Nëse e doni Nënë Terezën…
R. SH. - Vatikan
Në kinematë amerikane po shfaqet me shumë sukses filmi dokumentar, kushtuar jetës dhe trashëgimisë së Nënë Terezës së Hondurasit. Filmi dokumentar “With This Light”(Me këtë dritë), nga Miraflores Film, ka në qendër të vëmendjes figurën e motrës Maria Rosa Leggol, murgeshë françeskane, që ia kushtoi gjithë jetën fëmijëve jetimë dhe të braktisur në Honduras, vend ku hapi jetimoren e saj të parë në vitin 1964 dhe ku, në vitin 1966, themeloi organizatën jofitimprurëse “Sociedad Amigos de los Niños”. Vdiq në vitin 2020, viktimë e Covid 19 e, si më të gjallë, ashtu edhe pas vdekjes, u thirr ‘Nënë Tereza’ e Hondurasit. Për këtë Engjëll të ri të të flakurve nga shoqëria, u hap shumë shpejt çështja e lumnimit në nivel dioqezan.
Mbi 500 shtëpi, në të gjithë Amerikën Latine
Pesëqind, numri i shtëpive që përuroi rregulltarja në të gjithë Amerikën Latine me një vizion largpamës, të aftë për të ndikuar jo vetëm mbi jetën e fëmijëve të mirëpritur, por edhe për të krijuar vende pune për të afërmit dhe bashkësitë e tyre, si dhe për kujdesin shëndetësor nëpërmjet klinikave dhe shoqatave mjekësore. Murgesha françeskane ishte grua guximtare! Ajo nuk i lejoi diktaturat, grushtet e shtetit ushtarak apo fatkeqësitë natyrore t'ia ndërpresin projektet e saj. E dhuroi pa pikën e kursimit gjithë vetveten, derisa Covid 19 ia mori jetën në moshën 93-vjeçare. E meritoi të quhej “Nënë Terea e Hondurasit”, në kujtim të një Terezeje tjetër, që vijon të endet nëpër botë e të frymëzojë “Tereza të reja”, që asnjë njeri të mos lëngojë a të vdesë rrugëve, pa një dorë të shtrirë për ta shpëtuar, si dora e samaritanit të mirë.
Historia e “Nënë Terezës” së Hondurasit
Motër Rose Pacatte, anëtare e Bijave të Shën Palit dhe drejtoreshë e Qendrës Pauline për Studime Mediatike në Los Anxhelos, duke folur me Vatican Radio-Vatican News, ofron një reflektim mbi "të gjitha të mirat që ndodhin në botë, për të cilat nuk kemi dijeni”, duke shtuar “nëse e deshët (dhe e doni) Shën Nënë Terezën dhe të mirat që bëri, do ta doni edhe këtë murgeshë”. Motra Rose Pacatte thekson, "bëri gjëra shumë të guximshme me të cilat ne mund të qeshim sot, por që në atë kohë kërkonin shumë guxim, guxim dhe bindje. Ajo e kishte guximin dhe bindjen! Jetonte me besim, shpresë dhe bamirësi!”.
E jetoi me fund jetën, në emër të fesë, shpresës dhe bamirësisë. Në mënyrë heroike, si e shohim në filmin kushtuar Asaj që shkriu gjithë jetën, për t’ia hapur Jezusit portat e mbyllura të botës! Këtë pasqyron filmi, që tregon se se edhe ne, si ajo, mund ta sjellim Jezusin në botë. E na e kujton “This Light”, Dritën e re që shndriti skutat e errëta të varfërisë e braktisjes.