Kërko

Kremtimi për Nënë Terezën Kremtimi për Nënë Terezën

Kryeipeshkvi i Kalkutës: Nënë Tereza, himn për jetën e misionin

Kryeipeshkvi Thomas D'Souza kremtoi një meshë në ditën kur shenjtorja do të kishte mbushur 113 vjeç. Më pas, u ndal para varrit të murgeshës shqiptare dhe u lut, duke e falënderuar Zotin për jetën e saj "krejtësisht në shërbim të të tjerëve". Vuri në dukje sidomos, "mbështetjen" e saj në "Provaninë hyjnore"

R.SH. – Vatikan

Gjithë veprimtaria e Nënë Terezës ka të bëjë me “dhurimin e jetës... siç thoshte gjithmonë: një jetë, që nuk shpenzohet për të tjerët, nuk ia vlen të jetohet”. Me këto fjalë gjatë homelisë së kremtimit solemn eukaristik, imzot Thomas D'Souza, kryeipeshkëv i Kalkutës, e kujtoi shenjten shqiptare të bamirësisë në ditën, që ajo do të mbushte 113 vjeç, më 26 gusht. Mesha u kremtua në shtëpinë amë të Misionareve të Bamirësisë, me një lutje të mëpasme tek varri i murgeshës. Jeta e saj, nënvizoi kryeipeshkvi, "u kalua krejtësisht në shërbim të të tjerëve", duke parë kah burimi i jetës, që ishte "Jezusi në Eukaristi".

Etja për Zotin

Duke reflektuar mbi Leximin e parë liturgjik, marrë nga Libri i Rutës, prelati kujtoi se shenjtja e linte plotësisht veten në dorën e “Provanisë hyjnore”, duke besuar se meqë Zoti e kishte zgjedhur për atë lloj jete, do ta udhëhiqte gjithnjë e do ta përforconte në fe. "E shoi etjen e saj për Jezusin – shtoi imzot Thomas D'Souza - duke ndenjur me më të varfërit e të varfërve", duke u bërë ballë "sfidave të shumta" dhe "duke dhënë jetën për misionin". Fjala "etje" është ajo, që e karakterizon më së miri jetën e saj: etje për Zotin, për Jezu Krishtin, për fjalën e tij, për kryqin, për njerëzimin. Ajo etje për Zotin, që është udhërrëfyese drejt shpëtimit e shëlbimit: “Ai – pohoi kryeipeshkvi i Kalkutës – e shuan këtë etje e ajo është nënë e etur, që e kërkoi Krishtin gjatë gjithë jetës së saj”.

Fytyra e Krishtit tek çdo i varfër dhe i vuajtur

Së dyti, jeta e saj ishte “krejtësisht transparente”, kaluar në vërtetësinë më të plotë. “Në Ungjillin e sotëm - nënvizoi imzot D'Souza - Jezusi pohon se nuk është si hipokritët, të cilët thonë një gjë dhe bëjnë një tjetër”. Jeta e Shën Terezës, vijoi prelati, "ishte autentike, sepse ajo jetoi sipas parimeve të Jezusit" dhe sipas idealit të përvujtërisë "duke parë fytyrën e Krishtit tek çdo i varfër dhe i vuajtur". Gurra e saj "ishte Eukaristia" dhe çdo meshë ishte "rast për të çuar përpara misionin", duke punuar "me besnikëri ndaj Jezusit deri në fund të jetës".

Jeta është bukuri, admirojeni

Më pas, kryeipeshkvi i Kalkutës reflektoi mbi frazat më të vlerësuara të misionares së Bamirësisë: "Jeta – përsëriti ai fjalët e Nënë Terezës - është mundësi, përfitoni prej saj. Jeta është bukuri, admirojeni. Jeta është ëndërr, bëjeni realitet. Jeta është sfidë, bëjini ballë. Jeta është detyrë, plotësojeni. Jeta është lojë, luajeni. Jeta është premtim, mbajeni atë. Jeta është dhimbje, kalojeni. Jeta është këngë, këndojeni. Jeta është luftë, pranojeni. Jeta është tragjedi, përballuni me të. Jeta është aventurë, guxoni. Jeta është fat, krijojeni atë. Jeta është shumë e çmuar, mos e shkatërroni. Jeta është jetë, luftoni për të”.

"Gëzuar ditëlindjen"

Në përfundim të meshës, imzot D'Souza u ndal para varrit të Nënë Terezës, ndezi një qiri dhe theksoi sërish rëndësinë e "ruajtjes, të promovimit dhe të mbrojtjes së jetës". “Jeta e Nënë Terezës – përfundoi ai – na frymëzon ta mbrojmë jetën në të gjitha fazat e saj; sot, për fat të keq, dëgjojmë çdo ditë për vrasje, prandaj duhet t’i kundërvihemi kulturës së vdekjes dhe të promovojmë jetën”. Së fundi, motër Christie e udhëhoqi asamblenë për të thënë lutjen e preferuar të Nënës për paqen: "O Zot, më bëj mjet të paqes", ndërsa fëmijët e jetimores Shishu Bhavan i kënduan shenjtes shqiptare "Gëzuar ditëlindjen".

28 gusht 2023, 13:12