Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XX të vitit kishtar 'A'
R.SH. - Vatikan
Feja e gruas kananease është në qendër të Ungjillit të kësaj së diele të dielën XX të vitit liturgjik të Kishës ciklit 'A' nga shën Mateu (15, 21 28). Jezu Krishti erdhi për delet e humbura të shtëpisë së Izraelit, siç thotë vetë, por besimi i vërtetë në Të, zgjon dhembshurinë e Birit të Zotit e ai e shpëton çdo njeri me fe të gjallë. Ja pjesa Ungjillit, marrë nga kreu 15 i shën Mateut:
21 Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. 22 Dhe, ja, një grua nga Kananeja, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtasë e të thotë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” 23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë: “Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!” 24 Ai u përgjigj: “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. 25 Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha: “Më ndihmo, o Zot!” 26 Jezusi iu përgjigj: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua qesësh këlyshëve të qenve”. 27 “Po, o Zot - shtoi ajo - se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre”. 28 Atëherë Jezusi iu përgjigj: “O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!” Në atë moment u shërua bija e saj.
Të lutemi së bashku:
O Jezus, ti e vure në provë atë grua
e do t’i jesh dukur jashtëzakonisht i ashpër.
Por ajo nuk hoqi dorë
nga kërkesa e saj, nga lutja e saj
e feja e kësaj gruaje, e guximshme dhe e vendosur,
më në fund, fitoi.
Po o Jezus, ka ditë e çaste
kur edhe unë provoj
vështirësi, që duken të pakapërcyeshme.
Me dhemb zemra nga heshtja jote,
më provokojnë fjalët e tua kërkuese,
gati, kam përshtypjen
se s’vlej asgjë në sytë e tu,
se nuk jam i denjë për praninë tënde,
për mëshirën e dhembshurinë tënde,
sikur ti të ishe bërë
i pandjeshëm për travajët e mia.
Por ti, o Jezus, nuk më lë vetëm:
më kërkon të eci përpara,
të mos lodhem, të vazhdoj të pyes,
të kërkoj, të lutem,
nëse duhet, edhe duke përplasur këmbët.
Në britmën time, ti e kupton
besimin që kam në ty,
pavarësisht nga dyshimet,
pavarësisht nga mëkatet,
pavarësisht nga brishtësitë e shpirtit.
E shpesh, më jep një përgjigje, që as e prisja.