Kërko

2016.09.04 Canonizzazione Madre Teresa di Calcutta, Santa Madre Teresa di Calcutta 2016.09.04 Canonizzazione Madre Teresa di Calcutta, Santa Madre Teresa di Calcutta

Nënë Tereza: fraza që bëjnë historinë

Nga goja e Nënë Terezës dolën aq shumë fjalë të urta, sa do të mund të shkruheshin libra me to! Fjalë fluturake, që ajo vetë nuk kishte kohë t’i shkruante, sepse kohën e shfrytëzonte për t’i dhuruar jetë, atyre që nuk e dinin ç’është jeta. S’kish kohë për të shkruar libra, e megjithatë la pas aq histori, sa të frymëzojë jo një njeri, po mbarë njerëzimin. E tregojnë fjalët e urta të mëposhtme, që i zgjodhëm si dhuratë për 130 vjetorin e ditëlindjes së Motrës shqiptare të bamirësisë

R.SH. - Vatikan

Karizmatike dhe e guximshme, Nënë Tereza udhëtoi vazhdimisht për t’i ndihmuar njerëzit që fati - a dora e njeriut - i kish flakur në mes të rrugëve të botës. Njerëz që kërkonin pikërisht një Nënë Terezë për t’i prirë kur bëheshin gati të niseshin nga kjo botë, drejt qiellit, duke i shpëtuar me korp e me shpirt!

E ndërsa vijonte shtegtimin e pafundmë në rrugët e mjerimit, shqiptoi fraza, që bëjnë historinë. Thënë shpesh para skenave të tmerrshme, ku gjithkush mund të lemeritej, veç saj! Edhe këto e bënë të njohur Nënë Terezën e Kalkutës (1910-1997) në mbarë botën, si misionare e madhe shqiptare, që diti ta vlerësojë dinjitetin e çdo njeriu!  Po kujtojmë pakëz pej tyre!

Nënë Tereza për fëmijët

Fëmijët janë si zogjtë: ju doni t'i mësoni të fluturojnë, por ata nuk do të fluturojnë me flatrat tuaja. Doni t'i mësoni të ëndërrojnë, por ata nuk do të ëndërrojnë ëndrrën tuaj.

Prindërit duhet të jenë të besueshëm, jo ​​të përsosur. Fëmijët të jenë të lumtur, jo të na bëjnë të lumtur.

Çfarë mund të bësh për të siguruar paqen botërore? Shko në shtëpi e duaje familjen tënde!

Disfata më e keqe është humbja e guximit, e mësuesit më të mirë, Femijet!

Murgesha shqiptare, për jetën

E keqja zë rrënjë kur njeriu fillon të mendojë se është më i mirë nga të tjerët.

Unë mund të bëj gjëra, që ju nuk mundeni; ju mund të bëni gjëra, që unë nuk mundem. Së bashku mund të bëjmë gjëra të mëdha”.

Nuk mund të flasim ndërsa dëgjojmë. Kur të na mbushet zemra, goja do të flasë, mendja do të mendojë.

E djeshmja nuk është më, e nesërmja nuk ka ardhur ende. Kemi vetëm të sotmen. Le të fillojmë...

Asnjëherë mos udhëtoni më shpejt sesa mund të fluturojë engjëlli juaj i rojës.

Një jetë e pajetuar për të tjerët, nuk është jetë.

Mos dhuroni vetëm kujdesin, dhuroni edhe zemrën.

Gëzimi është shumë ngjitës. Kërkoni, pra, të jeni gjithmonë të mbushur me gëzim,  kudo që të shkoni.

 Fjalë për dashurinë

Sa më pak të kemi, aq më shumë japim. Duket absurde, por kjo është logjika e dashurisë.

Nëse i gjykon njerëzit, nuk do të kesh kohë t'i duash.

Duaje jetën, edhe nëse nuk të jep atë që deshe; duaje, edhe nëse nuk është ashtu si e doje! Duaje kur të lindësh e edhe kur të vdesësh.

Mos dashuro kurrë pa dashuri, e kurrë mos jeto pa jetë!

Nuk e di si do të jetë parajsa, por e di se kur të vdes dhe të vijë koha që Zoti të më gjykojë, Ai nuk do të më pyesë: "Sa gjëra të mira bëre në jetën tënde?", por: "Sa dashuri dhurove, në atë që bëre?”.

28 gusht 2023, 10:12