Kërko

Universiteti Amerikanoqendror i Nikaraguas Universiteti Amerikanoqendror i Nikaraguas

Konfiskohet Universiteti amerikanoqendror i Nikaruaguas

Sekuestrohet pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e universitetit jezuit në shtetin e Amerikës Latine, qeveria e të cilit i akuzon rregulltarët se e kanë kthyer ateneun në qendër terrorizmi. Shoqëria e Jezusit: “Akuza të rreme dhe të pabaza"

R.SH. – Vatikan

Universiteti Amerikanoqendror i Nikaraguas (UCA) konfiskohet nga autoritetet e shtetit të Nikaraguas, që kërkojnë transferimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme të tij në duart e qeverisë. Kështu pohohet në një deklaratë të Shoqërisë së Jezusit, themeluese e Universitetit, në të cilën sqarohet edhe se Gjykata e dhjetë Penale e Managuas i akuzon jezuitët se e kanë kthyer ateneun e tyre në "një qendër terrorizmi, që organizon grupe kriminale".

Akuza të rreme dhe të pabaza

Provinca amerikanoqendrore e Shoqërisë së Jezusit, natyrisht, i hedh poshtë akuzat, duke i quajtur ato "të rreme dhe të pabaza" e duke deklaruar se "është fjala për politikën e qeverisë, e cila shkel sistematikisht të drejtat e njeriut dhe, me sa duket, synon konsolidimin e një shteti totalitar". Në njoftimin e saj, Shoqëria e Jezusit e konsideron "qeverinë e Nikaraguas përgjegjëse për të gjitha dëmet kundër studentëve, personelit pedagogjik dhe administrativ, si edhe kundër punonjësve të tjerë të Universitetit e kundër trashëgimisë kulturore të vendit, dëme, rrjedhojë e kësaj akuze të pajustifikuar dhe të urdhrit për sekuestrimin e të gjitha pasurive të paluajtshme, të luajtshme dhe ekonomike të Universitetit, në favor të shtetit”. Si pasojë e këtij vendimi, universiteti i ka pezulluar veprimtaritë e tij akademike dhe administrative deri kur do të bëhet e mundur të rifillojnë normalisht.

Historia e Universitetit

Universiteti Amerikanoqendror i Nikaraguas u themelua në vitin 1963 nga jezuitët si institucion arsimor jofitimprurës, autonom, shërbim publik me frymëzim të krishterë. Shoqata e Universiteteve, besuar Shoqërisë së Jezusit në Amerikën Latine (Ausjal), së cilës i përket, e quan vendimin e qeverisë së Nikaraguas atentat kundër autonomisë universitare, lirisë akademike dhe të drejtave të njeriut. "Kërkojmë nga autoritetet e Nikaraguas - deklaron Observatori i Demokracisë së Ausjal - ta ndërpresin menjëherë pushtimin e Universitetit. Kërkojmë gjithashtu që bashkësia akademike të rifitojë lirinë dhe aftësinë e saj për të kontribuar në zhvillimin intelektual dhe shoqëror të vendit".

17 gusht 2023, 16:34