Poloni, Papa për shtegtimin në shenjtëroren Piekary Śląskie
R. SH. - Vatikan
“Përshëndes polakët, duke menduar edhe për gratë e vajzat shtegtare në shenjtëroren e Zojës në Piekary Śląskie” - kujtoi Papa pas lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Dhjetëra mijëra vajza dhe gra morën pjesë në shtegtimin e 20 gushtit në këtë vend kulti, kushtuar Virgjërës Mari në shekullin e 17-të. Sipas traditës, shtegtimi i të rinjve dhe i burrave bëhet në maj, ndërsa i vajzave dhe grave, në gusht.
Tema: "E Lumja Ti, që besove!"
“Papa shkruan qartë në Evangelii gaudium se është e nevojshme të zgjerohen hapësirat për një prani më domethënëse të grave në Kishë, se duhet të ketë më shumë hapësirë për misionin e grave, falë femërsisë së tyre”. Me këto fjalë Kryeipeshkvi Adrian Galbas, metropolit i kryeipeshkvnisë së Katovicës, në trojet e së cilës ndodhet Shenjtërorja e Zojës së Drejtësisë dhe Dashurisë Shoqërore në Piekary Śląskie, përshëndeti pjesëmarrësit në shtegtim. Duke kujtuar temën e sivjetme “E Lumja ti, që besove”, Kryeipeshkvi Galbas nënvizoi se ndjenja e nënvlerësimit mund të jetë shkaku i krizës së fesë të shumë grave, por mund të ketë edhe arsye të tjera. “Është edhe neglizhenca jonë e vetëdijshme në jetën shpirtërore, mungesa e lutjes, e jetës sakramentore, mungesa e lidhjes së ngushtë me Fjalën e Zotit” - kujtoi.
Ipeshkvi ushtarak: shijojeni gjenialitetin tuaj femëror
Metropoliti i Katovicës foli edhe për rreziqet që hasen gjatë komunikimit me rrjetet sociale. Në këtë drejtim, kujtoi se duhet "më shumë kujdes në shprehjen e mendimeve", "e, ndonjëherë, edhe më shumë mirësjellje". Sepse - vijoi të kujtojë - janë të shumta rastet kur urrejtja “shkatërron emrin e mirë të shumë njerëzve”.
Gjatë meshës, predikoi Imzot Wiesław Lechowicz, Ipeshkëv Ushtarak i Polonisë. Ndërmjet tjerash, u bëri grave thirrjen: "Përfitoni nga gjenialiteti juaj femëror dhe shijojeni. Shpreheni në sferat e ndryshme, në të cilat jetoni, çka ka më shumë rëndësi. E gjëja më e rëndësishme është dashuria". Në vijim i ftoi ta ndjekin Marinë si model feje dhe marrëdhëniesh të mira me të tjerët.
Më 10 shtator, lumnimi i familjes Ulma, vrarë nga nazistët
Kryeipeshkvi Lechowicz theksoi edhe se më 10 shtator, në Markowa, do të lumnohet familja Ulma, vrarë nga nazistët gjermanë gjatë përpjekjes për të shpëtuar disa hebrenj. Ata vdiqën, bashkë me njerëzit, që po ndihmonin. Do të jetë një lumnim i pashoq, sepse në nderimet e elterit do të lartohet e gjithë familja por, për herë të parë, do të lumnohet edhe një fëmijë ende i palindur në çastin e ekzekutimit. “Gjatë procesit të lumnimit, postulatori kujtoi se për një kohë të gjatë qe e pamundur të përcaktohej nëse qëndrimi i Wiktoria-s dhe Józef Ulmas u diktuan edhe nga arsye që buronin nga feja” - shpjegoi Kryeipeshkvi Lechowicz. Gjë që u sqarua vetëm kur u gjet Bibla, që u përkiste. Kopja e Shkrimit Shenjt është plot me komente e nënvizime, ndërsa pranë shembëlltyrës së Samaritanit të Mirë, ka një shënim me shkronja të mëdha: "Po”. Kush i thotë “po” Zotit, i thotë “po” edhe të afërmit - nënvizoi sërish në vijim të homelisë kryeipeshkvi!