Pakistan, përsëri dhunë anti-kristiane sepse autorët nuk ndëshkohen
R.SH. / Vatikan
Sot, e diel 20 gusht, është ditë e veçantë lutjesh në të gjitha bashkësitë katolike të Pakistanit. U caktua nga Konferenca e Ipeshkvnore e vendit pas sulmeve mbi Kishat dhe shtëpitë e krishtera, që ndodhën më 16 gusht në Jaranwala, në Punjabin pakistanez, për një rast të dyshuar blasfemie: u arrestuan dy të krishterë të akuzuar se kishin fyer Kuranin.
E edhe mbi 100 muslimanë, që morën pjesë në sulme dhe plaçkitje. Një klerik islamik u hetua për nxitje të protestave përmes altoparlantit të një Xhamie. Dje të krishterët organizuan një mbrëmësore lutjeje me qirinj në qytetin pakistanez të Karaçit për të dënuar sulmet. Bashkësia e krishterë është e tronditur thellë, vuan shumë, por mbetet bashkësi paqësore. Kështu u shpreh kryetari i Konferencës Ipeshkvnore katolike pakistaneze, Imzot Joseph Arshad, kryeipeshkëv i Islamabad-Rawalpindi, për Radio-Vatican News.
E pyetëm: Shkëlqesi, pse është kaq e rëndësishme kjo ditë lutjeje për Pakistanin?
Ne e kemi quajtur këtë ditë lutjeje sepse duhet të lutemi për Pakistanin. Ne duhet të lutemi për atë që po ndodh në shoqërinë tonë. Ne duhet të lutemi për viktimat, për ata që u është dashur të lënë shtëpitë e tyre dhe tani janë në vështirësi, dhimbje dhe vuajtje.
Si është situata tani? A po shërohen njerëzit?
Një ditë më parë vizitova vendin ku ndodhi gjithçka. Shkova atje, e pashë. Njerëzit po vuajnë. Po ikin. Duke na lënë pas dhimbjen e njerëzve që humbasin strehën. Shtëpitë e tyre janë grabitur. Njëzet e një Kishë u dogjën. Famullitë katolike dhe madje edhe protestante u dogjën. Biblat u dogjën. Kryqet u dogjën. Gjithçka u shndërruar në një grumbull hiri! Është shumë e dhimbshme ta shohësh. Sigurisht, njerëzve që humbën shtëpitë, do t’u duhet kohë për të dalë nga kjo traumë. Aktualisht, disa njerëz kanë shkuar tek të afërmit e tyre. Të tjerë janë të detyruar të jetojnë jashtë, kështu që Kisha është zhvendosur dhe ne po bëjmë çmos për t'i ndihmuar këta njerëz.
Çfarë duhet bërë? A është më e nevojshme të rivlerësohen ligjet e blasfemisë apo është të parandalohen njerëzit e të marrin drejtësinë në duart e tyre?
Ne e dënojmë shpërdorimin e ligjit. Duam që askush të mos abuzojë me këtë ligj. Problemi në Pakistan është se njerëzit e zbatojnë drejtësinë me duart e tyre. Dhe në këtë rast, ajo që ndodhi është se njerëzit, turma, e mori drejtësinë në dorë.
E si mund të parandalohet keqpërdorimi i ligjit?
Kërkohet edukim i mirë. E ndërgjegjësim më i madh i njerëzve. Duhet promovuar respekti për fenë e të tjerëve. Këto masa mund ta ndihmojnë shoqërinë të përmirësohet. Dhe sigurisht që qeveria duhet t’i dënojë rëndë fajtorët, t’i vërë para drejtësisë personat që kanë kryer këto akte. Ndryshe, si në të gjitha incidentet e kaluara në Pakistan, turmat sulmuan, por drejtësia nuk u vendos. Prandaj ndodhi rishtas. Nëse do të kishte pasur një shembull në të kaluarën, e gjithë kjo mund të ishte shmangur. Ndoshta policia ose administrata ndonjëherë mund ta marrin në dorë kontrollin e situatës. Duhet vendosur drejtësi e vërtetë për të ndaluar aksidente të tilla në të ardhmen.
Këtë lajm e mori vesh mbarë bota. A pati akte solidariteti nga myslimanët?
Muslimanët vijnë tek ne dhe na shprehin ngushëllimet e tyre. Edhe kryeministri ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa të ashpra dhe do t'i nxjerrë këta njerëz para drejtësisë dhe këtë e di edhe guvernatori i Punjabit. Por tani për tani të gjithë kanë synim të kontrollojnë situatën dhe të ndihmojnë këta njerëz.
E Papa Françesku ka ngritur një komision kushtuar martirëve të rinj.