Sulmi një Kishe në Delhi, pastori: 'goditen gra dhe fëmijë'
R.SH. / Vatikan
Një Kishë e krishterë u sulmua dhe u vandalizua në lagjen Tahirpur të Delhit, nga një grup ekstremistësh hindu gjatë lutjeve të së dielës së kaluar. Lajmi u publikua vetëm në orët e fundit. Pas ngjarjes, Satpal Bhati, Bari i bashkësisë Siyyon Prathan Bhawan, denoncoi sulmin në polici.
Sipas rrëfimit të tij, një grup prej rreth njëzet hinduistësh hyri vrullshëm në kishë gjatë lutjes së mëngjesit dhe nisi t’i rrihte besimtarët me shkopinj, pa kursyer gratë as fëmijët. Sulmuesit, të pajisur me megafonë, me të cilët lëshonin parulla duke lavdëruar perëndinë Ram dhe duke premtuar 'do ta bëjmë këtë vend komb hindu', i gjuajtën figuret e Jezusit dhe u përpoqën të grisnin një Bibël.
Një video e publikuar nga faqja Democracy News India dhe e filmuar brenda Kishës tregon veglat muzikore, të copëtuara: gjatë sulmit, dëshmuan më pas besimtarët, daullet u copëtuan me thika. Kur pastori i krishterë shkoi në komisariat të policisë, njëqind përfaqësues të organizatave ekstremiste Bajrang Dal, Rashtriya Swayamsevak Sangh dhe Vishva Hindu Parishad rrethuan ndërtesën me orë të tëra, duke u përpjekur të frikësonin besimtarët e krishterë dhe duke u kërkuar oficerëve që të mos i regjistrojnë akuzat.