Kërko

Jezuitët në Amerikën Qendrore Jezuitët në Amerikën Qendrore

Nikaragua. Jezuitëve u revokohet statusi juridik: terror dhe shtypje në vend

Në Nikaragua, vijon sulmi i pajustifikuar kundër jezuitëve, në një kuadër të përgjithshëm represioni. Provinca e Amerikës Qendrore e Shoqërisë së Jezusit dënon dispozitën, me të cilën qeveria e kryesuar nga Daniel Ortega i hoqi statusin e saj juridik dhe flet për shtypje sistematike e krime kundër njerëzimit, me qëllim vendosjen e plotë të një regjimi totalitar

R.SH. – Vatikan

         Provinca e jezuitëve në Amerikën Qendrore dënon ashpër dispozitën, me të cilën autoritetet e Nikaraguas i revokuan Shoqërisë së Jezusit statusin juridik. Në një deklaratë të datës 23 gusht, jezuitët dënojnë "sulmin e ri" kundër urdhrit rregulltar të themeluar nga Shën Injaci i Lojolës, akt, që bën pjesë në politikën e terrorit kundër popullsisë së Nikaraguas dhe në "shtypjen sistematike të qeverisë Ortega në nivel kombëtar". Një grup ekspertësh, ngritur nga OKB-ja, e ka klasifikuar tashmë atë si “krim kundër njerëzimit".

Drejt një regjimi totalitar

Sipas Provincës së jezuitëve në Amerikën Qendrore, qeveria synon "vendosjen e një regjimi totalitar", për të cilin kanë përgjegjësi presidenti dhe zv.presidenti i Nikaraguas, fajtorë për pengesat kundër “pavarësisë dhe neutralitetit të pushtetit gjyqësor". Deklarata për shtyp fton krerët e vendit ta ndalin represionin dhe të favorizojnë "një zgjidhje të arsyeshme, në të cilën të mbizotërojë e vërteta, drejtësia, dialogu, respektimi i të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit".

Mijëra, viktimat e shtypjes

Përveç kësaj, kërkohet respektimi i plotë i lirisë dhe i identitetit të jezuitëve dhe të njerëzve, që bashkëpunojnë me ta. Shoqëria e Jezusit në Nikaragua bashkohet me "mijëra viktimat e vendit, që presin drejtësi dhe shpërblim për dëmet e shkaktuara nga qeveria aktuale". Gjithashtu, ajo shpreh "mirënjohjen për mbështetjen dhe solidaritetin” e popullsisë, pas persekutimit nga ana e autoriteteve.

Asnjë mundësi apelimi

Dispozita e qeverisë vendos që pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme të Shoqërisë së Jezusit t'i transferohen shtetit. Ashtu si në rastet e tjera të revokimit të statusit juridik që nga viti 2018, vendimi u mor pa përfunduar procedurat administrative të përcaktuara me ligj. Jezuitëve nuk u jepet mundësia për t'iu drejtuar një gjyqtari të paanshëm.

Persekutimet kundër Kishës Katolike janë në rritje

Para kësaj mase të fundit represive, rreth një javë më parë, qeveria Ortega, nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit, pati konfiskuar Universitetin Amerikanoqendror të Nikaraguas (UCA), themeluar nga jezuitët, së bashku me rezidencën e Shoqërisë së Jezusit në Managua, pa i lejuar ata, që banonin aty, as të merrnin sendet personale. Vetëm pesë ditë më parë, më 19 gusht, u mbush një vit nga arrestimi i imzot Rolando Álvarez, ipeshkëv i Matagalpës dhe administrator apostolik i Estelí, i dënuar pa gjyq me 26 vjet burg, me akuzën e komplotit kundër integritetit kombëtar dhe të përhapjes së lajmeve të rreme. Që atëherë, në vend, janë shtuar persekutimet kundër Kishës Katolike.

24 gusht 2023, 14:52