Kiev, Bucha dhe Irpin, duke i quajtur sidomos këto dy të fundit "vende të shkatërrimit të tmerrshëm dhe të mizorive kundër jetës njerëzore". Delegacioni u takua me krerë të Kishës, familje, ushtarë dhe autoritete civile. “Të shikosh këtë tragjedi në distancë, duke dhënë mbështetje financiare është një gjë, por gjë tjetër është të dëgjosh zërat e të prekurve drejtpërdrejt” nga lufta, theksoi kryeipeshkvi Comensoli.

Qendra si “Unbroken”, themelore për rifillimin e jetës

Imzot Porteous, nga ana e tij, vuri në dukje, thellësisht i mallëngjyer, afërsinë e ipeshkvijve dhe të meshtarëve ukrainas me popullin. "Ata jo vetëm jepnin ndihmë fizikisht, por ishin të pranishëm mes njerëzve edhe nga pikëpamja baritore e shpirtërore" pohoi ai. Kryipeshkvi Kulczycki lavdëroi punën e bërë në qendrën e rehabilitimit “Unbroken” në Lviv, ndërtuar dhe financuar nga bujaria e njerëzve dhe e organizatave të gjithë botës. “Qendra si Unbroken -nënvizoi - janë themelore për rifillimin e jetës. Ato trajtojnë të plagosurit e të gjitha moshave, duke ofruar kura, që nga operacionet kirurgjikale tek protezat, rehabilitimi e, sidomos, tek asistenca psikologjike dhe shoqërore”. “Shumë është humbur dhe dëmtuar. Këta njerëz dhe këto familje të reja duhet të mësojnë sërish si ta kalojnë jetën e përditshme”.

Impenjimi vëllazëror i Kishës në Australi

“Vizita, ndonëse e shkurtër – thuhet në notë – konfirmoi impenjimin vëllazëror të Kishës në Australi në mbështetje të popullit ukrainas. Pas kthimit, ipeshkvijtë kanë në program konsolidimin e lidhjeve të krijuara, duke u bërë thirrje besimtarëve australianë të vazhdojnë t'i kujtojnë në lutje njerëzit, që vuajnë në Ukrainë".

14 gusht 2023, 15:47