Kërko

Mitingu i Riminit Mitingu i Riminit

Mitingu i Riminit: kard. Zuppi, “paqja kërkon drejtësi e siguri”

Filloi dje Mitingu i Riminit, i cili do të përfundojë më 25 gusht. Kardinali Matteo Zuppi, kreu i ipeshkvijve italianë, në fjalën e hyrjes, nënvizoi: “Duhet të kërkojmë të gjitha mjetet për zgjidhjen e konflikteve, pasi dialog nuk do të thotë të tradhtosh arsyen, nuk do të thotë të pranosh një paqe të padrejtë”

R.SH. – Vatikan

“Paqe nuk do të thotë tradhti. Paqja kërkon drejtësi dhe siguri. Nuk mund të ketë paqe të padrejtë, premisë për konflikte të tjera, ka një agresor dhe një të sulmuar, nevojitet paqe e sigurt për të ardhmen”. Kjo ishte deklarata e kardinalit Matteo Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, në hapjen e punimeve të Takimit të Riminit, dje pasdite (20 gusht).

Duke folur mbi temën “Të gjithë vëllezër. Dëshmia e një miqësie në veprim, në gjurmët e Papës Françesku”, kardinali, i emëruar nga Ati i Shenjtë për misionin, që synon "hapjen e shtigjeve të paqes" në Ukrainë, përsëriti se "siguria kërkon gjithmonë përfshirjen e të gjithëve. Nëse duam paqen, duhet të përgatitemi për paqen. Ky është impenjimi i madh, për të cilin duhet të marrim përsipër përgjegjësinë”.

Në luftën e Ukrainës, "shumë njerëz vdesin, urrejtja thellohet, ndotja e ambientit bëhet e padurueshme". "Kjo është me të vërtetë një luftë botërore", shtoi kardinali, i cili bëri thirrje për "miqësinë shoqërore të lirë", si ajo për të cilën flet shpesh Papa Françesku. “Miqësia shoqërore e ndez botën rreth nesh, sepse periferia nuk është vetëm gjeografike, është edhe ajo e fqinjit”.

Duke iu rikthyer fazave të misionit të tij për paqen, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Italiane përfundoi: “Jetoj me vetëdijen se shumë njerëz luten për paqen. Kjo ma shton përgjegjësinë, por ndiej edhe thirrjen, që i lartohet Zotit, thirrje që na nxit të gjejmë rrugën e paqes. Të imagjinosh një botë pa luftë nuk është naive. Dialog nuk do të thotë të pranosh paqen e padrejtë”.

Mitingu i Riminit filloi dje e do të përfundojë më 25 gusht. Takimi i organizuar nga lëvizja “Bashkim e Çlirim”, reflekton sivjet mbi temën “Ekzistenca njerëzore është miqësi e pashtershme”.

21 gusht 2023, 13:01