Nigeri, lirohet rregulltari dhe seminaristi, rrëmbyer në fillim të gushtit
R.SH. – Vatikan
Át Paul Sanogo dhe seminaristi Melkiori Dominick Mahinini, rrëmbyer më 3 gusht në Nigeri, më në fund, u liruan. Njoftimi u dha dje nga Fides, agjencia e lajmeve të Veprave Misionare Papnore. Át Sanogo i përket kongregatës së Misionarëve të Afrikës, të njohur si Etërit e Bardhë. Rrëmbimi ndodhi gjatë sulmit kundër famullisë së Shën Luka Gyedna (dioqeza e Minna-s), në Paikoro, Nigeria qendro-veriore. Lirimi u konfirmua nga eprori i përgjithshëm i kongregatës kishtare, Át Stanley Lubungo, sipas të cilit rregulltari dhe seminaristi u liruan paraditen e 24 gushtit.
Át Paul Sanogo është me origjinë nga Burkina Faso, ndërsa Melkiori Dominick Mahinini është një seminarist 27-vjeçar nga Tanzania, që ndodhej në Nigeri për një përvojë misionare me Etërit e Bardhë, përpara se të vazhdonte studimet teologjike. Sipas Fides, lirimin e seminaristit e ka konfirmuar edhe ambasadori i Tanzanisë në Nigeri, Benson Bana.
Episodet e rrëmbimit të njerëzve, përfshirë meshtarët dhe rregulltarët, fatkeqësisht, janë të zakonshme në Nigeri. Kur pati dhënë lajmin, më 3 gusht, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Tanzanisë (TEC), imzot Gervas John Mwasikwabhila Nyaisonga, theksoi "rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut", duke siguruar mbështetjen e Kishës për përpjekjet e diplomatëve "që njerëzit e rrëmbyer të lirohen pa kushte".